Empatia është një ndjenjë që shqiptarët nuk para e njohin. Dhembshuria, keqardhja janë të vështira në këtë tokë, kur megjithëse kemi shenjtore Nënë Terezën bëjmë pak për tjetrin. Bamirësia nuk është sporti më popullor i këtij populli, madje edhe atë mundohet ta manipulojë qeveria. Shfaqja e Edi Ramës nëpër kasolle skamnorësh ka vetëm këtë qëllim; lojën me keqardhjen që ky njeri e ka të nevojshme, po aq sa vesi. Fjala vjen, kur donte të akuzonte për shpifje mediat që i nuk i skojnë pas fijes përdori historinë e neveritshme për të birin, të cilën ia botonte Mero Baze që tani për hesap të tij akuzon banorët e Unazës së re që kanë 7 deri në 11 shtëpi të tjera.
Po kështu, Edi Rama që dje kërcënonte nga foltorja e Kuvendit Ramazanët që t’i hapnin rrugën dhe mos t’i dilnin përpara, ngulmoi të shkonte disa herë në spital të vizitonte policen e lënduar, Ina Nuku. Nuk harroi ta merrte kamerën me vete që të përcillte në gjindje se si është kujdesur që ta çojë në Turqi dhe t’i ngjisë gishtat që ia preu opozita. Përqafoi të ëmën, e cila si çdo prind qante me pikën e lotit, puthi në ballë policen e gjorë, në mënyrë që të ngjallte keqardhje për veten, qeverinë dhe urrejtje për ata që i kanë dalë përballë, që i kanë zënë rrugën.
Por, nuk e filmoi që ju hakërrua po në spital një tjetër gruaje të pambrojtur, gruas së Flori Protoduarit. Asaj i ka arrestuar si djalin, si burrin. Për të nuk pyeti, ani se edhe ajo bëri ndërhyrje kirurgjikale. As nuk i shkon në mendje që ta çojë atë në Turqi, por i tha: “Mos kujto që kam ardhur për ty!”.
Njeriu “zemërbutë” i viktimës police që i gafurret një zonje të pambrojtur.
Çfarë ka bërë ajo e “keqja”, të cilës ia kanë rrahur dhe rrasur gjithë njerëzit e shtëpisë në burg? Ka ndërtuar tek Unaza e re si mijëra të tjerë që nuk i kap vija e kuqe e tenderit. Ka ndërtuar, se e kanë lejuar të gjitha qeveritë të majta e të djathta, mëkatet e së cilave i mbart dhe kjo e Edi Ramës, si do mbajnë gjynahet e tij qeveritë që do vijnë më pas. Kryeministri u kujtua t’u dalë për zot ish-pronarëve, pavarësisht se në fushatë elektorale i bëri copë dhe u thoshte që pronat e Protoduarëve janë bërë me gjak. Meqë i vjen keq për ish-pronarët (sërish përdor keqardhjen) përse nuk e anullon ligjin famëkeq 7501 që e kemi dhuratë nga Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandi Majko dhe padyshim Edi Rama…
Përse nuk e merr kazmën dhe të prishë Bathoren, Kodrën e Priftit, Bregun e Lumit, Kasharin dhe gjithë zonat informale në Vlorë, Shkodër, Korçë e gjetkë. Pse del si gjysmagjel dhe shpërndan tapi ky? Përse ajo gruaja që i puthi dorën dhe i qau në kryeministri, kur i dha tapinë është më e mirë se gruaja e Flori Protoduarit?
Protoduarët pse kanë bërë faj më të rëndë se ata të tjerët me tapi që nuk i zë vija e kuqe e ARRSH-së? Zaptues janë të tërë, por zaptues me lejen e qeverive që ka marrë pjesë aktivisht në krimin e rëndë të grabitjes së pronës. Ndaj, nëse kompeson atë zaptuesin me leje legalizimi, duhet t’ia japësh edhe këtij pa leje, sepse me shumë gjasë mos Ina Nuku, pjesa më e madhe e policëve që po i përplas me njerëzit jetojnë në zona informale dhe kanë zaptuar, sepse i la qeveria ta bëjnë. Ajo dhe vetëm ajo është fajtorja, as Protoduari, as Ina e shkretë.