Publikohen të tjera detaje nga vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi. Jeton Vllasaliu, i cili akuzohet për vrasjen e Rexhepit, në aktakuzën e plotë ka pranuar fajësinë por deklaroi se e ka vrarë aksidentalisht. Në dëshminë e tij Jetoni tregon se ditën e ngjarjes, ata kanë qenë të dy duke pirë kafe ku më pas kanë pasur një debat i cili degradoi në përplasje fizike.
Në këtë moment autori e ka kapur prej fyti Rexhepin, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka mbajtur derisa nuk ka lëvizur më. Por në fakt, prokuroria hedh poshtë dëshminë e tij duke theksuar se vrasja e biznesmenit ishte e planifikuar nga Jetoni dhe vëllai i tij Nexhati rreth 4 muaj para kryerjes së saj.
Bedri Rexhepi u denoncua si i zhdukur më 8 prill të vitit 2021 dhe një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij e braktisur. Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili ishte i dyshuari kryesor në atë që fillimisht u konsiderua si i rrëmbyer. Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.
Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira. Prokuroria ditën e djeshme ka konfirmuar se janë gjetur eshtrat e Rexhepit, duke konfirmuar kështu vdekjen e tij.