Fatmir Mediu në “Shih Programin” në RTSH
Ka disa ditë që për mirë apo për keq shenjojnë jetën e një njeriu, aq sa ngelin si tatuazh në faqe. E tillë është dita e tragjedisë së Gërdecit për Fatmir Mediun. I pashmangshëm edhe pas shumë viteve lidhja e emrit të tij si ministër i Mbrojtjes me tragjedinë e ndodhur në afërsi të Vorës në 15 mars 2008, tragjedi që i mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Tetë vjet pas ngjarjes së jashtëzakonshme, Fatmir Mediu vendos të flasë. Në një intervistë për Shih Programin në TVSH, ka rrëfyer detaje të reja, mjaft të rëndësishme në lidhje me ngjarjen. Sipas Mediut, tre javë para shpërthimit ai ka marrë informacione nga kreu i shërbimit të inteligjencës në NATO se diçka jo e mirë po përgatitej kundër Shqipërisë. Ai, pohon Mediu, nuk ishte zëri i vetëm. Në këtë intervistë të pazakontë ish-ministri i Mbrojtjes, i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me këtë ngjarje, dëshmon dhe për mosbesimin e tij për motivin zyrtar të shpërthimit të fabrikës së demontimit.
Enkel Demi – A ishte etik qëndrimi i opozitës pas rrëzimit të helikopterit. E kam fjalën për çëshjen e mermerit që u artikulua apo narkotrafikut…
Fatmir Mediu – Nuk mendoj se ka patur një qëndrim të opozitës. Zoti Berisha ka informacionet e tij dhe qëndrimet e tij. Unë si ish-ministër i Mbrojtjes kam bërë një status vlerësues për të dy pilotët. Kam ngushëlluar familjet dhe autoritetet.
Gjatë këtyre ditëve ishte dhe përvjetori i Gërdecit, pati sërish debate, pati sërish pretendime, madje komente personale ndaj jush…
Unë nuk kam hyrë në polemika për këtë çështje, të paktën që kur e mori në dorë Prokuroria. Ja lashë në dorë institucioneve të drejtësisë të bëjnë veprimet e tyre, megjithëse në një vit e gjysëm që isha nën hetim nuk u thirra kurrë për t’u marrë në pyetje dhe dosja shkoi për gjykim pa u marrë dëshmia ime. Ndaj meje kishte tre akuza për shpërdorim detyre. Sipas prokurorëve, kompania nuk kishte leje mjedisore, flitet për kompaninë që nuk u mor asnjëherë nën hetim. E dyta kishte të bënte me transportin e municioneve që e bën vetëm ushtria, ashtu siç edhe është e parashikuar me ligj, dhe kompania amerikane nuk kishte paguar rreth 5 mijë euro e kjo sipas Prokurorisë ishte përgjegjësi e ministrit të Mbrojtjes. Por, nuk dua të merrem me këtë çështje, pasi çfarë nuk kam dëgjuar. Kam dëgjuar deri dhe artikulime për Gjykatën e Lartë. Nëse unë do të kontrolloja Gjykatën e Lartë do të kërkoja të merrja pafajësinë. Çështja është se ajo u bë e qëllimshme para zgjedhjeve. Maadje, kanë arritur deri aty sa të thonë që e shtyu Berisha për të dhënë dorëheqjen. Jo, e kam dhënë vetë dorëheqjen. Kam kërkuar publikisht dorëzimin e imunitetit për të vepruar drejtësia. Dhe le t’i kthehemi kronologjisë. Po ka patur një grup të qëllimshëm për ta ndërtuar. Por, kur është diskutuar unë nuk kam qenë këtu, kam qenë në Amerikë. Kam lexuar edhe një libër, ku ishin të botuara edhe intervista të njerëzve e përfshirë në këtë çëshje si miku i Erion Veliajt e të tjerë. Uroj dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë diferencën mes të vërtetës dhe politikës. Kam vetëm një merak: Si ky shtet nuk analizoi atë që ndodhi?! Si ka ndodhur brenda dhe katastrofa e atyshme është një çështje tjetër. Unë pyes vetëm pse ndodhi?! Nuk ka asnjë analizë as nga Komisioni i Sigurisë, as nga strukturat e Sigurisë Kombëtare dhe as nga ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Ende sot e kësaj dite nuk është provuar se përse ka ndodhur. Dhe përgjigjja e kësaj pyetjejeje është në interes të sigurisë së vendit tonë. Pastaj ka patur deri në insinuata të tjera të turpshme që kanë arritur deri në çështje familjare të miat.
Ju keni thënë në atë kohë që ka një korrespondencë në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën nuk do ta bëje publike apo jo?
Jo, ajo u bë publike dhe kanë qenë rreth 300 ushtarakë të përfshirë në të gjithë procesin. Nga ana e Prokurorisë pati një qëndrim të njëanshëm, se u deklarua se ministri nuk ka pyetur strukturat ushtarake, në një kohë kur i gjithë procesi kalonte nëpër duart e ushtarakëve. Ka dy procedura: I pari që ka të bëjë me fishekët e lehtë, që është një demontim i thjeshtë dhe me fishekë të një kalibri më të madh, që ka kaluar në të gjitha strukturat e Shtabit.
