Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka mbajtur fjalën e tij në komisionin e Ligjeve ku po diskutohet lidhur me deklasifikimin e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë mënyrë synohet të ngrihet një komision për verifikimin e pastërtisë së politikanëve duke konfirmuar ata të cilët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.
Duke nënkuptuar rastin e kryetarit të partisë së Lirisë, Ilir Meta, Alibeaj tha se ky veprim ishte i domosdoshëm për të bërë të mundur që të hiqej psikoza e shantazhit politik.
“Ky lloj skepticizmi nuk është i vërtetë, askush nuk ka kërkuar hakmarrje dhe as shpërblim, thjesht interesi permanent për të vërtetën. Ka ngelur psikoza e shantazhit, shoqëria shqiptare ka ngelur në gjurmën e subkoshiencës që ishte një situatë jo e mirë moralisht e neveritshme ajo se çfarë ka ndodhur përgjatë periudhës së sistemit komunist. Prandaj kjo konsiderohet edhe sot si një vlerë e pamoralshme. Psikoza e shantazhit nëpërmjet dosjeve e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare në këto 30 vite dhe është përdorur edhe për luftën politike. Nuk dua të vendos gishtin tek askush. Por ndodh që shantazhi politik me dosjet është i pranishëm në tryezën politike. Ne besojmë se duhet të çlirojmë shpirtrat e funksionarëve të shtetit, që edhe ata të jenë të çliruar. Për këtë arsye, mjeti besojmë se është deklasifikimi i dosjeve. I heqim nga dora e shantazhuesve, mjetin me të cilin bëjnë shantazh”, u shpreh Alibeaj.
Komisioni i Ligjeve ka nisur sot diskutimin e dy nismave të deputetëve për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të certifikatave të pastërtisë për personat që kandidojnë në institucionet kushtetuese.
PD përmes Enkelejd Alibeajt ka propozuar që të hapen të gjitha dosjet e ish-Sigurimit nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes vendeve dhe atyre që cënojnë sigurinë kombëtare.