Kandidati për kreun e FSHF-së, Bashkim Fino, ka shpalosur edhe njëherë parimet që ai do të vendosë në qoftë se do të fitojë në zgjedhjet e 7 shkurtit.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Fino bën me dije se kjo do jetë Asambleja e fundit e mbyllur dhe jo transparente sa i përket çështjes së Buxhetit të FSHF.
Postimi i plotë
Dua t’i drejtohem edhe një herë komunitetit të futbollit, posaçërisht atyre klubeve që jane përjashtuar nga ndarja dhe përfitimi i fondeve të komunitetit të futbollit që administron FSHF.
Kjo do jetë Asambleja e fundit e mbyllur dhe jo transparente sa i përket çështjes së Buxhetit të FSHF. Dy parime dua të vendos:
E para, transparencë maksimale për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e FSHF.
E dyta, shpërndarja e fondeve do të përmbysë menjëherë raportin e turpshëm ku presidenti dhe administrata e FSHF-së marrin për shpenzimet e tyre të luksit shumicën dërrmuese të fondeve dhe klubet lihen në mjerim ekonomik. Po e përsëris, dy angazhimet e mia janë konkrete: auditim i plotë për të gjitha shpenzimet e FSHF-së dhe një ndarje e re e fondeve, bashkë me ju dhe duke dërguar shumicën e tyre tek klubet e futbollit, ekipet e tyre, madje duke ndihmuar me to krijimin e zinxhirit të ekipeve. Dua ta bëjmë këtë bashkarisht, menjëherë dhe në mënyrë të hapur, transparente ku të gjithë të përfitojnë.
Karrigia ime nuk ka asnjë vlerë para mjerimit ekonomik të komunitetit të futbollit.