Finalja me Feyenoordin/ Capello i beson Mourinhos: Mjeshtër i këtyre situatave

0
78

Fabio Capello, trajneri i fundit që e ka shpallur kampione Romën në Serinë A, duke folur për finalen e Conference League, vlerësoi punën që po bën Mourinho në stolin e verdhekuqve.

“Roma që pashë kundër Torinos më dukej se ishte shumë e përqendruar, e interpretoi në mënyrën e duhur ndeshjen. E kaloi këtë provë, por tani jemi në skenën ndërkombëtare dhe duhet diçka më shumë”.

Vlerësimi për Mourinhon ka ardhur si një përshkrim që tregon se Jose është mjeshtër i këtyre situatave dhe di shumë mirë ti përballojë.

“Jose është mjeshtër në trajtimin e situatave si kjo. Ai do të duhet të mbajë vëmendjen lart dhe tensionin të ulët. Përvoja e Mourinhos është garanci: ai përballet me finalen e pestë evropiane. Në garat e këtij niveli ndihet shumë përgjegjësi. Një skuadër si Reali është mësuar të përballet me ta, ndërkohë që Roma nuk i ka jetuar këto dimensione prej 31 vitesh”.

Nga ana tjetër, rëndësia e Conference League lidhet me faktin se është një kupë evropiane dhe prandaj ka rëndësinë e vet.

“Nisemi nga konsiderata se është një kupë evropiane dhe prandaj ka rëndësinë e vet. Ta fitosh, nuk është si shëtitje në park. Edhe Romës, me goditjen që mori në Norvegji, iu desh të ndryshonte mendje. Që nga ajo ditë ndryshoi ritëm dhe e meritoi finalen. Eliminoi Leicesterin, një klub anglez që një vit më parë iu afrua Champions League dhe fitoi FA Cup”.

Ndërsa, së fundmi është kujtuar fakti se Roma prej 14 vitesh është pa trofe.

“Të fillosh të fitosh është pjesë e një procesi rritjeje. Kjo është një finale evropiane dhe për Romën është e rëndësishme. Nëse dëshiron të futesh në rrethin e klubeve me vlerë ndërkombëtare, duhet të vendosësh diçka në palmaresin e trofeve. Conference League është një mundësi që nuk duhet humbur”.

Gjithashtu, ndikimi i Mourinhos lidhet me faktin se në fillim iu desh të njihte grupin me të cilin duhet të punonte dhe më pas të kuptonte se deri ku arrinte.

“Në fillim iu desh të njihte grupin me të cilin do të punonte, të njihte mjedisin dhe të perceptonte se deri ku mund të shkonte. Pas sqarimit të këtyre pikave, identiteti i lojës, vazhdimësia dhe rezultatet ishin pasoja logjike”.