Një koment i cilësuar si kërcënues ndaj akademikut Artan Fuga është interpretuar si një llastim i profesorit nga Mustafa Nano.
“Nuk kishte në shënimin e atij robit virtual asgjë të përafërt me kërcënimin. Nuk kuptohet mirë pse Fugës i ka pëlqyer të llastohet e të viktimizohet”, është shprehur Nano, ndërsa nuk ka vonuar reagimi i Fugës.
“Ndofta Mustafai, i pandjeshëm, i pallastuar, si gjithmonë kujton se të kërcënosh, intimidosh, fyesh është vetëm kur dikush të vjen me ndonjë copë huri dhe të thotë :
Ta futa kokës po hiq dorë nga teza se shqiptarët nuk provohet se vijnë nga ilirët!
Ose : Të hyra me shqelma ose prano se gruaja e Skënderbeut është me origjinë serbe!
Ka metoda të tjera Muç, por mbase ti nuk i ndjen”, ka shkruar akademiku.
Statusi i plotë i Mustafa Nanos
Është për të ardhur keq që nuk ka gjetur mbështetje në botën akademike, gjë që është shenjë më vete se çfarë Fuga thotë është e vërtetë: Ajo Akademi ose duhet të reformohet, ose duhet të mos ekzistojë. Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që askush nuk i bëri jehonë shqetësimit (shqetësimeve) të Fugës, është edhe ky i fundit që bën çmos ta largojë vëmendjen prej debatit që ai vetë tentoi të hapte.
Këtë e bëri nëpërmjet një denoncimi publik mbi një kërcënim që gjoja paska marrë. “Po më kërcënojnë; po më thonë: qepe ose largohu”, bënte me dije ai në një shënim të tijin në facebook. Dhe kaq u desh që të gjithë të merreshin me kërcënimin që na i qenka bërë Fugës nga dikush në facebook.
Në një numër portalesh ishte publikuar i plotë edhe “kërcënimi”. E futa në thonjëza fjalën “kërcënim”, ngaqë në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim.
Elda Muçollari (ky është emri që anonimi ka zgjedhur për t’u identifikuar virtualisht) është shfryrë e zbrazur në stil të lirë kundër Fugës, por nuk ka lëshuar asnjë kërcënim.
Fuga, për ta nxjerrë si kërcënues, ishte përpjekur që ta sintetizonte me një titull (“Pusho ose ik!”, ky ishte titulli), por edhe i sintetizuar në këtë mënyrë reagimi nuk del si kërcënues. Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, predikati “kërcënoj”, prej të cilit vjen substantivi “kërcënim”, ka kuptimin: “Përpiqem t’i fut frikën dikujt duke e paralajmëruar se do të përdor dhunën a mjete të tjera shtrëngimi; afrohem për t’i bërë dikujt një të keqe, për ta dëmtuar a për t’i sjellë fatkeqësi”. Bazuar në këtë, merret vesh se nuk kishte në shënimin e atij robit virtual asgjë të përafërt me kërcënimin. Nuk kuptohet mirë pse Fugës i ka pëlqyer të llastohet e të viktimizohet. Madje, mbështetja që mori pas llastimit (asnjërit prej atyre që i dolën në mbrojtje “Fugës së kërcënuar” nuk i shkoi mendja t’i jepte të njëjtit person mbështetje në revoltën e tij ndaj Akademisë) e përndezi Fugën deri në atë pikë sa të shihte në këtë mes edhe punë për organet e specializuara.
Statusi i plotë i Artan Fugës
Edhe Mustafa Nano më në fund u bind se Akademia e Shkencave
duhet të reformohet !
———————–
Mustafai (Nano) gjithmonë më bën të buzëqesh miqësisht, më sjell në hare, tek e kundroj që kujton se mund të ndërtojë argumente thjesht mbi ato që lexon në plan të parë, pa parë se çfarë ka mbrapa shkronjave, dhe i dalin gjithmonë gjërat e çuditshme, pa u munduar të shohë se çfarë ka pas tyre, pa investiguar në këtë rast për gjendjen e lirisë të mendimit në institucione.
Mirë bën që thotë se Akademia e shkencave duhet reformuar rrënjësisht madje.
Kaq faleminderit Much ! Argumentet e mia të kanë bindur. Të tjerat nuk kanë pikë rëndësie.
Ji i pranishëm si gazetar në datën 4 shtator në seancën e zgjedhjeve farsë dhe do të shohësh se gjithçka kam ngritur e ngre prej kohësh është e saktë dhe uluritëse!
Po vazhdoj për qejf e kënaqësi tani! Kam pak kohë!
