Ai mund të cilësohet padyshim si “njeriu i memeve”. Genc Sejko është kthyer tashmë në poersonazhin hit në rrjetet sociale në Shqipëri, ku “memet” e tij plot me batuta, humor e jo pak herë ironi e sarkazëm, përcjellin në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, reagimin mbi ngjarjet e aktualitetit politik e social në vendin tonë.
Sejko megjithëse jeton jashtë vendit, në Britaninë e Madhe, ka arritur të jetë në Shqipëri një personazh që me finesën e tij në kundërshtinë ndaj pushtetit, por jo pak herë edhe shigjetues i krahut tjetër politik, të bëjë për vete shumë e shumë përdorues të rrjetit social.
Postimet e tij rënditen me një rendiment të lartë shikueshmërie dhe shpërndarje në rrjet, aq sa vetë mediat, si ato televizive dhe sidomos ato online, i përdorin shpeshherë “memet” e Genc Sejkos për situate të ndryshme. Në intervistën ekskluzive për “standard” të cilën e kryem përmes telefonit, Sejko na bëri të ditur se pasioni i tij për “memet” ka lindur krejt natyrshëm.
Ai thekson se “memet” janë metoda më e mirë dhe më e thjeshtë për të dhënë dhe shpërndarë një mesazh tek publiku. Ashtu i thjeshtë sic edhe vetë “produkti” i tij, Sejko na foli edhe rreth iniciativë për protestën e thirrur nga diaspora shqiptare, e cila do të mbahet në 28 dhjetor në Tiranë.
Po ashtu “njeriu i memeve” foli me pasion për revoltën e studentëve, duke theksuar se edhe nëse rezultati i saj në fund mund të mos jetë ai i kërkuari, sërisht sipas Sejkos, kjo protestë theu mite, duke i dhënë një grusht të fotrt sistemit dhe përkatësisht pushtetit.
Në fund të bisedës, Sejkos i kërkuam edhe një “meme” eskluzive për gazetën, gjë të cilën e pranoi me kënaqësi. Sigurisht personazhet,duke ju përshtatur kohës së protestave të studentëve, nuk mund të ishin të tjera, veçse ato të kryeministrit Rama dhe ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Jeni një nga inisiatorët e protestës së thirrur nga diaspora shqiptare që do të mbahet në Tiranëmë datën 28 dhjetor?
Ideja nuk ishte që të mblidheshin shqiptarët e diasporës në protestë, por që shqiptarët e diasporës të thërrisnin një protestë ku të ftonin të gjithë shqiptarët dhe që diaspora të jepte mbështetje protestës që do bëhej në Shqipëri. Nisma jonë filloi që para protestës së studentëve, ideja ishte që të ngrimin sensin e revoltës qytetare ndaj padrejtësive. U bë disa javë që e kemi thirrur këtë protestë por ndodhi protesta e studentëve, dhe ne zgjodhëm që në vend që të promovonim protestën tonë të shqiptarëve të diasporës, ti përqëndronim energjinë tek ajo që po ndodhte në Shqipëri me studentët.
Genc, çfarë prisni nga protesta e datës 28 dhjetor në Tiranë?
Të them të drejtën kur e morëm këtë inisiativë , isha unë me një shok timin Landin. Dhe bëmë thirrje për një protestë dhe kush donte të bashkohej, ishte i mirëpritur. Dhe në qoftë se asnjëri nuk do kishte arsye për të protestuar ,do protestoja vetëm unë e landi. Dhe në fund e mbylla me këtë që edhe nëse nuk do vinte Landi, do protestoja vetëm unë (qesh). Nuk është se kisha ndonjë pritshmëri të madhe kur ndërmora iniciativën, sikur do të rrëzoja sistemin. Protesta ka si mesazh kryesor stimulimin e një ndjesie qytetare protestuese ndaj padrejtësive dhe të këqijave që kalon vendi.
Shoh nga reagimet e shumta në faqen tuaj në Facebook. Se janë të shumtë ata që e mbështesin protestën e fundvitit. Besoni se do ketë një mbështetje të madhe në shesh?
