Një 57-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës. 57-vjeçari u arrestuar pasi hyri në kufi në mënyrë të paligjshme, kundërshtoi punonjësit e Policisë Kufitare dhe u rrezikoi jetën duke u larguar me shpejtësi me motomjet.
U arrestua personi i identifikuar me iniciale Th. K., 57-vjeç, rezident në Greqi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
57-vjeçari, i cili ishte duke drejtuar motomjetin tip “Kawasaki”, është konstatuar nga punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët i kanë komunikuar se do të shoqërohej për veprime të mëtejshme procedurale. Th. K., ka kundështuar punonjësit e Policisë dhe është larguar me shpejtësi me motomjet duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, njëri prej të cilëve ka marrë dëmtime të lehta.
Menjëherë nga shërbimet e DVKM Gjirokastër është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i 57-vjeçarit, i cili nuk ka pasur as dokumentacionin e nevojshëm, për drejtim të motomjetit.