Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Fëmijë me varësi, lojrat elektronike, e vërteta e hidhur…

Nga Klodiana 0

Nga Kujtim Xhaja

Sot do të shkruaj për lojrat elektronike. Do të shkruaj për ato subjekte, të cilat kanë mbirë si kërpudhat mbas shiut në çdo lagje të Tiranës. Numri i tyre është vështirë të identifikohet lehtë, pasi shumë prej tyre, sot gjenden të “kamufluara” nën petkun e qendrave të internetit, të cilat ofrojnë edhe mjaft shërbime të tjera.

Nuk kam asgjë kundër këtyre lojrave dhe praktikuesëve, lojtarëve online, të cilët për hirë të së vërtetës nuk janë të paktë në numër edhe në vendin tonë. Unë nuk jam shquajtur kurrë si simpantizant i kësaj teknologjie të re, videoloja ime e fundit mbaj mend të ketë qenë “Nitendo” me ato kasetat e verdha e me superheroin Mario! Sot, kjo fushe është zhvilluar shumë, gjeneratat kanë ndryshuar, teknologjia ka evoluar duke u kthyer kështu në një industri, e cila korr fitime të majme në të gjithë botën. Mbi të rejat e fundit mbi këtë “mjedis aq të panjohur” më mban vazhdimisht të përditësuar nipi im, I cili ende si ka mbushur 14 vjeç.

Diku nga fundi i muajit Korrik u “trumbetua” me të madhe në shumicën e mediave në vend ndryshimi i ri i ligjit për lojërat elektronike, i cili theksonte ndër të tjera se fëmijët nën moshën 14-vjeç nuk do të lejoheshin në qendrat e internetit. Ministria e Shëndetësisë, ajo e arsimit dhe agjencia e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve e kishin parë si të udhës, që fëmijët nën 14-vjeç duhej të merrnin leje të firmosur nga prindërit për frekuentimin e këtyre ambienteve. Ligji ndër të tjera u kërkonte subjekteve arsimore shtetërore dhe private që të bllokonin aksesin e faqeve me përmbajtje pornografike apo faqeve që nxisnin dhunë.

Ligji është kopsitur shumë mirë dhe ka ardhur në një kohë vërtetë të domosdoshme, por siç ndodh përherë në vendin tonë, çka mbetet më e vështirë është zbatimi i tij.

Në një vëzhgim që kam bërë vetë këto ditë, nuk më ka zënë syri asnjë afishim për këtë dispozitë të re në dyert, hyrjet, apo muret e këtyre subjekteve, të cilat e kanë të detyrueshme me ligj një gjë të tillë.

Ashtu siç u cek edhe më sipër, unë kam një nip minoren, i cili nuk i ka mbushur ende 14 vjeç. Në lagjen tonë janë disa pika lojrash elektronike, e ca të tjera që funksionojnë si qendra interneti, por që i ofrojnë edhe këto argëtime. Këto mjedise janë frekuentuar shpesh nga nipi im dhe bashkëmoshatarë të tij, të cilët qëllojnë të jenë edhe më të vegjël. Ata bëhen një grup shokësh, i bëjnë bashkë plot zell qindarkat me njëri-tjetrin dhe luajnë në grup. Punonjësit apo pronarët e këtyre qendrave, shpesh herë janë vetë baballarë apo nëna fëmijësh, të vetëdijshëm i pranojnë pa asnjëfarë kriteri dhe nuk iu lënë asnjë kufi orari. Madje, disa prej tyre tregëtojnë edhe pije energjike.

Mjediset brenda këtyre “bizneseve” janë të errët, me labirinte e korridorë të shumtë, ku bien në sy ekranet e mëdha shumëngjyrësh me një dritë të fortë verbuese. Fëmijët kur futen në këto ambiente duket sikur lënë botën e jashtme mënjanë e direkt “kridhen” në një realitet të ri, në realitetin virtual.

Këtu minutat, orët ikin pa e vënë re. Fëmijët përhumben, hallakaten mes ngjyrash, zhurmash, emocionesh të furishme që ua dikton loja. Roli i syrit dhe i autoritetit të prindit vëzhgues mungon. Ata jetojnë në një liri shpërfillëse. Tek-tuk dëgjon të shahen me njëri-tjetrin me një fjalor vulgar. Loja i nxit të shpërfaqin çdo ndjenjë që iu vjen së brëndshmi, ajo herë-herë i bën krejt të pacipë. Të gjithë vihen në garë, në konkurrencë me njëri-tjetrin në një kohë e vend pa kufi kohor. Sa herë këto ambjente janë bërë mollë sherri mes prindërve dhe fëmijëve të sotëm?

“Të thashë të vije në orën dy të hanim drekë bashkë dhe ti u vonove një orë!”-dëgjohen replikat nga ballkoni të komshijes me djalin e saj.

Apo të mos flasim për të bërtiturat e një fëmije 10-vjeçar, i cili, në të njëjtin orar e drejton kokën lart nga dritaret e pallatit dhe i kërkon 50 lekë të atit për të luajtur online.

Këto lojra bëhen një zakon i keq për fëmijët, në një kohë kur mungon një disiplinë dhe një organizim i rreptë. Nga ana tjetër, prindërit shfaqen të dorëzuar përballë këtij realiteti të ri. Shumë syresh mjaftohen ti japin fëmijës ca monedha nën dorë dhe janë krejt të painformuar se ku shkon fëmija ti shpenzoj ato pak të mira materiale. Ca të tjerë mendojne se vogëlushët e tyre do ti shpenzojnë në të ngrënë, por gabojnë rëndë. Më e keqja e këtyre lojrave është se ato krijojnë varësi dhe këtë pak prindër e dijnë. Këto argëtime luajnë me psikën, adrenalinën, emocionet e fëmijëve tanë, ato futen në koshiencën dhe në subkoshiencën e tyre dhe ata përherë do kërkojnë të luajnë më shumë…më shumë…do të futen në një qerthull të tillë vicioz, që për atë moshë është shumë e vështirë të dalin. E pikërisht këtu duhet të nderhy autoriteti i prindit, mësuesit, edukatorit, dora e padukshme e shtetit, ligji etj. Të gjitha këto instanca duhet të bëhen bashkë për të “luftuar” me këtë fenomen jo fort të lehtë të kohëve të sotme.

Rastet e fëmijëve të cilët kanë problem me shikimin po shtohen dita-ditës. Qëndrimi me orë të tëra në këto ambiente të izoluara, me ngarkesë rrezesh termike dhe optike rezulton të jetë tepër i dëmshëm. Duke i kushtuar një kohë të gjatë lojrave të tilla, fëmija do të humbasë përqëndrimin, rendimenti dhe performanca në shkollë do të bien.

Shumë prindër ankohen me njëri-tjetrin se vogëlushi i tyre nuk ka interes për librat jashtëshkollor, apo ata shkollorë, të tjerë ndihen si në faj përballë “kërkesave të paturpëta” të vegjëlve të tyre për të blerë lojra elektronike (të cilat kushtojnë një djall e gjysmë).

Sot nis një vit i ri shkollor për të gjithë fëmijët, nxënësit në mbarë vendin, e nesër ti që po e lexon këtë artikull do të jesh një prind me siguri, ose me gjasa je, ndaj kur fëmija juaj do iu kërkojë të shkoj tek lojrat elektronike aty poshtë pallatit, është momenti që të mendoheni dy herë…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej