Nga Besnik Muçi
Episodi i fundit i “sagës Dvorani”.
Z. Dvorani si Anëtar i Gjykatës së Lartë (GJL) dhe Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Së pari cila është situate faktike dhe juridike e Z. Dvorani?
Ishte Gjyqtari i vetëm i GJL që i kishte mbaruar mandati në vitin 2014 dhe që priste zëvendësuesin për të lërë detyrën. Nga ky vit nuk është emëruar asnjë anëtar i GJL.
Cili është kuadri ligjor që rregullon këtë situatë faktike?
Kushtetuta, Neni 139, lidhur me mandatin e anëtarit të GJL parashikon se:
Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron në rastet e mëposhtme:
b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë.
Deklarimi i mbarimit të mandatit është një veprim thjesht deklarativ pasi shkaku i mbarimit është i qartë: ka përfunduar afati 9-vjeçar.
Sipas nenit 139 të Kushtetutës, para Reformës në Drejtësi, nuk ka qenë e nevojshme që GJL të deklaronte mbarimin e mandatit të anëtarit të saj në rast të kalimit të afatit 9 vjet. Thjesht pritej zëvendësuesi.
Neni 136 Lidhur me qëndrimin në detyrë të anëtarit të GJL parashikon:
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
Pra Kushtetuta ka dy koncepte te ndryshme: përfundimi i mandatit dhe qëndrimi në detyrë deri sa të vijë zëvendësuesi.
Tashmë të dy këto kritere faktike dhe ligjore janë të plotësuara. Z. Dvorani është me mandat të mbaruar dhe nuk mund të qëndrojë më në detyrë sepse i ka ardhur pasardhësi.
Krahasimi me mandatin e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese (GJK).
Neni 125 i Kushtetutës lidhur me mandatin e anëtarit të GJK:
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.
Cila është ndryshimi?
Mandati i anëtarit të GJK është individual. Pra emërimi, përfundimi i mandatit, shpallja e vakancës dhe zgjedhja e pasardhësit lidhet drejtpërdrejt me emrin e anëtarit. Kushtetuta dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikojnë procedurë individuale, të posaçme, për emërimin e pasardhësit të çdo anëtari të GJK.
Ndërsa për anëtarin e GJL, Kushtetuta parashikon vetëm mandat personal 9 vjet si anëtar. Kaq. As Kushtetuta dhe as Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë” nuk parashikojnë procedurë individuale, të posaçme, për emërimin e çdo anëtari të GJL.
Kushtetuta dhe Ligji për organet e qeverisjes, që rregullon në detaje procedurën emërimit të anëtarëve të GJL, nuk e lidh në asnjë moment këtë procedurë me emra konkretë që zëvendësohen. Por thjesht plotëson vendin vakant të lindur nga përfundimi i mandatit të anëtarëve të GJL.
Z. Dvorani ishte i vetmi anëtar i GJL që i kishte mbaruar mandati dhe i pazëvendësuar sepse nuk i kishte ardhur pasardhësi, jo i tij individualisht, por sepse nga mbarimi i mandatit të tij nuk ishte emëruar asnjë anëtar i ri në GJL.
Në momentin që Presidenti dekretoi anëtarin e parë të GJL, automatikisht duhej të linte detyrën. Thjesht sepse tashmë ka një pasardhës, jo të Z. Dvoranit personalisht, por të mandatit 9 vjeçar, që tashmë është bërë 15 vjet, të përfunduar. Edhe nëse do ishn tre anëtarë të GJL me mandate të përfunduar të tre do të kishin lënë detyrën automatikisht pas emërimit të tre anëtarëve të rinj.
Ka një problem tjetër: si duhet deklaruar përfundimi i mandatit? Fare thjesht që ditën që anëtarët e rinj mbërritën në zyrë mbledhjen e parë duhet të shpreheshin për përfundimin e mandatit të Z. Dvorani. Është detyrim Kushtetues. Mosparaqitja e kësaj çështjeje në rendin e ditës të mbledhjeve të GJL nga Kryetari aktual ngjan me anektdotën “topin e kam unë penalltinë do e gjuaj unë”.
Në fakt, që në datën 22.07.2016, kur hynë në fuqi ndryshimet e Kushtetutës, GJL kishte detyrim kushetues të shprehej për mbarimin e mandatit të Z. Dvorani. Tani është e tepërt t’i kërkohet Z. Dvorani të “presë pemën ku rri vetë”.
Në përmbajtje dhe në formë mandati dhe funksionet e tij si anëtar GJL kanë përfunduar dhe kjo nuk do shumë mend e kalem.
Me logjikën e kundërt mandati i Z. Dvoranit mbaron kur të emërohet anëtari i fundit i GJL. E me këtë ritëm emërimesh do i përfundojë sipas gërmës “a” të pikës 1 të nenit 139 të Kushtetutës.
Së dyti qëndrimi në detyrën e drejtuesit të KED për më shumë se një vit humbet kuptimin dhe qëllimin e nenit 221 të Ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” që parashikon se zgjedhja e anëtarit të KED nga GJL, rrjedhimisht Kryetar i saj, bëhet me short nga anëtarët e GJL. Duke qenë anëtari i vetëm i GJL ky funksion i rëndësishëm kushtetues nuk shortohet por ishte paracaktuar.
Së treti, moralisht Z. Dvorani duhet të largohet nga ai post pas draft opinionit të Komisionit të Venecias, kërkuar nga Kuvendi, lidhur me zgjedhjen e Anëtarëve të GJK.
Së fundmi, cili është roli i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) në këtë situatë?
Ne si juristë kur nuk duam ta zgjidhim një çështje shpikim çdo lloj preteksti, mungesë të kompetencës, procedurën, hetimet e paplota, konfuzioni, paqartësia, nevoja e opinoneve ose mendimeve etj. Në fakt ndohemi para një situate të qartë dhe të thjeshtë.
Si organ emërtese, në thelb për anëtarët e GJL, KLGJ ka një rol thelbësor në funksonimin e këtij institucioni. Pra ka rolin që para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 e kishte Kuvendi i Shqipërisë. Në këto kushte ky organ legjitimohet plotësisht ratione materiae dhe menjëherë duhet të ishte shprehur lidhur me faktin që Z. Dvorani nuk mund të qëndrojë më në detyrë dhe t’i kërkonte GJL që në mbledhjen e saj më të afërt të konstatonte këtë fakt.
Lidhur me opinionet e EURALIUS dhe OPDAT sjell në vëmendje sugjerimin që i dhanë vitin e kaluar KLGJ për plotësimin me Anëtarë provozorë të GJL. Askush nuk e kujton më. Në fakt është për t’u harruar sepse ishte një propozim në shkelje flagrate të parimit themelor të një gjykate të pavarur dhe të paanshme: patundshmëria në detyrë e gjyqtarit. Që nënkupton faktin se pas zgjedhjes, gjyqtari, anëtari i GJL në këtë rast, nuk mund të shkarkohet, transferohet, t’i ulen përfitimet financare etj. Të mendojmë sa e pavarur do të ishte një GJL me anëtarë provizorë!?