Nga Artan Fuga
“Po të rrëfej se çfarë më ka ndodhur një natë dimri në Madrid, kur, siç e di, kisha vajtur ca muaj për një specializim.”
Miku im kishte dëshirë të mos e mbante për vete atë ngjarje.
“Atë mbrëmje dola nga hoteli afërsisht aty nga mesnata. Nuk kisha gjumë. Ishte një natë me dëborë. Por, temperaturat nuk ishin shumë të ulta. Ecja nëpër rrugë i vetmuar. Nuk kishte pothuajse këmbë njeriu. Pasi i rashë qark një sheshi, kalova në një rrugë anash shinave të trenit dhe m’u shkrep në çast të haja diçka. Cili lokal mund të ishte mbetur i hapur në atë orë? Pasi solla ndër mend të gjitha mundësitë, u kujtova se aty pari kishte një McDonald. Është familjar dhe i ngrohtë një restorant McDonald, sidomos në dimër, sidomos kur je vetëm dhe nuk ke gjuhë. Ka diçka fëmijërore brenda hapësirave të tij, gëzim atje japin edhe të rinjtë që shërbejnë në sportele.
Ecja në drejtim të cepit të rrugës ku ndodhej restoranti, kur befas para meje pashë një njeri të veshur me një xhup të gjerë, kokën e mbuluar me kapushon, tërhiqte pas vetes një karrocë mbushur me letra. Karroca dy herë rresht për pak i rrëshkiti dhe i iku nga dora. Ngecte në dëborë ose në cepa trotuaresh. Pas çdo ngecjeje, njeriu fillonte të fliste me zë të lartë : “Joooo, kjo nuk është e mundur, ta marrë djalli!” Nuk kuptohej se cilin shante. Por, nga zëri e kuptova se ishte një grua, një e pastrehë, nga ato që ose flenë rrugëve, ose në dimër qendrojnë në qendra strehimi hapur nga bashkitë ose shërbimet sociale të qytetit, ose kanë me qira të vogël apo falas ndonjë kthinë ofruar nga bashkia.
Ajo hyri në McDonald para meje. U ndodhëm sëbashku para sportelit. Unë porosita një akullore me karamel, ajo një sanduiç të madh me mish pule.
Flokët i kishte të rralla. Fytyrën e rrumbullakët. Sytë e zinj disi me majucë i ngjanin si me një trashëgimi aziatike. Ezmere në fytyrë. Fliste një spanjishte të pastër. Duhej të ishte aty te gjashtëdhjetat. Fije të thinjura i binin mbi fytyrë. Ishte e lagur. Xhupi stërmadh dukej që i ishte falur nga dikush. Por, për çudi nuk kishte aroma trupi nga papastërtitë.
Të pastrehët nuk kanë ndrojtje të të drejtohen duke thyer çdo distancë që kanë mes tyre njerëzit e panjohur. Ajo m’u drejtua fillimisht pak me ndrojtje : “Zotëri, kujdes se po ju bie peceta nga tabakaja!” E falenderova pak ftohtë. E dija se zakonisht këta njerëz nga halli pas dy a tre fjalive të shkëmbyera të kërkojnë ndonjë pare ose t’u paguash diçka për të ngrënë. Por, unë atë natë isha i mbyllur në veten time. Nuk ja kisha ngenë.
Ajo vazhdoi të fliste dhe unë qendroja i heshtur. Në lokal ishim vetëm ne të dy si klientë. Nuk kisha sesi t’i shpëtoja. Fliste pa lidhje dhe më shihte në sy. Për mirësjellje i aprovoja me vështrim ato që thoshte, por nuk flisja. Nuk doja të vendosja ura komunikimi.
“Ftohtë:” – tha.
“Ftohtë;” – ia prita unë me vështrim duke ngritur pak supet.
“Dhe në këto orë të natës, vetëm, për ne ka edhe rreziqe.”
E pashë dhe vështrimi iu duk se e pyeti se përse e kishte fjalën.
“Ka nga këta të pastrehët si puna ime që janë agresivë. Më pak kur nuk të njohin, dhe më shumë kur e dinë kush je.”
I interesuar për agresivitetin në shoqëritë bashkëkohore, shikimi im ishte bërë kurreshtar.
E pastreha mori vrull: “Të vrasin zotëri!”
Shikimi im dukej se ishte bërë i papërmbajtur. E pastreha kishte frikë se e vrisnin. Po kush? Cfarë do t’i vidhnin asaj? Kush e donte xhupin e saj? Kush i donte letrat që kishte mbledhur në karrocë?
