Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) duhet të ketë bërë gati një platformë për blerjen e energjisë online brenda datës 30 shtator të këtij viti.
Sipas një vendimi që Enti Rregullator i Energjisë kishte marrë në qershor të vitit të kaluar, OSHEE duhet të aplikonte blerjet online të energjisë me qëllim uljen e kostove vitin e kaluar, por Operatori i Shpërndarjes nuk ka mundur t’i respektojë këto afate duke aplikuar ankandet me negocim për blerjen e energjisë.
OSHEE sh.a. ka raportuar në Entin Rregullator se grupi i punës është ngritur me qëllim krijimin e platformës online për blerjen online të energjisë elektrike dhe është hapur procedura me objekt “ndërtimi i platformës elektronike të publikimit të të dhënave të blerësit dhe shitësit në funksion të blerjes/shitjes së energjisë elektrike”.
Ekonomizimi i blerjes së energjisë bëhet i domosdoshëm në këtë periudhë kur kriza e prodhimit të energjisë ka rritur shpenzimet për import.
Sasitë e mëdha të prokurimeve të energjisë jashtë vendit dhe në situatë emergjence kanë bërë që çmimet e importit të energjisë të jenë disa raste më të larta se në bursat rajonale.
Rregullorja e ERE e miratuar vitin e kaluar kërkon krijimin e një platforme IT online që duhet të përdoret nga OSHEE për të gjitha ndërveprimet me tregtarët e Energjisë Elektrike në procesin e blerjes.
Kjo platformë duhet të jetë e aksesueshme për përdoruesit online. OSHEE duhet të drejtojë kalendarin e ofertave dhe regjistrin e tregtarëve të energjisë elektrike. Të gjitha ofertat, koha e paraqitjes dhe detajet e ofertës duhet të ruhen në sistem për një afat 5 vjeçar.
Paraqitja e ofertave nga tregtarët e Energjisë Elektrike, bëhet online në sistem sipas një hyrje të paracaktuar në ditën e paraqitjes së ofertave. Koha e hapjes dhe e mbylljes duhet të publikohen në Kalendarin e Ofertave.
Sipas rregullores së tregtimit online, shqyrtimi i plotësimit të ofertave dhe vlerësimi i tyre, duhet të bëhet në mënyrë automatike përmes sistemit online të IT. Rezultatet e procedurave të tenderimit duhet të paraqiten në mënyrë automatike në ERE për shqyrtim dhe duhet të përmbajnë tregtarët e Energjisë Elektrike të cilët kanë paraqitur ofertat, të gjithë informacionin në dispozicion të ofertave të marra dhe ofertat e përzgjedhura. Gjithashtu OSHEE nëpërmjet sistemit online të IT duhet të publikojë rezultatet e blerjes në mënyrë anonime dhe të grumbulluar, me çmime mesatare dhe sasitë e blera për procedurat e blerjes.
Importi i energjisë ka kushtuar dy muajt e fundit rreth 54 milionë euro, teksa pritet që shpenzime të larta të kryhen prej thatësirës që po pengon prodhimin vendas.
/monitor