Këshilli Europian do të vendosë pas pak ditësh nëse do të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë apo jo.
Mes vendeve anëtare përflitet se janë 2-3 shtete skeptike, që mund të bllokojnë çeljen e negociatave me argumentin se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e vendosura.
Por, për eurodeputetin Knut Fleckenstein, që është gjithashtu edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, kushtet për hapjen e bisedimeve janë plotësuar nga Tirana.
“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në PE.
Një tjetër thirrje për Këshillin kishte edhe për Kosovën.
“Të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë”, u shpreh Fleckenstein.
Eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu edhe hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në kapitujt e tjerë për rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.
“Duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon”, shprehet Fleckenstein.