Nga Ilir Seci
Hejsekur, qysh në fmininë e hershme kisha krijue nji bindje se nuk kishte artista ma origjinalë se artistat popullorë, artistat që rëndom thirreshin artista anonimë. M’u pat krijue kjo bindje krejt natyrshëm, vetëm duke kundrue mjedisin ku u rrita në Malsinë e Gjakovës. Duke u rritë mes orendive të kullës, kishe vërejte se shkamat me dru lisi, (stolat), ku uleshim, djepat e fmijve, furka e nanalokes, veki ku baheshin sixhadet, màgjia e bukës, fundat e bukës, bishtat e veglave të punës si kmesa, (kosorja), teslica, (sqepari), kosa, vegshi, çerepët, luga e drunit dhe bluda, të tana kishin zbukurime në to. Zbukurimet ishin ba në shumicën e rasteve me djegie, (pirografi), për orenditë dhe veglat prej druni ose shkrue në lloç, (baltë), para se me u pjekun në furrë në rastin e vegshave e çerepëve. Malsorët i gdhendshin e i zbukurojshin mjetet e përditshme të punës, i zbukurojshin orenditë shpiake, enët e kuzhinës ishin përplot ornamente. Zbukurimin e kërkonin gjithkund deri në skaje të atilla sa jo rrallë ndodhte që nuk mateshin dy herë me e ble dyfish një arme të lamè në sermë. Gdheńjen dhe zbukurimin e kam gjetë gjithëherë në lahuta e çifteli. Lahuta asht instrument i vjetër sa bota, prandaj në krye të saj asnjiherë nuk mungon kryet e dhisë së lashtë, simboli i Amaltës që me Tamlin e saj ushqeu Zeusin kërthi. Prandaj, nuk ka pse me u habitë kush që Homeri në shumë të dhana na vjen si kangtar me lahutë në dorë… Ndërsa në çifteli kishte gjithfarë simbolesh, zogj, lule, figura mistike, tana realizue në mënyrë të përkryeme me anë të djegies, (pirografisë), punë që kanë dashtë durim të paimagjinueshëm e mbi tana pasion të jashtezakonshëm. Të tana këto Malsori i bante pa asnji soj përfitimi, për Malsorin ishte marre, (turp), me shitë instrumente muzikore.
-“Paj qysh shitet kanga he u thafshin krahët?” – u pat thanë nji kangatar malsor në vitet ‘30-të, dy etnologëve irlandezë nga Amerika, që patën ardhë me regjistrue në gramafonë kangët e Malsisë së Gjakovës. Kur ata kambëngulën tue i thanë rapsodit malsor se ata donin me ia dhanë hakun e artit të tij dhe i kërkuen me ua dhanë nji çmim, Malsori i Kransiqes u tha:
-“Në më kallzofshi qysh me ia pague kangën zogjve të malit që këndojnë nëpër lisa, atëhere edhe unë pata me ua dhanë çmimin. Si me ia dhanë hakun e kangës Bylbylit të Malit që na e gzon zemrën? Qysh mujmë me ia pague shendin që na shtin në shpirt me atë kangë?”
Kur etnologet irlandezë ardh prej Amerike i thanë malsorit se kangët tash paguhen kudo nëpër botë, malsori u mërzit shumë, me dorë e shtyni plisin prej idhnimi, e la me ra teposhtë prej maje kreje si bjen orteku prej Majës së Hekurave…, gja që s’e kish ba kurrë në jetë të vet faqe tanë katundit e me za të shuem u tha:
-“Qebesa në pastë nisë me u pague kanga, atëhere ka me mbarue hijeshia e saj… Sot e shtatëqind vjet ma kangë nuk asht ajo qe paguhet.”
Fshani thellë e tha:
-“Mosni bre burra… Paj kanga nuk ka çmim. Njaq sa nuk ka çmim as jeta!”
Sa herë e kujtoj këtë ndodhi të diftueme nga pleqtë e Malsisë me giet se jam tue e pa si vuen ai malsor rapsod. Bukurinë, malsorët e kanë pa si pjesë të jetës, jo si qëllim. Sa herë më kujtohen dy gjyshet e mia, kur na bajshin çorape të leshta ne fmijëve, nipave e mbesave.
-“Qysh i do çorapet Nanalokjo? Kallzomë me çfarë lulash i do?”
E kurrë nuk përtojshin me na i ba sipas dëshirës tonë, asnjani fëmijë nuk i kish si tjetri, edhe kur ishim ka 12-15 fmijë. Çorapët mujshin me u ba ma lehtë me një lamsh njingjyrësh, por jo, Loket tona e dijshin se na jena fëmijë të ndryshëm e seicili me botën e vet, prandej e respektojshin shumë atë gja. E dijshin që tanë gjindja nuk janë njisoj. Në gdhendjet e drunit, ornamentet e veshjeve të burrave e të grave asht derdhë shpirti, në qilima e sexhade ba në vek, në çdo detaj ka mbrenda personalitet. Syni i artistit popullor ka ditë me ia dhanë mvetësinë çdo punimi. Në Malsi të Gjakovës diftohej njiherë se tre burra shkuen te nji kullë në Gegysen. I thirrën të zotit të kullës që kishte qëllue në arë dhe u gjegjet sojnikja. –“Hajde mirë se u ka pru Zoti e kjo ditë e lume!”
U jep ujë me pi e fill del te stomi i arës e thrret të shojn:
-“Hajde o burrë, se kanë ardh tre burra… Nja asht i Ptyçs, nja i Gashjan e nja i Berishës së përtej Drinit.”
Burri erdh e u fal me miqtë…
Miqtë të seritun i thonë sojnikes:
-“Na të tre njashtu jena vërtetë, nja i Ptyçs, nja i Gashjan e nja i Berishës së pertej Drinit… Pashë këtë ditë të sodit qysh na njofte kaq saktë!?”
-“U njofta prej çorapeve… Njofta zbukurimet e çorapeve që keni në kambë!”
Gjuhë e pagabueshme me u marrun vesh, pse ka shenjue gjeografinë shpirtnore të çdo fisi. Art popullor burimor, si kroni në krye të katundit… Gurgullon njashtu i pastër, i kthjellët, tue shue edjen e shpirtnave të thamun për me gjetë të bukurën. Ka nji pastërti në atë art burimor, sepse vjen nga fminija e njerëzimit, nga kohnat, kur Njeri dhe Natyra ishin nja dhe nuk ishin të ndamë…
***
Ma vonë në jetë më ra me e lexue Pikason që kish thanë:
-“Mu deshën katër vjet për me pikturue si Rafaeli, por mu deshtë tanë jeta për me pikturue si nji fëmijë.”
Për njatë natyrshmëni, për njatë çiltërsi që përçon arti i agshollit të njerëzimit e ka pasë fjalën mjeshtri i madh…