Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Iu acaron “shqiptari i Kombinatit”? Është prodhim i sistemit të “Kryeinxhinierit të Kulturës”

Nga 27-shi 0

Nga Koloreto Cukali

Ka një indinjatë të përligjur (nga frika për veten, kuptohet) të njerëzve që rrinë mbyllur nëpër shtëpi, kur shohin fotot e Tregut të Kombinatit. Fjalia e parë që dëgjoj është: ne “nuk bëhemi njerëz”, çka nënkupton që nuk do mund të civilizohemi dot kurrë. Po u përgjigje që ata janë të varfër dhe nuk është faji i tyre që sfidojnë karantinën, fjalia pasuese është “pse, edhe për këtë e ka fajin Rama?”, çka nënkupton që Kryeministrit po i veshin dhe përgjegjësi absurde, si mosqytetaria e popullit që qeveris prej 17 vitesh në rang lokal e kombëtar plus nja 3-4 vjet qeverisje kulturore.

Do doja t’ju argumentoja pse është thelbësisht faji i zotit Rama që njerëzit sfidojnë distancimin në Kombinat.

Mund të ngjajë sikur kritikët e zotit Rama, përfshirë mua, e kemi kthyer në tabelë qitjeje, në këto kohë kur lideri po “lufton” të na shpëtojë të tërëve.

Nuk dua të flas për të tjerët, por unë kam dy motive për t’u marrë personalisht me zotin Rama.

E para, kam vënë re një problem të madh në mënyrën si funksionon zoti Rama në raport me pushtetin, dhe e kuptova vetëm falë COVID-it.

Edi Rama, beson që “ushtria” (lexo, mjeti i forcës) është një mjet për të trembur popullatën kur nuk bindet. Në Perëndim, ushtria është një mjet ndihme i popullatës që futet vetëm në misione humanitare aty ku shteti nuk ka resurse e ku fatkeqësia godet fort e papritur. Ushtarët, kthehen në infermierë, zjarrfikës, shoferë, kujdestarë e deri dhe dado, për të ndihmuar popullin. Në vendet ku pushteti merret e mbahet me dhunë, mashtrim, vjedhje e blerje votash, puçe e grushte shteti, ushtria në fakt shërben për të mbajtur popullin nën trysni frike. Zoti Rama anoi nga këta të dytët. E bëri në mënyrë instinktive ose jo kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që kuptuam mentalitetin që ka ai për shtetin. Shqipëria nuk ka nevojë për një Ramiz të dytë (meqë, ironikisht, ai nuk e ka as karizmën e Enverit që të mund ta përqasim).

Sistemi, si fabrikë prodhimi anti-qytetarie

Problemi tjetër, që unë e konsideroj problem madhor të Shqipërisë faktin që zoti Rama e ka personalizuar pushtetin në një masë të tillë, saqë po i afrohet asaj të Ramiz Alisë së viteve ‘86-‘90. Në të tilla raste, jo vetëm pushteti personifikohet te një njeri, por dhe institucionet shndërrohen de facto në zgjatesa të egos së një personi; pasojat që lë ky akt mbi shoqërinë janë të lidhura drejtpërdrejt me vullnetin e një individi; dhe përgjegjësitë shkojnë përsëri te ky njësh. Më i ndershmi nga e tërë kjo racë uzurpatorësh mbetet Hitleri, që mori përsipër personalisht gjithçka që kish ndodhur në Gjermaninë naziste. Ky i yni, Enveri, djallëzisht induktoi në popull idenë që “Enveri nuk di gjë”. Në fakt, Enveri nuk kishte pse dinte me doemos çdo gjë, sepse kish ngritur një sistem sipas imazhit të tij. Levat, punonin për të. Edhe pse, ka shumë indicie që Enveri dinte pothuajse çdo gjë!