Në atë kohë ku keni folur edhe për një histori konspiracioni…
Unë e kam thënë fjalë për fjalë që rreth 3 javë para tragjedisë. Kam qenë së bashku me drejtorin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, kemi takuar drejtori e inteligjencës së NATO-s, i cili na ka dhënë një paralajmërim se mund të kishte ngjarje jo të mira për Shqipërinë. Kam ardhur, e kam diskutuar këtë çështje me kryeministrin dhe me kryetarin e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Thuhet se ka patur informacione nga shërbimi sekret italian?
Kam patur më pas edhe të dhëna nga Shërbimi Sekret Italian që forconin këtë paralajmërim. Por, unë nuk e kam deklaruar këtë publikisht, sepse edhe tani, pas kaq vitesh e di që do të thonë doli Mediu të justifikojë veten. Por, në Forcat e Armatosura është mirë që çdo gjë që ndodh të analizohet deri në fund, sepse ka lidhje me sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. Dhe nga kjo pikëmapje duhet parë a ishte vërtetë në thelb të asaj tragjedie fakti pse u vendos një thes mbi një karrocë të salduar dy orë para dhe ai saldimi dogji thesin. Thesi municionin dhe ai municioni shkoi tek depot e barutit dhe kështu me rradhë?! Apo ka patur ndoshta një konflikt interesi apo edhe ndonjë interes tjetër?! A ka patur grupe në Shqipëri kundër pranimit tonë në NATO? Po ju them që po. Deri në ekstremitet. Në takimin e ministrave të Mbrojtjes të bërë në 2006 në Shqiëri, ku ishte dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes ka patur një tendencë fare të hapur nga një grup i shoqërisë civile, i lidhur mirë me struktura të tjera, të cilët kanë vajtur deri tek ideja: Pse bëhet ky takim në Shqipëri, se ministri i Mbrojtjes kishte një orë të shtrenjtë. Edhe unë atë orë e kam dorëzuar për verifikimin, e kam çuar edhe në media për t’u parë dhe konstatuar se ishte një orë replica.
Edhe historia që përzihet me dërgimin e municionve në Afganistan është e qëllimshme, sepse në të vërtetë janë dy çështje krejt të ndryshme.
Sa kanë ndikuar amerikanët që të zgjidhej Gërdeci si bazë demontimi?
Absolutisht jo. Nuk ka qenë çështje e amerikanëve. Të gjitha kanë qenë insinuata të palogjikshme. Po ju them që në fillim ishte diskutuar për t’u ngritur në një zonë nga rruga që të çon në Elbasan, por për shkak të rriskut u la të ndërtohej në Gërdec. Unë as e dija ku binte Gërdeci, as kisha qenë ndonjëherë. Ka qenë një vendim i marrë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe është thënë se do të ndërtohej një punishte që do të ishte perfekte si një farmaci. Në atë kohë unë kam bërë një deklaratë ku kam kërkuar që të merrej informacion që të gjendej qoftë edhe një telefonatë mes meje si ministër me atë që ka bërë biznesin. Është çertifikuar se nuk ka patur asnjë. Ka patur me autoritete të tjera politike dhe ushtarake që kanë marrë vendimin. Për çudi në Prokurori njërit prej autoriteteve të larta ushtarake ia ndryshojnë numrin e celularit nga 068 e bëjnë 069 dhe për çudi korrespondonte me numrin e një punonjësi të Ministrisë së Jashtme.
Pse kjo?
Për të hetuar thellësisht, për të parë nëse kishte lidhje Ministria e Jashtme ose jo? Ajo që unë mendoj është se për fatin e keq familjet që e kanë pësuar kanë mbetur pa trajtuar. Përveç plagës së madhe për humbjen e familjarëve, ata kanë qenë krejtësisht të patrajtuar, në një kohë që janë trajtuar ato që kanë pësuar dëme materiale. Do të ishte e domosdoshme që shteti apo Ministria e Mbrojtjes t’iu ofronin atyre një mbështetje financiare sado modeste qoftë. Unë kam tentuar ta kërkoj këtë edhe më parë, por çdo ndërhyrje e ime ka qenë e paragjykuar. Ka edhe një problem tjetër. Çështja më shumë u fokusua në aspektin politik-penal sesa u fokusua në aspektet e tjera. Ka patur një diskutim që unë kam patur me përfaqësues të familjarëve për zgjidhjen e çështjes civilo-administrative dhe padyshim përgjegjësitë penale të jepeshin sipas drejtësisë shqiptare dhe do të ishte shumë mirë që ndiqej në këto dy drejtime. Është vetëm një rast që është zgjidhur në Gjykatën e Lartë me dëmshpërblim, të tjerët nuk kanë mundur. Por, sidoqoftë ky rast mendoj se është një precedent i rëndësishëm edhe për të tjerët.