Nuk prish punë se ti nuk kupton që të tërsëllimosh kërkënd qoftë edhe virtualisht, edhe si anonims, kur ai është duke ushtruar funksionin e vet publik, është pengesë për të kryer detyrën, vecanërisht kur ai tërsëllimuesi të thote : pusho ose largoju këndej !
Njësoj sikur ata që të paguajnë ty ku boton, të thonë : përkrahe Fugën ose largoju! 🙂
Edhe kur dikush e bën këtë duke u përpjekur me mjetet që ka të më mbylli gojën ti, i akordon rrethana lehtësuese për shkak se atij ndoshta i prishet rutina e ngrënies mëngjes nga kritikat e mia.
Në vend të mbrosh fjalën e lirë nga çdo anonims! Je pozicionuar keq miku im, mbron padashje ose jo xhelatët e fjalës së lirë që e ndrydhin atë me çdo mjet e mënyrë që kanë.
Ke marrë anën e së keqes këtë radhë Much!
Anonimsi deshi ta lija komentin e tij ndonëse acarohej nga kritikat e mia, une e botova për t’ia plotësuar dëshirën, se unë nuk jam si ata, duke e trajtuar si një presion kercenues.
Por, ti Muçi edhe fjalën “kërcënim” e trajton gabim edhe kur mbështetesh në fjalor. Sepse ti kujton se fjalori është tërësia e kuptimeve absolute që një fjalë ka në jetën e përditshme të një shoqërie. Ky është serioz si defekt yti metodologjik Muç në filozofinë e semantikës, por bisedojmë ndonjëherë kur të pimë kafe ose çaj.
Ky është problemi yt ! Dëgjomë mua si mik! Se e ve re edhe herë të tjera! Merr shkronjën për objektin që ajo do të duhej të simbolizonte.
Tekstin e shkruar e merr për provë finale! Ka një boshllëk semantik në formimin tënd miku im!
Kërcënimin e quan kur të kërcënojnë me jetë, jo kur të kërcënojne me prerje rroge, me heqje, me përjashtime.
Aq ndjeshmëri ke treguar, cfarë të them!
Sigurisht nuk botova vazhdimet e atyre mesazheve sepse nuk doja ta ndyeja më shumë faqen time Facebook.
Ndofta Mustafai, i pandjeshëm, i pallastuar, si gjithmonë kujton se të kërcënosh, intimidosh, fyesh është vetëm kur dikush të vjen me ndonjë copë huri dhe të thotë :
Ta futa kokës po hiq dorë nga teza se shqiptarët nuk provohet se vijnë nga ilirët!
Ose : Te hyra më shqelma ose prano se gruaja e Skënderbeut është me origjinë serbe!
Ka metoda të tjera Muç, por mbase ti nuk i ndjen!
Gjithsesi me Muçin kurrë nuk mërzitem sepse e vlerësoj sportivitetin e tij ekstrem, që sigurisht nuk ka lidhje me gazetarinë e faktit, në fakt ai bën gazetarinë e opinionit dhe deklaratave, post-truth journalism, dhe pa bërë investigimet e duhura, flet me opinione të lira, të lira si eraaaa!
Aq shumë merr shkronjën për realitet sa më identifikon mua me zhurmën që u bë për atë kërcënim. Unë shkruajta duke i lënë hapësirë kërcënuesit anonims, kurse Muçi kujton se unë aty ndejta, duke ngrënë thonjtë.
Jo ore Muç xhani jo, unë vazhdova ditën time të punës dhe të qefit pa t’u llastuar sidomos ty, dhe as kam lidhje me atë që u debatua nga të tjerë.
Por, Muçi i shërben çështjes si gjithmonë gati. Në vend të merret me faktin sesi një akademik censurohet prej vitesh brenda akademisë dhe detyrohet të dalë publikisht, censurim që është një formë represioni, merret me gjëra fluturake dhe të sipërfaqshme, jo llastica jo fjalori.
Sa keq Much !
Gjen edhe qëllimet e mia se përse botova atë kërcënim. Je i fortë miku im Mustafa!
Puna është se e flasim këtë çështje në kohë të lirë të të rrëfej më gjatë represione dhe privacionet e vërteta për shkak të mendimit kritik në institucione. Se deri tani nuk t’i kam thënë për të mos … t’u llastuar!
Ika tani se është problemi i akademisë dhe i kërkimit shkencor që debatohet dhe jo etiketat e tua ndaj meje dhe as debatet horizontale që në këto çaste nuk më interesojnë fare.
Miqësisht, Much !
Nga Fuga