Nga Gilman Bakalli
Eduart Ndocaj, deputeti burrnor nga Lezha mund të jetë ballë për ballë Edi Ramës për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Deri në mars ama, të paktën në një pikë, Edi nga Lezha është qysh tani denjësisht krah për krah Edit nga Tirana. Përballë kamerave të televizionit! Qysh kur e njihni deputetin “kaubojs”? Tash një vit, nëntë muaj, gjashtë muaj? Jo! Kanë kaluar veçse tre muaj qysh se malësori Eduart Ndocaj u bë pjesë e parlamentit shqiptar dhe një teleshikues mesatar shqiptar di tashmë thuajse gjithçka për të. Kanë kaluar veçse tre muaj qysh se kamerat televizive dhe Eduart Ndocaj gjetën njëri tjetrin. Verbazi si çdo dashuri perfekte! Kudo bashkë, në ditë të mira e në ditë të këqija, në bamirësi apo kërcënim, akuzë apo urim. Gjithçka para kamerave. Kudo bashkë, në një shfaqje të përditshme imazhesh të pafundme, që nuk lënë cep të jetës së Eduartit pa ndriçuar. Eduart Ndocaj është i pari deputet malësor që ka vendosur të mos e çojë kohën dëm. I vetmi deputet, i cili, brenda tre muajve nuk ka lënë asnjë studio televizive në Shqipëri pa shkelur. I vetmi deputet malësie që flak ndrojtjen proverbiale të veriorit para kamerave dhe kupton se, për një politikan, një kohë larg kamerash është një kohë e vdekur. Me gjasë, i ndjekur nga dëshira e ethshme për t’i dhënë jetë asaj kohe të stërgjatë kaluar larg kamerash si anonim, i panjohur për publikun, me gjasë, i ndjekur nga një dëshirë e ethshme për të fituar statusin e një njeriu të lakmuar mediatikisht në vend, në çdo lëvizje të tij në rrugë, vetëm apo me miq, me makinë apo në këmbë, me syze apo pa syze, me kapele apo kapele, duke shkuar në parlament, duke dalë në xhiro me familje, duke biseduar me hallexhinj në rrugë, në çdo moment pranë tij është edhe një kamera, e cila shkrep foto, të cilat dërgohen menjëherë në televizion apo internet. Qindra a mijëra ndjekës në facebook apo televizor nëpër largësira anonime qëndrojnë para ekraneve televizive apo kompjuterike dhe shohin nga afër, se si punon Eduarti, si shkruan ai, si dhuron, si e nis makinën, marrin vesh se ku e ka blerë makinën, sa kapele lëkure ka, sa shpirt i ndjeshëm është ndaj padrejtësive sociale e kështu me radhë. Shkurt, qindra e mijëra anonimë nëpër rrjete sociale dhe televizor marrin pjesë në jetën private të deputetit malësor lezhjan. Disa admirues, të cilët s’e kanë takuar kurrë më parë Eduartin, por e njohin atë prej ekranit më mirë se çdo njeri tjetër, zgjedhin herë pas here foto të tij dhe i shpërndajnë në rrjet. Përveçse si dëshmi e një devotshmërie të brendshme, me këto foto ithtarët e “kaubojsit” krijojnë në web-site një altar të politikanit dhe i shërbejnë këtij si një prift online.
Thuajse çdo ditë Eduart Ndocaj na fton ne, vizitorëve të fshehtë, t’i falemi altarit të tij virtual dhe të përjetojmë në heshtje, Hiçin e këtij altari si një sensacion intim. Deputeti nga Lezha mund ta shumëfishonte ndjeshëm pasurinë e tij po të kërkonte qoftë edhe një qindarkë për çdo klikim që çon në ekzistencën e tij virtuale, e cila eliminon gjithçka që deri tani mund të quhej personale. Por aspekti financiar është gjëja e fundit që i intereson atij. Ajo që i intereson realisht është lakmia e pangopur për ekzibicionizëm, lakmia për t’u shfaqur, për t´u zbuluar. E cila është një lakmi që nuk mund të kënaqet kurrë. Ashtu si koprraci që, me gjithë paratë e stivosura nuk ia del kurrë të bëhet dorëlëshuar, edhe ekzibicionisti më i zellshëm, duke i hequr rrobat një nga një, nuk arrin kurrë tek përfundimi fatlum se tashmë e ka shfaqur mjaftueshëm lakuriqësinë e tij.
Ka vetëm një mundësi për ta kënaqur lakminë e politikanit tonë nga Lezha: Sikur jeta e tij të mund të transmetohej jo thjesht përmes fotove, por në mënyrë të plotë, pa ndërprerje. Kjo do ta lumturonte atë, sepse në harkun kohor që nderet pambarimisht midis dy shkrepjeve të kamerave, ai është i vdekur. Është i vdekur, sepse koha midis dy shkrepjeve është një kohë e pajetuar për të.
Vetëm duke qenë publikisht i lakmueshëm dhe brenda kameras deputeti burrnor nga Lezha bie në qetësi. Asgjë e keqe nuk mund të ndodhë për aq kohë sa qëndron në ekran. Çdo kërcënim me jetë fashitet për aq kohë sa qëndron ekraneve të celularit a televizorit. Sikur të arrihej të shpikej një kamera që funksionon pa ndërprerje, që regjistron automatikisht një film pafundësisht të gjatë, sikur të ekzistonte pra një Zot, forca e të cilit të ishte pafundësia e të dhënave, shpejtësia e transmetimit dhe omniprezenca nëpër të gjitha ekranet e globit, atëherë Vdekja nuk do kishte më asnjë shans, sepse Vdekja për dashnorin e kamerave nuk vjen kur e thërret i Plotfuqishmi. Vdekja e njëmendtë vjen kur kompjuteri dhe televizori fiken, kamerat largohen nga skena dhe dritat shuhen.
/mapo.al/