Policia e Kosovës nga 13 prilli deri më 16 prill është sulmuar pesë herë në veri të vendit, ndërsa sulme ndaj Policisë ka patur edhe të martën e 26 prillit.
Sulmet ndaj Policisë gjatë këtyre dy javëve kanë ndodhur me vendosjen e iriqëve metalikë në rrugë, gjuajte me gurë, madje janë përdorur edhe AK-47 dhe granata dore. Katër sulmet e para ndaj Policisë ndodhën nga 13 deri më 15 prill, për të pasuar sulmi i pestë të shtunën e 16 prillit.
Sulmi i fundit, i gjashti me radhë ndodhi të martën (26 prill), ku një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar të martën për Telegrafin se “Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”.
Ndërsa, në Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk janë përgjigjur në interesimin e Telegrafit për hetimet që po zhvillohen. Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në drejtim të Bërnjakut.
Deri tani nuk është raportuar për asnjë të arrestuar për sulmet ndaj Policisë, ndërsa institucionet janë kritikuar për mungesë serioziteti. Kritika për institucionet pati anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.
“Sidoqoftë, për motive politike apo kriminale, këto sulme kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës e tensionojnë situatën ndëretnike dhe ndërshtetërore. Çdo veprim që me dhunë i rrezikon zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës duhet të trajtohet dhe sanksionohet pa kompromis”, deklaroi Quni në një përgjigje me shkrim për Ën.
Ndërsa, Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se çështja e hetimeve është komplekse dhe mund të zgjasë, por se “zmbrapsje nuk do të ketë”.
Mes tjerash, Dugolli theksoi se “kriminelët herët apo vonë do kapen dhe do përgjigjen për këto krime të rënda terroriste”.
“Edhe sulmi i sotshëm sikurse edhe sulmet e mëparshme ndaj Policisë se Kosovës janë të drejtuara kundër rendit dhe qetësisë, kundër paqes dhe stabilitetit, janë kundër Kosovës. Veprimet e Policisë së Kosovës në vënien e rendit dhe qetësisë, duke luftuar krimin dhe kontrabandën do vazhdojnë”, shtoi ai.
Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti javën gjatë sulmeve të para ndaj Policisë kishte dhënë detaje nga sulmet.
Për reagimet ndaj Policisë ka pasur reagime të shumta nga vendorët dhe ndërkombëtarët.
Për sulmin në veri ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
“Për tri ditë resht, zyrtarë policorë të Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ardhur nga Serbia”, ishte shprehur Kurti.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sulmin ndaj Policisë e ka quajtur akt kriminal dhe të patolerueshëm.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se sulmet kanë për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit.
Pas sulmeve ndaj policisë në veri, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur organet e sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese.
Për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sulmet ndaj Policisë duhet të jenë alarm për të gjithë. Haradinaj në një postim në Twitter shkruan se krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike e etnike dhe se ai i rrezikon të gjithë.
Përveç zyrtarëve vendorë, sulmin ndaj Policisë e ka dënuar edhe Ambasada amerikane, Bashkimi Europian, OSBE-ja.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është shprehur thellësisht i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe gurë të hedhur ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit afër Zubin Potokut.
Ambasadori amerikan përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane e përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje shmangen spekulimet që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegraf.
Ndërkaq, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut.
“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagimin e tyre.
Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kishte reaguar edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është shumë i shqetësuar me sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të neveritshme, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhej në postimin e OSBE-së pas sulmeve të para ndaj Policisë
Lidhur me sulmin, ka reaguar edhe vet Sindikata e Policisë së Kosovës, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës në përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të saj.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka falënderuar Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. /Telegrafi