Rreth 700 persona nga veriu i vendit nuk do të marrin pjesë në votime për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.
Këta qytetarë, kryesisht shkodranë nuk mund të shkojnë tek kutia e votimit nga frika se hasmi mund t’i vrasë.
Personat e tjerë janë nga Tropoja, Puka, Lezha, Mirdita dhe Malësia e Madhe.
“Këta persona kanë frikë që të kalojnë pragun e derës nga frika se gjaksi mund t’i vrasë, ndaj në këtë mënyrë nuk mund të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre. Normalisht që ata kanë dëshirë që të votojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të lirë të Shqipërisë, por nuk mund ta plotësojnë dëshirën e tyre, sepse rrezikojnë të vriten. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me këto familje”, tha kreu i Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullani për “Gazeta Shqiptare”.
Ai u shpreh se ndryshe nga herët e tjera, kësaj here strukturat shtetërore nuk kanë ndërhyrë për të mundësuar që 700 personat në gjakmarrje të votojnë.