Ajo nuk kishte nevojë që t’i flisje. Ajo dukej se e ndjente intuitivisht kur njeriu pranonte që ajo t’i fliste. Kishte nevojë të shprehej, të komunikonte. Kishte gjetur një njeri që pranonte ta dëgjonte. Unë kisha gjetur një njeri që po më fliste për frikën nga vdekja në shoqëritë bashkëkohore. Një temë që më interesonte dhe më kishte bërë të varur jo vetëm mendërisht por edhe psikologjikisht.
Të tjerë të pastrehë, të cilët ende nuk kanë gjetur zgjidhje nga bashkia, nga kisha, apo nga shoqatat e bamirësisë, të cilët ende flenë te qoshja e rrugës, presin të lirohen kthinat e vogla që kemi zënë ne fatlumët. Vdekja jonë u intereson në mënyrë jetike, sëmundjet tona. Unë u ruhem atyre.”
Sytë e mi digjnin nga brenda. Me siguri nga jashtë duhej të ishin të shndritshëm dhe i shfaqnin dëshirë që ajo të fliste.
E pastreha vazhdoi. Ajo nuk kishte nevojë që t’i përgjigjesha. Fliste me një trup të heshtur, sikurse e shihja veten nga jashtë, por ajo nuk gabohej kur imagjinonte ndofta se brenda meje kishte gjetur një bashkëbisedues të zjarrtë.
“Më duan vdekjen – tha. Dy rruga ka. Ose të shtohen kthinat për ndihmë sociale për ne që nuk kemi mundësira për të gjetur vetë një strehë, ose të vdesin disa prej nesh. Rruga e parë është e ngadaltë. Të ngjashmit tanë nuk mund të presin aq gjatë. Mbetet të m’a nxijnë jetën mua. Kur kthehem në strehën time kaloj nëpër kalvar mallkimesh që ata më lëshojnë që nga poshtë mbulesave me të cilat janë mbështjellë aty poshtë ballkoneve. Kam frikë se mos më godasin.
Më e keqja janë magjitë. Sidomos gra të pastreha më bëjnë magji që të më kapi ndonjë sëmundje e keqe. Kam gjetur minj të ngordhur vendosur në rresht te shkallët e hyrjes së banesës. Kam gjetur bohçe me pëlhurë të zezë mbushur me thonj macesh. Por, më kanë thënë që magjia ecën me kusht që të zihet me flokët e mi. Prandaj bëj kujdes flokët. Mos më gjejnë fije për tokë.
Midis nesh mbisundon ndjenja e frikës ndaj njeri-tjetrit zotëri. Të gjithë i urojmë vdekjen njeri-tjetrit. Ndofta ju kur kaloni pranë nesh kujtoni se në vështrimet tona ka urrejtje, cmirë, zemërim ndaj jush. Gaboheni zotëri. Ne nuk na lejon frika që kemi mes nesh të pastrehëve për t’u marrë me ju. Ne kemi konkurrencë me njeri-tjetrin se cili prej nesh qendron në jetë e cili jo. Jeta ime mbështetet te vdekja e tjetrit. Dhe dëgjomë mirë mua, kam qenë inxhinjere kimiste unë, paçka se jeta e solli që të përfundoja pa strehë, e vetme, e braktisur, pa punë, pa të ardhura. Nga ju te unë një hap e ndan. Një shkarje këmbe.
Kam frikë nga magjia e zezë që kërkon jetën time.”
E kisha kuptuar shumë mirë. Kisha përfunduar akulloren time me karamel. Ajo ende nuk kishte vajtur te gjysma e sanduiçit të saj. U ngrita të ikja me ndrojtjen që në atë çast, më i bezdisshmi në kësi rastesh, ajo do të më kërkonte diçka. Por, aspak. Ajo nuk foli fare. Kishte dinjitet. Në atë çast mendova se ajo ishte një zonjë. Jo kushdo-sido. Ajo ishte nën magji të përhershme. Reja e magjisë e mbulonte kudo që shkonte. Sikundër ne që kemi telefona mobilë jemi të mbuluar me sinjal – themi. Ajo meritonte të ndahej në atë orë nate dimri në qytetin e madh, si dy njerëz: Natën e mirë, zonjë – doli nga goja ime. Hapa derën, zhyta qafën në jakën e palltos, futa duart në xhep dhe nisa të hedh hapat me kujdes në dëborë.