Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë këtë të enjte rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Paralelisht me këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të Veliajt për liri. Kushtetuesja ka kërkuar që në vendimin e ri të argumentohet nëse masa e arrestit me burg është proporcionale me funksionin publik që ai ushtron si kryebashkiak i Tiranës.
Në fokus të shqyrtimit do të jetë edhe balanca mes masës së sigurisë dhe të drejtës së Veliajt për të ushtruar mandatin e fituar përmes votës. Gjykata e Lartë duhet të japë argumente konkrete se përse nuk duhet të prevalojë e drejta për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar detyrën si kryebashkiak, përballë një mase kaq kufizuese.
Pas rikthimit të çështjes në duart e saj, trupa gjykuese duhet të argumentojë gjithashtu pse masat alternative të sigurisë nuk konsiderohen të mjaftueshme në rastin konkret. Kjo kërkesë mbështetet edhe në vendimin unifikues të vetë Gjykatës së Lartë të datës 4 maj, lidhur me praktikën e masave të arrestit.
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg prej 10 shkurtit 2025. Ndërkohë, SPAK ka dërguar prej pesë muajsh kërkesën për kalimin e dosjes në gjykim. Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.










