Erisi, Bledi, Danjela, Endri, Eduardi, Brunilda, Eljana, Ornela e Adriano, janë nëntë fëmijë të mitur, nga 1 deri në 6 vjeç. Janë portrete që na vijnë përmes një fotografie mjaft interesante të publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi. Është pjesë e një grupi fotografish të korrikut të vitit 1990 ku këta fëmijë janë të ngujuar në ambasadat e huaja bashkë me shumë bashkëmoshatarë, të rinj e më të moshuar. Janë 5 mijë qytetarë kryesisht nga Tirana që guxuan më 2 korrik 1990 të lënë atdheun e tyre dhe të strehohen në ambasadat e huaja.
Nuk e dimë se ku i përplasi fati e se ku gjenden këta fëmijë që na shfaqen në këto imazhe kaq domethënëse. Duhet të jenë dikur rreth të 30-tave dhe urojmë që të jenë mirë e shumë të lumtuar bashkë me familjet e tyre. Por e dimë që rruga e tyre, e bashkëmoshatarëve, e prindërve e të tjerëve shqiptarë që ishin ngujuar në ato ambasada, ishte shumë e vështirë. Ishte noshta edhe më e vështirë rruga e atyre mijëra shqiptarëve që u nisën drejt Evropës së shumë dëshiruar përmes anijeve e kufinjve tokësore, gjatë viteve 1991-1992, për të shënuar shifrat biblike të emigracionit shqiptar.
Ata fëmijë nuk e dinin pse e mbanin atë pankartë e aq më pak e dinin pse duhej të shënohej emri i tyre aty. Ata nuk e dinin pse ata duhet të pozonin përballë aparatëve të bamirësve që po i mbanin të strehuar fare pak metra larg fytyrës gjakatare të regjimit, e cila vinte e ngrysur përmes portreteve të sigurisamve që kishin rrethuar ambasadat. Ata fëmijë nuk e dinin se ishin sa afër, aq edhe larg atdheut të tyre sepse e kishin braktisur. Qënia nëpër ato koridore të ngushta lirie, ishte zgjedhje e prindërve të tyre.
Rruga nisi atë ditë të 2 korrikut për të vazhduar si një odise e gjatë e shumë e vështirë. Emigracioni i tillë është, i vështirë, i pasigurtë e me shumë mundime. Shqipëria është ndër vendet që e ka vuajtur më shumë se sa të gjitha vendet e tjera të Evropës.
Emigracioni masiv nis 26 vjet më parë më 2 korrik 1990 kur 5 mijë qytetarë kryesisht të Tiranës, kapërcyen murin e hekurt të diktaturës duke kërkuar lirinë në teritoret e ngushta të ambasadave të huaja në qëndër të kryeqytetit të vendit komunist. Ishtë një vendim tepër i guximshëm. Ishte koha kur arratisja dënohej me pushkatim dhe guximi i këtyre qytetarëve ishte një hap deçiziv për ndryshimet demokratike në Shqipëri. Ata e thyen mitin e frikës ndaj regjimit. Nuk kaluan as gjashtë muaj dhe e gjithë Shqipëria u ngrit në këmbë kundër këtij regjimi gjakatar. “Pushtimi i ambasadave” më 2 korrik 1990 u pasua me protestën e 8 dhjetorit 1990, ku studentët nisën betejën më regjimin për ta rrëzuar atë katër ditë më vonë më 12 dhjetor. Këto ndryshime epokale për fat të keq u shoqëruan me ikje masive të shqiptarëve duke shënuar eksodin biblik të vitit 1991 e për të vzhduar më pas edhe pse me ritme të ulëta.
Ajo çfarë ka ndodhur është se Shqipëria nuk eci në rrugën që pritej për tu demokratizuar shpejt, ashtu siç ëndërrohej në atë dhjetor 1990, “E duam Shqipërinë si gjtihë Evropa”. Në fakt jemi 26 vite më vonë dhe Shqipëria nuk është si e gjithë Evropa. E vërtetë është se nuk aq larg Evropës sa ç’ishte në vitin 1990, por është aq larg sa shqiptarët ende duan të ikin nga atdheu i tyre. Shifrat e emigracionit edhe sot janë shumë të larta.
26 vjet më pas Shqipëria ka arritur rekord, duke shënuar numrin më të lartë të shtetasve të saj që jetojnë jashtë kufijve. Sipas organizatave që përpilojnë të dhëna të hollësishme për emigracionin, më shumë se një e treta e shqiptarëve sot (madje disa të dhëna e saktësojnë 1.400.000 shqiptarë) jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që numri i shqiptarëve të aftë për punë jashtë kufijve e ka kaluar atë të shqiptarëve që mund të punojnë në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2015, rreth 200 mijë shqiptarë aplikuan për të emigruar në SHBA. Gjatë periudhës 2014-2016, rreth 70 mijë qytetarë të tjerë udhëtuan dhe kërkuan azil në një vend të BE-së.
Këto shifra na bëjnë të besojmë se Shqipëria është ende shumë larg Evropës, pavarësisht se si e mat politika shqiptare këtë largësi. Ata thonë se kemi ecur shumë sepse jemi anëtarësuar në NATO, kemi marrë statusin kandidat për në BE dhe jemi duke pritur të hapim negociatat për anëtarësim. Por të rinjtë shqiptarë as që duan t’ia dinë për këto deklarata të elitës që i drejton. Të rinjtë i kanë syë drejt emigracionit, ata duan të ikin. Duan të ikin sepse nuk kanë shpresë, sepse atdheu i tyre është zaptuar nga kjo elitë politike që ka zhvatur për 26 vjet shqiptarët duke i lënë popullin më të varfër në Evropë.
Të rinjtë duan të ikin sepse nuk besojnë te Refoma në Drejtësi, fjala magjike e kryeministrit të radhës. Nuk besojnë as të opozita e radhës si alternativë për një të ardhme më të mirë. Të rinjtë po ikin sepse nuk e shohin dot të projektuar të ardhmen, në atdheun e tyre.