Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ulen në një tryezë, në mënyrë që të nisë zbatimi i reformës në drejtësi.
Në një takim me strukturat e PDIU-së në Elbasan, Idrizi shprehet që nuk duhet të lejojmë asnjë forcë politike në pushtet apo opozitë që të zënë peng integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Ftesa ime shkon në atë që ne kemi kërkuar si forcë politike, nevojën për një pakt kombëtar me vetëm dy pika: Reformën në drejtësi dhe integrimin e vendit. Një pakt që askush nga forcat që kalojnë në pushtet apo opozitë, të mos munden ta zënë më peng, sepse jemi të lodhur nga shkopinjtë nën rrota që i vihen integrimit të vendit, në bulevarde që zihen ç’do katër vjet, nga rrugë kombëtare që bllokohen dhe nga goma që digjen. Kërkojmë një rrugë për të zgjidhur nyjen gordiane ku është futur vendi, e kjo rrugë duhet të gjendet patjetër për të mirën e vendit.
Ne mbështesim pa kushte reformën në drejtësi, mbështesim integrimin e vendit dhe nevojën jetike për një pakt kombëtar. Gjithë forcat politike të mblidhen dhe të institucionalizojnë tryezën e partive që merr vendime dhe të shprehen për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Të shprehen edhe personalisht, kushdo që e do të ardhmen e këtij vendi, cilido që e ndjen se është peng i krimit, i korrupsionit, diktatit që inspiron vetëm lirinë e tij dhe të tjerëve, cilido që e do të mirën e këtij vendi.”- shprehet Idrizi.
Lidhur me ikjen e shqiptarëve dhe braktisjen e atdheut, Idrizi shprehet se PDIU ka marrë përsipër të luftojë me çështjen kombëtare, me ndarjen nga e kaluara dhe respektimin e familjes.
“Sistemi i drejtësisë, ai që duhet të ishte sistemi imunitar i shoqërisë sonë, lëngon ditën për diell, e sipas rastit politika herë e sulmon dhe herë i thotë të jetë i pavarur, në varësi të situatës apo pushtetit politik. E vërteta është një dhe vetëm një, ne kemi dështuar të ngremë një sistem demokratik, efikas e të drejtë për qytetarët tanë. Sot shqiptarët janë më të demoralizuarit se kurrë, kjo dhe vetëm kjo është arsyeja e ikjes së tyre, braktisjes së atdheut, sepse nuk kanë më shpresë dhe në këtë mungesë shprese, të gjithë jemi palë, dikush si agressor, dikush si kontributor e dikush si oportunist me heshtjen e vet. Në të vërtetë këtë peshë e ka marrë përsipër PDIU që lufton për çështjen kombëtare, për ndarjen nga e kaluara dhe respektimin e familjes, e që e ka tejkaluar çdo ndasi partiake në bashkëpunimin e saj”, – tha kryetari i PDIU-së.
Ndër të tjera Idrizi shprehet që politika herë e sulmon drejtësinë, herë thotë se është e pavarur prandaj sipas tij duhet të jepen garanci që ky sistem nuk do të manipulohet më.
“PDIU i jep të gjithë votat e saj për reformën në drejtësi. Garancitë që kërkohen për mosmanipulimin e sistemit do të duhet të afrohen ndaj më të dobëve dhe së bashku të bëjmë të mundur përmisimin e kësaj situate. Do të duhet ta bëjmë që ti zbardhim faqen vetes, këtij parlamenti që ka ofruar një panoramë kaq të keqe për qytetarët, e mbi të gjitha për veten tonë. Nuk do lodhem kurrë së pësërituri, kemi veç një Atdhe dhe nuk mundet njërin ta djegim, tjetrit ti vëmë flakën, tejtrin ta kapim peng, e një tjetër akoma ta lëmë të zhvillohet” –tha kryetari i PDIU-së.
Sa i takon rolit të ndërkombëtarëve, Idrizi theksoi se ata vrasin mendjen se çfarë duhet të bëjnë në këtë vend, për shkak se përsëri reforma në drejtësi është bllokuar.
“Sot ndërkombëtarët vrasin mendjen se çfarë duhet të bëjnë në këtë vend në zemër të Europës, pro perëndimit si askush në rajon, i dashuruar shpirtërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na konsiderojnë organikisht si një vend i dashur e mbrojtës në arenën ndërkombëtare, por që ka një klasë politike për turp, sa herë duhet të bëjnë diçka të mirë për vendin. Kemi një politikë që pjell kriza sa herë që dikujt i teket të personalizojë politikën, kemi pushtete që sa vijnë e bëhen më arrogante. Kemi një fuqi kriminale që rritet në progresion gjeometrik, e para së cilës shteti shpesh ndjehet i mundur dhe i shpartalluar.”- shprehet Idrizi.
Po kështu kryetari i PDIU-së kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë më shumë në ekonomi. Sipas Idrizit duhet të bëhet më shumë edhe për shqiptarët që janë jashtë kufijve prandaj sipas tij është e nevojshme që të krijohet Ministria e Diasporës.