Duke analizuar disa prej tyre strategjia çon vëmendjen edhe tek ndryshimi i qëndrimit që vendi ynë ka ndaj të punësuarve të huaj. Madje strategjia nënvizon se qasja në të ardhmen e afërt duhet të jetë e ngjashme me vendet fqinje sot pjesë e BE që për sektorë të caktuar dhe në bazë të kërkesës së tregut bëjnë punësime me kontrata afatgjata për të huajt.
“Shqipëria ka një sistem kuotash për menaxhimin e imigracionit të punës, i cili synon të përcaktojë aktivitetet dhe profesionet për të cilat lejohet punësimi, si dhe numri i lejeve të punës. Procesi i përcaktimit të kuotave vjetore për punësimin e imigrantëve varet shumë nga prioritetet e politikave të migracionit dhe nga situata e ndryshueshme në tregun e punës (sidomos në lidhje me punësimin sezonal). Ky proces ka pasur një efekt të kufizuar dhe duhet të rishikohet për të reaguar më mirë ndaj nevojave të tregut të punës, sidomos në sektorët me mungesë të aftësive. Për më tepër, në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësoj si shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afat-gjatë të qëndrimit dhe të punësimit”, thuhet në strategji.
Dokumenti vlerëson se duhet të ketë një analizë më të mirë të migracionit për të parë ndikimin në tregun e punës të tij, flukset migratore si dhe vëllimin dhe strukturën e fuqisë punëtore që më pas do të përcaktojë nevojën për fuqi punëtore të huaj.
“Një politikë e ardhshme e mirë për migracionin për motive punësimi do të kërkojë që nevojat e migracionit për punë të monitorohen dhe të parashikohen rregullisht. Vlerësimet e rregullta të ndikimit aktual dhe të ardhshëm të flukseve migratore mbi vëllimin dhe strukturën e fuqisë punëtore kombëtare, së bashku me vlerësimet e ndikimit të migracionit në tregjet kombëtare dhe rajonale të punës, do të duhen për të përcaktuar politikën e migracionit për motive punësimi dhe nevojën për fuqi punëtore të huaj. Njësoj si në vendet e BE-së, ky proces do të kërkojë kapacitete të mira nga institucionet përkatëse të Qeverisë Shqiptare për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për migracionin për motive punësimi dhe përdorimin e projeksioneve të migracionit, për të zhvilluar politika afatgjata të migracionit për motive punësimi”, nënvizon strategjia.
Një tjetër masë e propozuar sjell në vëmendje identifikimin, përmes anketimeve për aftësitë dhe kualifikimet, të disa prej barrierave dhe mundësive për integrimin e migrantëve të mundshëm dhe të të kthyerve në tregun e punës në Shqipëri. Po kështu dhënien e stimujve si përjashtimi nga taksat e përkohshme si dhe krijimi i një fondi bursash për studime të mëtejshme jashtë vendit dhe pjesëmarrja në programet e shkëmbimit me kusht detyrimin e kthimit.