Nga Auron Dodi
Parashikimi se Gjermania do të ketë rritje më të mirë ekonomike këtë vit bazohet kryesisht në faktorë të jashtëm botërorë. Kjo pasi dihet që ekonomia gjermane është shumë e varur nga suksesi i eksporteve të mallrave gjermane. Dhe problemet aktuale që ka ekonomia gjermane nuk janë të tilla sa të përjashtojnë një zhvillim më të fuqishëm të ekonomisë, edhe 14 vjet pas rritjes së vazhdueshme të prodhimit ekonomik në Gjermani.
Ishte ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Peter Altmajer ai që deklaroi në ditët e fundit të vitit 2019 se “qartësia më e madhe për Brexitin”, do të ndikojë pozitivisht për ekonominë gjermane. Në Gjermani kanë besim, se qeveria e Boris Johnsonit, me shumicën e fortë që ka në parlament, do t’i japë fund periudhës së pritjes pezull për të gjithë, pra edhe për sipërmarrësit gjermanë. Një faktor i dytë shpresëdhënës lidhet me deklaratën e Vitit të Ri se SHBA dhe Kina do të nënshkruajnë në mes të janarit një marrëveshje tregtare. Kjo shpresohet se do të ndikojë në shtensionimin e marrëdhënieve tregtare botërore, edhe të Kinës me shtetet e tjera. Tarifat e vendosura doganore, në plan afatmesëm, e godasin kudo mirëqënien.
Sfidat kryesore të ekonomisë gjermane
Njëkohësisht, sfidat për ekonominë gjermane mbeten të njëtja. Katër sfida vështrohen aktualisht si kryesore për ekonominë gjermane: së pari, digjitalizimi i procesit të prodhimit. Këtu Gjermania ecën ngadalë deri tani. Shkaku ka qenë kryesisht skepticizmi te sipërmarrjet e mesme.
Së dyti është kalimi te automjetet elektrike. Nuk ka rëndësi që ke shpikur automjetin e parë me motor me djegie të brendshme, më tha një menaxher i Daimler-Benzit një ditë. “Sot të gjithë duan të ndërtojnë automjete elektrike. Madje edhe Google dhe Apple bëjnë teste për automjete pa drejtues”.
Sfida e tretë është deglobalizimi. Ka humbur shumë besimi në proceset ndërkombëtare. Dhe kjo ndihet edhe në Gjermani. Ka një rënie të dukshme të besimit te fuqia detyruese e kontratave ndërkombëtare. Një ekonomiste e Deutsche Bank tha se sipërmarrjet mund të mbështeten tani më pak në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, se sa vitet e kaluara. Kjo mund të bëjë që vendet e punës të krijuara jashtë të tërhiqen më fort në Gjermani e Evropë.
Sfida e katërt është reduktimi i emisioneve të dioksidit të karbonit. Kjo nuk është sfidë vetëm për automjetet gjermane, por për gjithë ekonominë.
Vitin e kaluar Gjermania pati rritjen më të ulët ekonomike në Eurozonë. Me 0,5 përqind mendohet se u rrit prodhimi ekonomik i Gjermanisë në 2019-ën. Kjo ndonëse në fillim të vitit pritej një rritje prej 1,8 përqind. Vetëm Italia e zhytur në borxhe pati rritje më të dobët ekonomike se Gjermania. Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung, lokomotiva gjermane e rritjes u rreshtua kështu brenda një kohe të shkurtër në fund të autokolonës së kombeve të mëdha të industrializuara. Me përjashtim të viteve të krizës 2012-2013, kjo ishte rritja më e ulët ekonomike prej recesionit të gjerë të vitit 2009.
Në Gjermani u krijua dyfishi i vendeve të punës të Eurozonës
Në tregun e punës gjendja vazhdon të jetë e mirë. Kur lexon shifrat që publikohen këto ditë e kupton edhe më mirë burimin e raportimeve mediatike thuajse vetëm pozitive për zhvillimin e Gjermanisë; ato janë shpjegim edhe se pse Gjermania vazhdon të dallohet si magnet për shumë të huaj, që duan të vijnë të punojnë në Gjermani. Sipas të dhënave të Frankfurter Allgemeine Zeitung, nga viti 2007 deri vjet në Gjermani janë krijuar mbi pesë milionë vende të reja pune. Ky është dyfishi i vendeve të reja të punës që janë krijuar në të gjitha vendet e Eurozonës së bashku.
Kurse numri i të papunëve për një kohë të gjatë, në fund të vitit 2019 ra për herë të parë në 700.000 vetë. Përballë 45,6 milionë të punësuarve me sigurime sociale vitin e kaluar. Megjithë lajmet negative në 2019-ën për perspektivat e ekonomisë gjermane, edhe sipërmarrjet e mëdha gjermane vazhdojnë të punësojnë me ritme të larta. Por nga ana tjetër është dyfishuar edhe numri i pushimeve nga puna, krahasuar me një vit më parë. Vjet ai arriti në 93.000 vetë.
Digjitalizimi dhe automatizimi – shkak për pushimet nga puna?
Si shkaqe për pushimet nga puna në sipërmarrje shpesh citohen digjitalizimi dhe automatizimi i proceseve të punës, që po avancojnë edhe në Gjermani.Por ekspertë të ndryshëm thonë se digjitalizimi i procesit të punës për momentin e ka shtuar punën, pasi edhe transformimi bëhet nga njerëzit. Pushimet nga puna sipas tyre kanë të bëjnë kryesisht me dy shkaqe: së pari me transformimin në industrinë automobilistike, me kalimin nga motori me djegie të brendshme në motorin elektrik. Ky proces është në fillim edhe në Gjermani. Por dihet që për motorin elektrik nevojiten më pak hapa pune se për motorin me djegie të brendshme. Kështu që pushime nga puna kanë bërë ndërtues të mëdhenj automjetesh si Audi, Volkswageni, Opeli, Fordi. Por veç tyre edhe firma furnizuese si Continental-i, Bosch-i, Schaefler etj. Shkaku i dytë për pushimet nga puna në Gjermani janë konfliktet tregtare në botë, si ai mes Kinës dhe SHBA dhe Brexiti.
Ndërsa në sektorin e shërbimeve në Gjermani, gjendja është e mirë dhe sipas ekspertëve pritet të përmirësohet edhe më tej. Në këtë sektor në Gjermani nevojiten që nga personeli sanitar e ai përkujdesës deri të mësuesit. Por shërbimet pritet të shtohen edhe në sektorin e transportit, p.sh. për mirëmbajtjen e skuterave elektrikë, që i sheh prej disa muajsh edhe në rrugët e Gjermanisë. Industria e ndërtimeve, artizanati dhe konsumi privat vazhdojnë gjendjen e nisur shumë të mirë.