Mesila Doda: Pakti i partive për transmetimin e reklamave falas, një këmbanë alarmi, mediat kanë nevojë për mbështetje.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me banorë të njësisë nr.5 në Tiranë, ku ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputetja Mesila Doda dhe kandidatët për deputet në qarkun e Tiranës. Gjatë takimit me banorë të kësaj njësie, Idrizi propozoi që të rikthehet shërbimi ushtarak për të rinjtë, si dhe në moshën 18-vjeçare çdo shqiptar të bëjë betimin mbi flamur.
“Ne do të propozojmë që të rinjtë t’i rikthehen shërbimit ushtarak. T’i rikthehen një muaj shërbimit ushtarak dhe besoj se këtë e praktikojnë edhe vendet më të përparuara në botë. Ne mendojmë se do na ruajë Zoti dhe të tjerët, por në radhë të parë ne duhet të ruajmë veten tonë. Shqipëria ka nevojë që të rinjtë të bëjnë një muaj shërbim ushtarak. Ne gjithmonë kemi besuar që një formim atdhetar do të na bëjë ta duam më shumë këtë vend. Po nuk e deshëm ne Atdheun dhe njëri-tjetrin, nuk mund të na duan të tjerët. Një tjetër propozim i PDIU-së është që të rinjtë kur të arrijnë në moshë madhore, të bëjnë betimin para flamurit. Ta bëjnë para flamurit dhe të jenë krenarë dhe të kuptojnë se Shqipëria është vendi ynë dhe duhet ta ruajmë e ta zhvillojmë. Kjo është arsyeja pse ne kemi Veç një Atdhe, nuk kemi dy Atdhe. Ne duhet t’ju japim mundësi të rinjve të bëhen pjesë e tregut të dijes dhe tregut të punës“,- tha Shpëtim Idrizi.
Kryetari i PDIU-së tha se zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë për partitë politike, por për qytetarët, të cilët do të vendosin kush do ti qeverisë.
“Ne po tentonim të hynim në një fushatë elektorale totalisht të çuditshme dhe të veçantë. Një pjesë e mirë e spektrit politik nuk ishte prezent. Ne do t’i hiqnim qytetarëve të Shqipërisë mundësinë që të votonin. Zgjedhjet nuk janë për partitë politike, në radhë të parë zgjedhjet janë për qytetarët, të cilët një herë në katër vjet, kanë të drejtën që të zgjedhin ata që do ti udhëheqin. PDIU bëri gjithçka që kjo të mos ndodhte dhe në zgjedhje të hynin të gjithë forcat politike. Mazhorancat apo pakicat nuk i bëjnë paktet, mazhorancat dhe pakicat i bëjnë qytetarët. Prandaj, unë ju ftoj që të votoni PDIU-në, bëhuni pjesë e politikës, mos rrini larg saj. Ushtroni të drejtën e votës, zgjidhni ata që ju bëjnë krenar dhe zgjidhni ata që kanë ruajtur identitetin. Ne kemi kërkuar të garojë çdo parti më vete. Ne kërkuam që të kishim një propocional kombëtar, që votat e partive të numëroheshin për gjithë Shqipërinë dhe më pas të përcaktoheshin mandatet. Unë e di që ne padrejtësitë historike na kanë ndarë në 5 shtete, por nuk e di pse na kanë ndarë në 12 qarqe brenda Shqipërisë. Kemi kërkuar që të kemi një zonë zgjedhore, një propocional kombëtar dhe që çdo parti paralamentare të kishte një numërues. Është një rast i artë për PDIU-në që do të garojmë të vetëm. Ne do të jemi partia që jo vetëm do ketë grup parlamentar, por do jemi përcaktues edhe për qeverinë e re. Unë ju ftoj që të votoni PDIU-në, sepse ne kemi Veç një Atdhe!”, – u shpreh Idrizi gjatë takimit me banorë të njësisë nr.5.
Deputetja Mesila Doda kundërshtoi nismën e dy partive, të cilat detyrojnë televizionet të transmetojnë reklama falas.
“Është diçka që nuk u shërben mediave. Me një pakt mes dy partive politike u ra dakort që edhe televizionet private duhet që të transmetojnë reklama falas për të gjitha partitë politike. E dini çfarë do të thotë kjo? Nesër ata mund të vijnë në shtëpinë e secilit prej nesh dhe të thonë që kjo shtëpi është e imja sepse na duhet për seli partie. Kjo është këmbana e parë e alarmit, kur dy forcat politike duan të sekuestrojnë pronën e tjetrit. Ky nuk është standard demokratik. Mediat kanë nevojë për mbështetje dhe ju duhet të respektoni pronën private të secilit“,- tha kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së.
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/1515731938466530/