Emergjenca energjitike, Rama prezanton planin me 3 pika të qeverisë për përballimin e krizës (film)

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat për të komunikuar paketën e masave për përballimin e emergjencës për energjinë elektrikeVetë kreu i Qeverisë ka deklaruar se kjo paketë do të jetë në mbrojtje të konsumatorit familjar dhe të biznesit të vogël për të përballuar efektet që do të ketë kriza energjitike.

Rama ka thënë se qeveria ka hartuar një plan me tre pika ku garantohet furnizimi pa ndërprerje me energji elektrike, mos rritja e çmimit për familjet dhe biznesin e vogël si dhe një fond likuid për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Lexo edhe

“Plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjitike ka tre pika:
1- Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
2- Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3- Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike
– vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.” tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Nuk do ta bëj kurrë, që t’iu them kush ka le të paguajë, kush nuk ka të rrijë pa drita. Por ama nuk jam këtu as për të thënë punë e madhe nëse rrëzohemi të gjithë nesër. Nuk jam këtu as për të heshtur kur thoni se Shqipëria e prodhon vetë gjithë energjinë që i duhet. Në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë gjithë energjinë që i duhet. Ne e blejmë shtrenjtë, sepse dalim në treg, kur nevoja për energji bëhet alarmante. Ndaj po e ndërtojmë Skavicën, në mënrtë që ujin e tepërt sot, kur kemi shi, ta mbajmë për nesër, kur kemi thatësirë.

Ne nuk e prodhojmë vetë as naftën që konsumojmë për mjetet. Nafta jonë është e rëndë, ajo shitet jashtë për nënprodukte. Shqipëria importon 600 mijë tonë naftë në vit për diezel e benzinë. Sot janë më të shtrenjtat në rajon diezel e benzina, sepse në çmimin e naftës është brenda edhe taksa e qarkullimit, që në rajon paguhet veçmas, siç është brenda edhe një taksë karboni, sepse mjedisin nuk e ndotin pensionistët, invalidët, fëmijët, etj, por mjetet. Halli nuk mund të qahet, duke thënë se shteti duhet të paguajë. Si dreqin mund ta mbështesë qeveria gjithë atë shtresë në nevojë, nëse kush ka më shumë, nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë, paguan më shumë.

Sot që flasim, një tabelë është këtu, shumëkush ankohet se çmimi i naftë është rritur përtej imagjinatës, por po të kthehemi te faktet, sot diezel e benzina janë më lirë se më 2013. Nëse nuk harroni faktet e djeshme, gjykoni më mirë sot. Unë sot nuk ju them dot ‘Dilini zot vetes edhe për çmimin e energjisë’, pasi detyra jonë është të jemi shoku i mirë në ditë të vështirë, për të gjithë ata që nuk janë në gjendje të përballojnë sfidat e jetës, dhe as pasojat e krizave.

Por, duke refuzuar kategorikisht cdo pretendim se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe duke thënë se kjo krizë mund të jetë me pasoja monetare të rënda për vendin, unë ju them: plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, bizneset e vogla. Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në verën e ardhshme. Plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhën, ndërkohë që qeveria po përgatit një konsultim kombëtar.

Ditën e djeshme u botua në fletoren zyrtare 6 vendimet e reja që do të futen në zbatim për të përballuar këtë krizë energjitike. Vendimet përfshijnë pezullimin e të gjitha planeve dhe investimeve të KESH-it, OST-së dhe të OSHEE-së, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Për menaxhimin e kësaj gjendje është ngritur një grup ndërinstitucional, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike do të zgjasë deri me 15 prill 2022.

Të Lidhura

Para