Nga Ben Andoni
Ka pak gjasa që Ligji i Luftës me Greqinë të hiqet ndonjëherë. Arsyeja është e thjeshtë: Vazhdueshmëria dhe qëndrueshmëria e politikës greke ndaj Shqipërisë është konsistente. Jugu i Shqipërisë, Problemi Çam do qëndrojnë për shumë vite të tjera pezull mes dy vendeve. Me pak fjalë, që dekreti i njohur të mund të abrogohet, duhet të bëhet vetëm me anë të një vendimi të nënshkruar nga kryeministri, nënshkruar nga ministrat e punëve të jashtme, të financave dhe të drejtësisë greke, i cili, vlefshmërinë e tij juridike e plotëson vetëm kur të arrijë të botohet në Gazetën Zyrtare të Greqisë. Këtu mbaron ky makth dhe ky qëndrim absurd mes dy vendeve tona. Anipse zgjidhja e problemit është dukur se është avitur shumë herë, nuk ka ndodhur. Kjo, pasi, ministrat shqiptarë të viteve të post ’90, e kanë shpallur me të madhe si sukses faktin që thjesht e kanë artikuluar si problem!!! Në vend, që të njëjtën gjë të mund të bënin, për shembull për problemin Çam, pas të cilit duken realisht karatët nacionalistë të vendit tonë kah Greqisë.
Ligji i Luftës të bën konfuz, sepse megjithë argumentimet se ai nuk ekziston, dokumenti zyrtar i heqjes së tij, ende nuk duket. Në të gjithë këto vite, ku Greqia dhe Shqipëria kanë pasur up and down e tyre, Greqia nuk ka bërë edhe hapin më normal që aktin ta legjitimonte përmes një dokumenti formal, që do sjellë pastaj edhe çlirimin e të gjitha procedurave të hallkës.
Në rastin tonë, orët e fundit referuar deklaratës së bërë nga Ministri Bushati dhe cituar nga MPJ, u tha se: “Jam shpresëplotë që me palën greke do të avancojmë me abrogimin e ligjit të luftës, për të na dhënë mundësinë që të mbyllim kështu çështjet e kapitujve historikë, të Luftës së Dytë Botërore”. Dhe, përgjigja e Presidenti Pavlopoulos ishte se: shprehu vullnetin për të pasur marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në funksion të së ardhmes së përbashkët euro-atlantike.
Kjo e plotëson argumentin, pasi janë fjalë të stërpërsëritura dhe që duket hapur se nga pala greke heqja e Ligjit të Luftës nuk do bëhet ose nëse do të bëhet, atëherë ajo do të shitet me një çmim të madh. Sepse ka një fakt, që e bën Greqinë, anëtare të BE-së, tejet të pasinqertë me Shqipërinë, nëse e ka abroguar Ligjin e Luftës me Italinë pushtuese, prej të cilës Shqipëria hyri në luftë, si shtet satelit, si mund të mos e heqë të njëjtin Ligj me Shqipërinë!!!
Për hir të së vërtetës, duhet pak histori për të kuptuar gjenezën e problemit. Shqiptarët e të gjithë qeverive kanë kërkuar gjithnjë një dokument autoritar, i cili konfirmon nga ana juridike abrogimin e Dekretit mbretëror grek të 10 nëntorit 1940, që e shpallte Shqipërinë vend armik, pas sulmit nga territori i saj të fqinjit grek dhe madje edhe shpalljes së Luftës nga qeveria kuislinge e kohës, drejtuar nga Shefqet Verlaci.
Paçka pretendimeve greke, që u theksuan në Konferencën e Paqes, damka e Shqipërisë i është hequr që me aderimin në këtë Traktat me Italinë dhe në zbatim të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 480, datë 9 tetor 1947, ajo u cilësua “fuqi shoqe” për zbatimin e atij Traktati. “Palë e tij është edhe Greqia, e cila me Dekretligjin Nr. 432, datë 22 tetor 1947, e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë. Sipas Traktatit, Italia angazhohej që të respektonte pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar dhe t’i deklaronte të pavlefshme të gjitha aktet e shpallura prej saj për Shqipërinë, ku përfshiheshin edhe ato të përfunduara nga autoritetet e vendosura në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943, me shëmbëlltyrat e tyre shqiptare të instaluara prej saj. Nga interpretimi i përmbajtjes tërësore të Traktatit del qartë konkluzioni se aderimi i Greqisë në Traktat, në raportet e saj me Shqipërinë, veçanërisht pas aderimit të kësaj të fundit, në tetor të vitit 1947, ishte i barasvlershëm me heqjen e ligjit të luftës me efekte ex tunc, edhe pse ai, siç u tha, ishte i pamotivuar juridikisht”, thotë Profesor Ksenofon Krisafi në argumentimin e tij të këtij Ligji.
Në të njëjtin Traktat, Shqipëria, që drejtohej nga Enver Hoxha, pasi arriti e u rreshtua në vendet anti-fashiste mori reparacione lufte nga dy prej fuqive kryesore të Boshtit fashist, Gjermanisë dhe Italisë. Që do të thoshte se Shqipëria e vërtetë ishte Shqipëria e këtij dokumenti dhe jo ajo e Vërlacit. Pas gati çerek shekulli, më 6 Maj të vitit 1971, Greqia dhe Shqipëria u dakorduan për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e përfaqësive diplomatike respektive, në nivel ambasadash, në kryeqytetet e tyre. Sipas Krisafit, sërish ky është një akt i barasvlershëm me heqjen ipso jure dhe ipso facto të gjendjes së luftës. Në fakt, aktin më të madh e bëri njëri nga pinjollët Papandreu, i cili në postin e kryeministrit më 23 prill 1986, deklaroi në Parlamentin grek se “heqja e gjendjes anormale të luftës me Shqipërinë është vendosur përfundimisht nga qeveria”. Dhe, një vit më vonë, kjo u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i shtypit dhe informacionit të Presidencës qeveritare greke, Sotiris Kostopullos, që teksa njoftoi komunikatën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të asaj dite, deklaroi se karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari. Edhe pse atë kohë u duk si ndryshim, Presidenti grek i kohës dhe Parlamenti nuk reagoi për të mos thënë se ishin kundër tij.
Me të drejtë nëpër vite, Shqipëria, kërkoi dhe vazhdoi të kërkonte një hap realisht institucional, që të vërtetonte vullnetin e mirë të palës greke. Kjo e fundit, më 26 mars të vitit 1996, teksa nënshkroi në Tiranë Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe i Sigurisë, konfirmoi me zyrtarët e vet, se ky Traktat është përgjigjja më e mirë kundër të ashtuquajturit Gjendjes së Luftës mes dy vendeve tona.
Veçse tre vjet më vonë me notën F. 237/269, datë 28 qershor 1999, në përgjigje të interesimit të ambasadës shqiptare në Athinë, Ministria e Punëve të Jashtme greke konfirmoi zyrtarisht se “Ligjet greke Nr. 263/1940 dhe 4506/1966 janë ende në fuqi”. Që do të thoshte se Ligji i Luftës mbetej në fuqi.
Publiku u ndërgjegjësua dhe njëherë për absurditetin, kur komisionieri i tanishëm evropian, por 3 vjet më parë si Ministër i Mbrojtjes së Republikës Greke, Dimitris Avramopullos, deklaroi në Tiranë më 4 nëntor 2013 se “Ligji i Luftës” nuk ekziston” në Greqi! Referenca e tij mbetej vendimi i 28 gushtit 1987 kur qeveria greke “shfuqizoi” , “Ligjin e Luftës”, por që s’u pranua kurrë nga Presidenti dhe as nga Parlamenti grek!
Në përfundim duam të themi edhe njëherë se Ligji i Luftës ka pak gjasa të abrogohet sepse interesi për të mbajtur atë është i madh. E para për të eliminuar çështjen çame, e dyta për të mbajtur të gjallë interesin konstant për Jugun e Shqipërisë dhe pretendimet e mosrespektimit të minoritetit grek në Shqipëri. Presidenti Papulias me lidhjet e tij historike me Shqipërisë mund të ishte ideator i një ndryshimi realisht historik, por më 4 nëntor 2013, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Papulias u shmang dhe madje as nuk e përmendi fare “Ligjin e Luftës”!
“Ligj i luftës” vërtetë de facto nuk ekziston por de jure është në fuqi dhe fakti që nga ana e palës greke nuk merren masa që ky absurditet të mbarojë s’është për t’u habitur. Kjo e justifikon atë ngrefosje të lloj-lloj qarqesh kundër Shqipërisë dhe urrejtjen e shumë organizatave ndaj shqiptarëve. Edhe pse nuk duhet harruar kurrë dhe realisht jemi mirënjohës për qindra mijëra shqiptarët që gjetën vatër në Greqi dhe u shkrinë me popullin grek. Anipse është e lodhshme dhe e bezdisur që këngët antishqiptare në paradat ushtarake, pretendimet për minoritetin grek në Shqipëri, mënjanimi i çështjes Çame, kërkesa për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, ku synimi i përhershëm për helenizimin e Jugut vazhdon edhe tani që jemi anëtarë të familjes së madhe Evropiane. Ndaj, theksojmë se nuk ka gjasa për heqjen e Ligjit të Luftës dhe as për çështjen çame, ajo mbetet temë vetëm për vizionarët qeveritarë. Që për fat të keq mungojnë ende në të dy vendet tona.
/javanews.al/