Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi nga foltorja e Kuvendit ka ngritur shqetësimin për kolapsin në sistemin gjyqësor, për shkak të grevës së avokatëve.
Korreshi kritikoi hartën e re gjyqësore, ndërkohë që qytetarët nuk po marrin shërbim. Sipas deputetit demokrat, kjo hartë po bëhet për t’ju shërbyer gjyqtarëve, pasi siç thekson ai të gjithë duan të vinë me shtëpi në Tiranë.
“Parlamenti është bërë si han pa porta. Kjo reformë është në fill i vjetër vetëm se kanë ndryshuar aktorët. Sot avokatët janë në protestë. Për këtë reformë në drejtësi për mënyrën si po e konceptoni këtë reformë. Sot kanë qenë në dyert e KLGJ të gjithë avokatët. Njerëzit nuk po marrin shërbim, janë bojkotuar të gjitha seancat. Ju nuk i dëgjoni. Vini këtu dhe i ndani fletë lavdërimi. Ku janë këto fletët? Si mund të jepet në këtë lloj forme. Sepse ju futët një drejtësi me gogla. Kjo reformë dështoi që në hapat e parë dhe e tillë do të përfundojë. Ju kuptuat sesi mund ta çoni këtë sistem në kolaps sepse i interesonte kryeministrit. Prej vitesh GJK nuk ishte funksionale. Ai sistem drejtësie që ju e bëtë çorap në këto 6 vite po mundoheni ta qepni. Nuk mund të konceptohet vetëm një gjykatë apeli kur ju plasi bomba te gjykata e apelit administrativ. Ju po eliminoni gjykatat e rretheve, është qesharake. Sistemi është në kolaps. Ju po e ktheni shërbim ndaj gjyqtarëve sepse të gjithë duan të vijnë me shtëpi në Tiranë. Mund të kthehet një sistem drejtësie me shtëpi në Tiranë. Po ne qytete e vogla nuk meritojmë një sistem në drejtësi”, tha Korreshi.