Nga Frrok Çupi
Gjyqi i famshëm i Nurembergut po vjen rrotull, si një ré që lëshon hije mbi dhé. Vjen rrotull dhe i bën njerëzit që të shpresojnë, si bujq të mirë, se “Zoti po sjell berqet”. Njerëzit, të pashpresë se mund të fitojnë diçka të mirë për vete, të paktën shpresojnë që “Zoti” të sjellë burgosjen e atyre që bënë të keqen e madhe për ta. Në kohën e gjyqeve të Nurembergut, njerëzia e sapo dalë nga Lufta e tmerrshme e Dytë Botërore, ngriti kokën kur një gjyqtar britanik, Norman Birkett, guxoi të dënojë njerëz të pacënueshëm.
A shpresojnë njerëzit sot kaq shumë? Apo të njëjtën gjë?
Thuajse si atëherë, viti 1945, as sot njerëzit nuk presin që fajtorët e mëdhenj t’u lëshojnë nga qielli ndonjë të mirë. Jo, nuk pritet që këta të sjellin, por shembull, pasurinë e vjedhur nga popujt, as të ngjallin mijëra të vrarë; njerëzit presin veç pak gjë: T’i shikojnë fajtorët në gjyq! Këtu në Shqipëri, në një provincë të botës së madhe, ku njerëzit mjaftohen me burgosjen e tjetrit, edhe qeveritë luajnë me këtë cilësi të keqe “popullore”. Po flitet prej kohësh për “burgosje” nurembergase. Edhe burgosjet do t’i kryejë Amerika!, sipas shpresuesve.
Ky është “Nurembergu” që vërtitet si një re mbi kokat e njerëzve. Herë si shpresë e herë si zhgënjim; herë në një kontinent e herë në një tjetër; herë në një shtet e herë në një provincë. A do të ketë të burgosur?- kjo është pyetja. Me sa duket ka kaluar shumë kohë që nga Nurembergu, dhe ky kthehet si një fantazmë mbi një botë të ngarkuar me fajësi.
Kaq e dobët kjo botë sa brenda gjysmë shekulli të ketë konsumuar gjithë energjinë e vet korrektuese dhe t’i drejtohet mjetit të fundit!? Burgu është pafuqia e Demokracisë ose lodhja prej tiranësh të pashpirt.
Në Shqipëri kërkohet burg për më të varfërit, për ata që nuk kanë me se të paguajnë të drejtën dhe lirinë. Kush nuk ka të paguajë dritën elektrike dhe taksën për faturat, këta thërriten për në burg. Ndoshta është edhe frika e qeverisë prej vetvetes: Këta që vjedhin miliona e shikojnë projeksionin e vet te njeriu i varfër dhe këtë e zhdukin nga sytë. Edhe ky një sindrom nurembergas është.
Në pjesët e tjera të botës, sidomos aty ku qytetërimi është më lart, po kërkohet burgosja e liderëve. Në Amerikën e lirive të mëdha, dje dhe pardje, në Kongres është kërkuar fajësimi penal i kandidates për presidente të Shteteve të Bashkuara, njëra nga dy Klintonët e pushtetshëm. Natyrisht që nuk do të ketë burg, por të paktën të caktohet fajësia. A do të ndodhë? Shefi i FBI, i marrë në pyetje, nuk e hodhi poshtë, por deklaroi se “kjo iu takon votuesve ditën e 8 Nëntorit”.
A do të burgoset Tony Blair? Blair është njeriu i hekurt i luftërave të fundit në Lindjen e Mesme; në Shqipëri e Kosovë ka disa këngë folklorike dhe emra femijësh dedikuar “heroit”. Bota ka përqendruar vëmendjen në tribunat dhe tribunalet e Londrës me pyetjen e thjeshtë se a do të burgoset ai. Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe urdhëroi sulmin mbi Irak mbi bazën e një gënjeshtre, sikur Iraku kishte armë të shfarosjes në masë. Ky është krimi që po gjurmohet sot. “Natën e parë të bombardimeve, ne gazetarët në Irak, u veshëm me kostume dhe maska kundër helmeve të zhdukjes në masë… Por pas disa orësh i hoqëm fare dhe nuk i veshëm më”, shkruan Bernardo Valli, një reporter lufte i gazetës “La Republika”. Ndoshta është shumë pak të citohet një reporter lufte; vetë Parlamenti i Anglisë ka lëshuar një raport me dymilionë fjalë, në 12 volume, (aq sa “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit ironizojnë mediat), ku përshkruhet gjithë lufta e padrejtë e urdhëruar nga Blair. Familjarët e 200 britanikëve të vrarë në luftë sot janë në rrugë dhe kërkojnë arsye për luftën e paarsyeshme. Në atë luftë u vranë edhe 4500 amerikanë dhe 140 mijë irakenë. Shumë analistë po e krahasojnë me krimet e Luftës së Dytë. Lufta e Dytë solli komunizmin, ndërsa lufta e Irakut solli terrorizmin!, sipas studimeve. Blair ka deklaruar dje se “pas lufte njerëzimi ndjehet më mirë”. Sikur të lihej lufta mbi njerëzimin në dorë të të vullnetit të dikujt, atëherë bota do të kishte një fund në burg. Se çfarë më shumë se kaq kreu Hitleri, ai vetë e përcaktoi racën superiore dhe tha se bota do të jetë më mirë pas shfarosjes. Prandaj ishte Nurembergu
Hija e Nurembergut nuk bie veç mbi Londër.
Kush do të burgoset për çfarë?…. Për 41 viktimat e aeroportit të Stambollit? … për viktimat e sheshit të Ankarasë?… për qindra të mbytur në detin Egje e në ishullin Lesbos teksa marrin rrugët e migrimit? Në Buksel mbetën 30 të vrarë dhe 230 të plagosur. Në Luisiana dhe Minesota policia vrau dy njerëz të pafajshëm me ngjyrë; dje në Dallas morën hak dhe vranë pesë oficerë policie. Njerëzit u kthyen në vetgjyqësi, sepse nuk po shikonin derën e burgut për fajtorët. Kudo, më duket, ka fajësi dhe vrasje. Në Krime ku nuk ka evidenca… Në Kore ka një fshehje totale?
O ka rënë energjia e rendit botëror për të menaxhuar të drejtën, o është kapërcyer guximi i qeverive për të bërë gjithçka mbi popullin?
Nurembergu ka mbetur veç një hije.
Nuk do të ketë asgjë, asnjë lajm të mirë se grupi i të këqinjve u burgos?! Nuk pritet asgjë?… Përderisa dënimi shtrihet e lëviz si ré’ kështu mund të jetë. Jo se pas Lufta ishte më e mirë; jo se disa mendojnë se atëherë kishte drejtësi e tani nuk ka! Por veç për arsye se Nurembergu atëherë nuk vërtitej mbi kokat e njerëzve, por në këmbë të tyre.
E di çfarë dallimi ka kjo!?
Se tani reja kalon nga Anglia në Shqipëri, nga Amerika në Stamboll, nga Italia në Krime… Secila prej këtyre është në distancë e veç të tjerave. Edhe Tirana që mendohet se “është me Amerikën”, në fakt nuk është. Këta thonë se Amerika do t’i burgosë fajtorët “për të na dhënë drejtësi” ne të tjerëve në tokë… Pak e besueshme kjo! Po të ishte vërtet e besueshme, atëherë populli do të mblidhej rreth selisë së “Gjykatës Supreme të Nurembergut”. Por nuk ka pikë entuziazmi, në radhë të parë pse reforma e Drejtësisë iu besohet atyre që duhet të jenë në sallën e gjyqit… Kjo nuk ndodhi në vitin ‘45. Në vitin ‘45 fajtorët e mëdhenj u dënuan brenda dhjetë muajsh (dyqind Nazistë dhe qindra të tjerë u dënuan nga Nëntori 1945 deri në tetor ‘46). Këtu kemi dy vjet që flasim për një Reformë. Drejtësia vërtitet veç si hije e zbehtë. Edhe në Londër ka zgjatur që nga viti 2003. Aty, që atëherë Blair u konsiderua një vrasës; por veç raporti i Sir John Chilcot që sapo doli në dritë, dëshmon se Lufta mbi Irak kishte qenë një krim.
Ka një dallim të madh, tjetër:
Reja e ndëshkimit vjen lart e poshtë, sa në një kontinent në tjetrin. Në vitin 1945, kur si sot, njerëzit kërkonin ndëshkim, kishte veç një kontinent. Të gjithë alatët u bashkuan në një “kontinent”, që nga Londra, Uashingtoni, Moska… Reja që vërtitet sot me pamje sikur “po gjurmon krimin”, po e fsheh krimin. Sapo njofton se ndodhet në Bosfor, krimi vret në Amerikë. Dje, u njoftua se Londra është Nurembergu; por një “kontinent” tjetër kthehet në strehë për krimin… Bota, kundër krimit, nuk po kthehet në një planet të vetëm. Bota është e copëzuar dhe po krijon enklava për Mr. Krimin.