Këtë nuk di ta them, unë këtë nuk e lexoj dot se unë jam larg, nuk jam në Shqipëri. Një grupi mirë do vij nga jashtë, kemi disa që do vijnë nga britania e Madhe, disa nga Greqia, disa të tjerë janë konfirmuar nga Gjermania, nga Zvicra po ashtu, dhe po ashtu presim edhe nga SHBA. Por se sa do jenë në shesh nuk e di ta them. Mbetet ta shohim në 28.
Si lindi kjo ideja e memeve, statuset tuaj tashmë janë bërë virale nnë rrjetet sociale?
Në qoftë se je në rrjetet sociale me idenë që të bësh opozitë, memet janë perfekte. Edhe kjo në vetvete është një formë protestes. Memeja është metoda më e mirë dhe më e thjeshtë për të dhënë dhe shpërndarë një mesazh tek publiku. Memeja godet sepse ka ironinë, humorin, ka aftësinë që të hyjë subkoshiencën e njerëzve, prandaj ka qenë ideja e memeve. Është dicka e thejshtë dhe nuk merr shumë energji, qoftë nga ai që e bën dhe nga ai që e shpërndan.
A e prisje se krejt papritur, do kishe një famë të tillë në Shqipëri?
Të them të drejtën jo. As ka qenë ky qëllimi fare. Unë për një periudhë kohore kam bashkëpunuar edhe me avokatin Altin Goxhaj në dy tre faqe por as e kam pasur kurrë qëllim famën. E gjithë ideja ka qenë përcjella e një mesazhi. Shpesh më kanë shkruar njerëz që kanë pasur një kauzë të caktuar dhe kanë kërkua mbëhstetjen time, dhe unë kam dhënë kontributin tim, shpesh edhe anonim, pra pa e ditur njerëzit që isha unë pas asja që po ndodhte. Nuk më ka shqetësuar asnjëherë fama. Unë eci me parimin e Ronald Regan: Në jetë mund të arrihet shumë, nëse nuk e ke problem se kush i merr meritat. Nuk më shqetëson fare, as nuk nisem nga fama, Është dhe diçka tjetër dhe nuk e perceptoj idenë e famës që mund të kem në Shqipëri sepse unë jetoj në Londër, dhe këtu nuk është se më njeh njeri (qesh)..
Një mendim tuajin lidhur me protestën e studentëve, si e shihni atë dhe çfarë parashikoni në vazhdimësi?
Sikur të mos marrim asgjë tjetër, vetëm protestat e fundit, mjafton ideja e diçkaje që theu mitet në Shqipëri, mitin se shqiptari është dele, nuk ngrihet. Këto mite ajo i thye. Pra edhe nëse në fund protesta e studentëve nuk arrin asnjë produkt, që nuk e mendoj kështu, sërisht ajo thye këto mite. Por sipas meje protesta e studentëve edhe tani që po flasim ka arritur shumë, ajo i dha një grusht të fortë pushtetit, i uli hundën sistemit. Protesta e studentëve çakordoi komplet mënyrën se si pushteti sillej me qytetarët, e bëri këtë pushtet që të kthente vëmendjen nga qytetari. Ky është gjykimi im, sikur asgjë tjetër mos arrihet, unë jam optimist që gjëra më të mira do ketë , por sikur mos sjellë asgjë tjetër, këto protestat e ditëve të fundit kanë arritur shumë, kanë qenë një hap shumë i madh përpara
Cili është opinioni juaj për kryeministrin Rama, nisur nga fakti se ai është ndër personazhet kyesore të memeve tuaja në rrjetet sociale?
Kur shoh kryeministrin, ai më duket shumë bosh, ai nuk sjell dot agjë, politikisht mendoj se ka vdekur, ai mund të rrijë edhe 50 vjet në pushtet, por do lëngojë në pushtet. Për mua, Rama për popullin e vet nuk mund të sjellë më asgjë. E shoh si një qënie që ekziston por që nuk i sjell të mira askujt.