Para se të vinte në pushtet si Kryeministër dhe të ikte nga pushteti dhjetëvjeçar si Kryetar Bashkie (ku u fut për të shpëtuar nga pushteti si Kryeinxhinier i Kulturës) z. Rama tha që faji “është i sistemit”. Sikurse historia jonë na mëson, sistemin e bëjnë njerëzit. Ndaj, sistemi i ri drejtësisë, pra reforma, është deformuar kaq keq pas ndërhyrjes së “inxhinierëve” shqiptarë të politikës, ku z. Rama është ai me ndikim më të madh, gati absolut. Kjo përvojë, sikurse eksperimenti i Zogut me oborr, ai i Enverit me shokë apo ai i Berishës me klan, tregoi edhe një herë që sistemet më të mira në letër mund të shkatërrohen nga aplikimi përmes njerëzve të papërgjegjëshëm.

Aq më tepër që Shqipëria, për shkaqe jo vetëm historike, por dhe strukture të trashëguar ekonomike e politike, ka një traditë vertikale të shoqërisë.

Rama dhe pasqyra e Borëbardhës

Kur zoti Rama del para kamerave ai imagjinon popullin që po e dëgjon. Kamerat e Klanit, Vizionit e TCH, janë sot pasqyra e Borëbardhës e Kryeministrit. Ai dëshiron të dëgjojë atë që do nga pasqyra.

Në një farë mase, është e vërtetë që masa e popullit që ai imagjinon që po e ndjek, i ngjan atij. Sepse, në Shqipëri, ka kohë që liderët e formatojnë masën e popullit (ata që unë me dhimbje e trishtim, e disa me zemërim, i quajmë “dele”) sipas modelit të tyre.

Sot, shqiptarët janë bërë më arrogantë, sepse ky është modeli që ofron Kryeministri. Shihni mënyrën si komunikon me publikun, në rrugë, apo dhe në FB.

Sot, shqiptarët janë bërë më të dhunshëm, sepse e tillë është jo vetëm gjuha politike e Kryeministrit, por dhe mentaliteti i tij, dhe njerëzit që ai mban afër – një pjesë të kërkuar në Europë për përdhunime, vrasje e trafiqe. Shikoni dhunën me të cilën kalon ligje anti-kushtetuese, thjesht sepse “mundet”.

Sot, shqiptarët nuk e duan njeri-tjetrin, sepe kanë një Kryeministër që nuk do askënd vetëm vetes dhe atyre 10 oligarkëve që ka rrotull. Shikoni tërë ligjet që ka bërë, që nga ai i faljes së taksës mbi dividendin, që i hoqi Shqipërisë miliona Euro për t’ua dhënë 10-15 oligarkëve e deri tek ai i marrjes së pronave në bregdet me dhunë, për tua dhënë “për zhvillim” po atij grushti njerëzish.

Të ecësh përpara pa meritë, por vetëm duke shërbyer është standardi që z. Rama ka vënë në Partinë e vet, në qeverinë e vet, në administratën e vet, në Parlamentin e vet. Them Parlamentin e “vet”, sepse është i veti. Sepse, kur i duhen votat ai vë në rresht edhe “opozitën e re” për të votuar atë që do ai.

Injoranca e mesatares së shqiptarëve është produkt i drejtpërdrejtë i cilësisë së programeve televizive, ku z. Rama është vazhdimisht protagonist, vetë ose përmes oborrtarëve të vet, por jo vetëm.

Interesi kulturor i masës së popullit është produkt i politikave kulturore të ish Ministrit të Kulturës, Kryeministri aktual dhe atyre para tij, politika që e thanë artin aq shumë sa i vetmi gjëmbaç që mbin në artin tonë është tallavaja në të gjitha fushat dhe telenovelat turke.

Me fjalë të thjeshta, shqiptari i Kombinatit është imazhi më i saktë psikologjik i z. Rama, por pa vilë në Surrel e pa kravata trendi.

Shqiptari i karantinës

Ndaj, pse prisni që Shqiptari i Kombinatit të respektojë rregullat, në një shtet që luhet pa rregulla?

Pse kërkoni që Shqiptari i Kombiantit të vërë interesin e të tjerëve mbi atë të vetin, kur askush në majën e pushtetit nuk e bën këtë?

Pse prisni qytetari nga ai që tërë ditën ushqehet me imazhin e arrogancës?

Pse, ankoheni kur një qytetar i thjeshtë përdor aksiomën “e bëj, sepse mundem” kur kemi vite që bombardohemi me dhunën e Kryeministrave që e bëjnë diçka, sepse munden?

Pse befas, kërkoni nga një shqiptar i periferisë të sillet si Europian, kur vëllai politik i Kryeministrit shqiptar është një diktator lindor?

Shqiptari i Kombinatit është pasqyra psikologjike më e saktë e z. Rama, por jo vetëm.

Shteti i pak vetëve

Shqiptari i Kombinatit, gjithashtu nuk ka marrëdhënie me shtetin shqiptar.

Kur ka hall mjekësor, i duhet të bëjë derman vetë. Kush ka pasur të bëjë me sistemin shëndetësor, e di shumë mirë që shteti i z. Rama nuk të lë rrugë tjetër veç të plasesh te privati, ose, për të varfërit – të plasesh në shtet duke paguar nën dorë.

Njëjtë dhe me sistemin arsimor. Njëjtë me drejtësinë. Njëjtë me rendin. Njëjtë me ushqimin. Njëjtë me varfërinë.

Padrejtësitë e thella ekonomike e sociale, në këtë vend zgjidhen vetëm me para nën dorë, ose me njohje personale. Ndryshe vdes, ikën në Gjermani ose i bashkohesh krimit.

Shteti shqiptar u përket vetëm atyre që kanë para.

Mund të vazhdoja gjatë, po ju këto i dini.

Thjesht, ju rikujtova, për të treguar që shqiptari i Kombinatit është i tëhuajëzuar nga shteti i vet. Shteti shqiptar është në shumicën e rasteve diçka e huaj për qytetarin e thjeshtë të këtij vendi dhe jo rrallë, është armiku i tij.

Këtu kanë kontribuar të tërë Kryeministrat nga pak, por z. Rama, është treguar ekselent në shkatërrimin e një shteti të shumicës në favor të shtetit të pakicës.

E vetmja gjë që ne presim nga shteti shqiptar është të bëjë rrugët. Kaq.

Këtu ka reduktuar shteti. Kaq kuptim ka shteti për ne.

Për asgjë tjetër nuk na duhet, madje, në çdo hallkë të vetën na vjedh, grabit, dhunon, favorizon, abuzon në favor të atij që është më i pasur.

Shqiptari i Netflixit

Ndaj, pse prisni që qytetari i Kombinatit ta marrë seriozisht shtetin shqiptar?

Pse shpresoni që Shqiptari i Kombinatit t’i japë diçka me dëshirë një shteti që vetëm merr e merr me dhunë?

Pse doni nga një njeri i lënë mes katër rrugëve, të mendojë për ju që mbase e keni zënë një qoshe të ngrohtë?

Pse pretendoni që një shtetas që trajtohet non stop si qytetar i botës së tretë në vendin e vet, të sillet si qytetar suedez brenda 2 javësh?

Pse kërkoni kulturë nga ata që (janë të detyruar) të hanë vetëm telenovelat e Sandrit, Vjollcës e Dulakëve, ndërsa ju keni hallin e sezonit të ri të Casa De Papel?

I keni parë kutitë e shkrepseve ku ata jetojnë, të zhytur në kredi, borxhe e veresie, pa mundësi për të blerë as portokaj e pa shanse për të jetuar me punë e dinjitet?

Ndaj, Shqiptari i Kombinatit nuk i ka borxh askujt, përkundrazi.

Nëse shtëpia juaj është e ngrohtë, shihni Netflix, shtrydhi limona e bëni fwd non stop meme për gallatë, mbylleni gojën e thoni ‘faleminderit’!

Shqiptari i Kombinatit duhej të ishte jo duke bërë pazar, po duke i vënë flakën sistemit. Thojini “faleminderit”, jo atyre në Kombinat, por zotit Rama, që ka modeluar qytetarë të tillë që vetëm e injorojnë shtetin, por nuk kanë guxim (as proteina mjaftueshëm) për t’i vënë flakën. Ai iu ka dhuruar dhe juve (që merrni proteina) një shënjestër për t’u ankuar: ata që janë shqiptarë, po në 30 vjet nuk kanë patur kurrë pjesë në Shqipëri. Që dhe ju të rrini të qetë, me bukë e djathë e Netflix, e mos lëvizni shumë nga divani.

/Politiko/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej