Një 38-vjeçare jetoi tmerrin e madh për pesë ditë të tëra në Nea Joni.
Partneri i saj 58-vjeçar e mbajti të lidhur me zinxhirë për të paktën pesë ditë, siç raportojnë mediat greke, ndërsa në të njëjtën kohë e abuzonte seksualisht.
Dramës së saj i kanë dhënë fund fqinjët, të cilët në një moment kanë dëgjuar zëra dhe kanë lajmëruar policinë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur policët, ku fqinjët u kanë treguar vendin ku janë dëgjuar zërat.
Pasi kanë gjetur banesën dhe i kanë rënë ziles, 58-vjeçari ka hapur derën. I pyetur nga policia se çfarë “po ndodh këtu”, ai është përgjigjur “gjithçka është në rregull”. Policia, megjithatë, pa një grua brenda në shtëpi, e cila u dha disa sugjerime.
Policët kanë hyrë brenda dhe gruaja ka raportuar se partneri i saj po e përdhunonte teksa i drejtonte armë në kokë.
Bëhet me dije se pas kontrollit të policisë në shtëpi, ndër të tjera u gjet një karabinë, për të cilën 58-vjeçari kishte patentë, si dhe një armë ushtarake.
58-vjeçari u arrestua me akuzën e dhunës në familje, sulmit seksual, ligjeve të armëve, ndërsa ai mohoi akuzat.