Është shfaqur shumë i ashpër ministri i sapo shkarkuar Ylli Manjani, me akuza tejet të forta kundër Edi Ramës e ministrave të tij. Akuzat përqëndrohen në dy pika; droga dhe konçesionet. Manjani është përpjekur të na shpjegojë trafikun e drogës përmes lidhjeve që aludohet të ketë me politikën, i shumkërkuari për trafik droge Klement Balili.
Ndërkohë që Klement Balili, ishte një ndër drejtorët e rëndësishëm të kësaj mazhorance, i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot, ish-ministri i kësaj partie i kërkon llogari kryeministrit dhe ministrave të tij, pse nuk e arrestojnë atë, pasi dyshohet që është trafikant droge. Manjani na thotë se ministrat e Ramës janë më afër me Balilin, sepse kanë shkuar tek hoteli i tij me dashnoret e tyrë… Kjo retorikë e dy partive kryesore që na qeverisin është krejt e rëndomtë në këtë fundmandati qeverisës, ku ka vetëm nje merak në preheërin e kujt duhet lënë Balili, në atë të PS-së apo LSI-së.
Duket po kaq banal irritimi i Manjanit për konçesionet, në qoftë se kujtojmë vetëm historinë e njërit prej tyre, atë të Rrugës së Kombit. Ka ndodhur që është anulluar konçesioni për Rrugën e Kombit, me qëllimin e vetëm që fituesi të shpallej i dyti dyti në radhë, i dëmshpërblyeri i LSI-së. Ndaj dhe droga e konçesionet janë dy halle, për të cilat LSI e as ministri i irrituar pas shkarkimit, nuk mund të tregojnë sot se sa të korruptuar na qenkan këta socialistët, me të cilët punuat jo pak, por tre vite e gjysëm në bashkëqevëerisje. Pavarësisht, se si do të dalin në zgjedhje, të bashkuara ose jo, PS dhe LSI janë të dënuara të paguajnë bashkë për keqqeverisjen, për akuzat për trafik droge, për koncesionet, për korrupsionin, madje dhe për kapjen e qeverisë që thotë Manjani. Paradoksi është se pavarësisht se çfarë tha ish-ministri, zyrtarja e LSI-së Erisa Xhixho deklaroi vazhdimësinë e koalicionit PS-LSI dhe rritjen e bashkëpunimit mes tyre. Duket se kamikazi në gjithë këtë histori është Manjani, shkarkimi i të cilit është pranuar nga Ilir Meta. Duket se kjo “tradhëti” e Ilir Metës ndaj tij, e shpjegon irritimin e Manjanit dhe “hapjen e letrave” në konferencën e fundit për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë.