Personi që shihni në foto është Dorjan Keqi, autor i dyshuar për vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të lartë të Veriut, Sajmir Jakut. Keqi u arrestua nga policia e Lezhës, disa vite pas krimit të rëndë.
Ngjarja kriminale ku u vra Jaku dhe u plagos një shok i tij ndodhi në Mirditë më 9 shtator të 2016-ës. Burime zyrtare bënë me dije se në banesën e vrasësit me pagesë, u gjetën dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Dy persona të armatosur qëlluan për vdekje drejtuesin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Sajmir Jakun ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku u qëllua me kallashnikov, teksa ishte duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan.