Me kalimin e orëve, sipas disa mediave prestigjoze italiane bëhet edhe më serioz lajmi, që trajneri i përfaqësueses sonë, Xhani De Biazi, është kandidaturë reale për të pasuar Antonio Konten në stolin e Italisë. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të ishte historike edhe për ne, pasi një trajner shqiptar do të drejtonte një nga përfaqësueset më të titulluara të globit. Siç të gjithë e ditë, prej kohësh tekniku ka aplikuar, si dhe e ka fituar të drejtën e nënshtetësisë shqiptare, madje megjithëse këtu nuk e detyruan ta ndërronte emrin zyrtarish, filluan ta quanin edhe Gani Abazi, gjë që duket se i pëlqeu.
Sipas “Sportmediaset” për presidentin e Federatës Italiane, më i parapëlqyeri është Fabio Kapelo, por ky i fundit nuk ka vendosur ende për të marrë drejtimin e Kombëtares “axurre”. Ndërkohë që kandidaturën e De Biazit e mbështet fort presidenti i Lega Pro, Paskuale Gravina dhe jo vetëm. Tashmë po përmendet gjithmonë e më tepër, se që pas datës 7 mars, kur trajneri ynë u takua me presidentin e FIGC, Tavekio, mes tyre ka pasur telefonata të shpeshta.