Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë organizoi një takim sensibilizues kundër kancerit të gjirit, me gra e vajza të njësive administrative 6 dhe 7 më Tiranë. Me fushatën sensibilizuese të LDGSH “ E duam veten, e duam jetën”, u bashkuan figura të njohura të politikës, mjekësisë, medias, artit dhe shoqërisë civile, si Tritan Shehu, mjekët Mirela Tabaku, Arben Beqiri, Henrik Zoto, aktivistët e shoqërisë civile Egla Bardhi dhe Adriatik Lapaj, moderatoja e njohur e emisionit investigativ BOOM Fiori Dardha, si dhe pedagogia e arteve Taulanta Jupi. Ata ndanë më gratë dhe vajzat eksperiencat e tyre profesionale e personale, duke dhënë mesazhin se kontrolli i rregullt, nëpërmjet mamografisë, mund të shpëtojë jetë.
Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, vuri në dukje shkakun e lartë të vdekshmërisë në Shqipëri, tek gratë e prekura nga kanceri i gjirit, për shkak të diagnostikimit në stad të avancuar dhe mungesës së kujdesit të duhur shëndetësor për këtë kategori.
“Në Shqipëri ka një vdekshmëri shumë më të lartë se në vendet e BE, pasi mungojnë kurat, shërbimet, shtyhen afatet për seancat e kimioterapive, nuk funksionojnë aparatet e mamografive edhe në qendër të Tiranës, edhe gjatë muajit tetor, që duhet të jetë muaji i sensibilizimit, mungojnë mjekët e specializuar për problemet e gjirit, mungon baza e të dhënave për persona e prekur nga sëmundjet tumorale, duke pamundësuar planifikimin e kurave të mjekimit”- u shpreh zonja Vokshi.
Kryetarja e Forumit të Grave Demokrate u bëri thirrje grave dhe vajzave që të gjithë të bashkohen në betejën për shëndetin e për jetën, pasi kjo betejë nuk duhet të zgjasë vetëm një ditë apo një muaj, por në 365 ditë të vitit.
Mirela Tabaku, mjeke pedagoge e gjenetikës mjekësore vuri në dukje se çdo vit në spitalet publike në Shqipëri evidentohen rreth 700 raste të reja të grave më kancer gjiri, ndërsa çdo vit humbin jetën 230 gra me këtë sëmundje. “Problemet kryesore vijnë nga një sistem shëndetësor shumë burokratik, që kujdeset vetëm për fasadën. Me paratë që shkojnë për koncesionin e laboratorëve mund të ishin mbuluar të gjitha testet e grave të prekura, si dhe mjekimet për shërimin e tyre. Ky muaj të jetë një thirrje për të shkundur qeverinë e të bëjnë dicka për veten e të ardhmen e fëmijëve të tyre.”- apeloi mjekja Mirela Tabaku.
Tritan Shehu, duke këshilluar vajzat dhe gratë të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme për ta kapur në kohë sëmundjen, theksoi ndryshimin mes Shqipërisë dhe vendeve të BE.
“Vdekshmëria e tumoreve në Shqipëri është rreth 70%, ndërkohë që në BE është rreth 30%. Diferenca vjen nga mjekimi dhe diagnostikimi, kapja në kohë, një organizim i mirë i sistemit shëndetësor për ta bërë të aksesueshëm nga çdo qytetar. Nuk jam kundër check up, por jam për ato check up që kryejnë të plotë profilaksinë, që kapin në kohë sëmundjen pa spekuluar, jo të krijojnë piramida për të vjedhur dhjetëra mln euro pa bërë asgjë.”- u shpreh zoti Shehu, i cili solli në vëmendje se sa pak kujdeset qeveria për kurimin e pacientëve me tumor. “Shpenzimet ne buxhet për kimiopreparatet janë 5.4 milionë euro në vit, por, minimalisht, duhet të jenë 12 milionë euro në vit.” – tha Tritan Shehu.
Mjeku Arben Beqiri u tha grave dhe vajzave se ato mund të jenë mjekët më të mirë të vetes. “Kanceri i gjirit është një patologji lehtësisht e diagnostikueshme, lehtësisht e kurueshme.”- u shpreh Arben Beqiri, i cili ka shërbyer edhe si ish zëvendësministër i Shëndetësisë në qeverinë e PD. Ai solli në vëmendje vullnetin e PD për reformat e duhura në sistemin e shëndetësisë. “Keto reforma do të sjellin transformim të rëndësishëm drejt realizimit të një shërbimi tepër të prekshëm e të matshëm, me qëllim që të mos diskutohet në një vend si ky i yni, pamundësia për trajtim të kancerit të gjirit për arsye të pamundësisë ekonomike”- tha zoti Beqiri, duke apeluar për kujdes më të madh. “Të gjithë t’i bashkohemi një fushate të vazhdueshme për t’i thënë stop një sëmundje të diagnostikueshme e të kurueshme siç është kanceri I gjirit.”
Aktivistët e shoqërisë civile Egla Bardhi dhe Adriatik Lapaj u ndalën në faktin që sistemi shëndetësor ka qenë më pak i vlerësuar dhe i financuar nga qeveritë, për pengesat e panumërta që pacientet hasnin në sistemin shëndetësor, mungesën e kurave e medikamenteve. Ata bënë të ditur se pasi kanë përdorur shumë mënyra demokratike si protesta, artikuj në media dhe denoncime televizive për të ngritur zërin kundër padrejtësisë në kurimin e keq të pacientëve me tumor, tani i janë drejtuar sistemit të drejtësisë. Ata kanë fituar 3 raste për mungesë mjekimi dhe pacientët kanë fituar dëmshperblim miliona Euro. “Qëllimi nuk është ky, por trajtimi me dinjitet i të gjitha grave dhe respektimi i të drejtave të tyre kushtetuese”- thanë aktivistët Egla Bardhi dhe Adriatik Llapaj.
Autorja dhe moderatorja e rmisionit investigativ “Boom” Fiori Dardha tregoi rastin personal me nënën e saj, e cila u diagnostikua 5 vjet më parë me kancerin e gjirit. Në një rrëfim prekës, Fiori tregoi për rastësinë që solli në diagnostikim në fazë shumë të hershme të sëmundjes dhe luftën 5 vjeçare me tumorin që u fitua nga nëna e saj dhe e gjithë familja. “Kur sëmuret nëna në shtëpi, duket sikur sëmuret gjithë familja. Por mund t’ju them se diagnostikimi në kohë është një ndihmë shumë e madhe. Sot mamaja ime gëzon shëndet të plotë, falë Zotit dhe mjekëve. Ndaj them se mjekët shqiptarë janë heronj të vërtetë. Mua më ka ndodhur me dhjetëra herë që me mamanë time t’i siguroj ilaçet e kimios disa ditë para seancës vetëm që të paktën t’i hiqja stresin e mungesës së ilaçeve. Ky realitet vazhdon edhe sot. Përveç aktiviteteve dhe fjongove rozë, realiteti në QSUT është krejt tjetër. Ndaj thirrja ime për çdo grua është që të tregojnë kujdes ndaj vetes dhe të mos ngurrojnë të kryejnë vizita mjekësore.”- theksoi Fiori Dardha.
Henrik Zoto, mjek pranë shërbimit të onkologjisë në QSUT u ndal në disa prej faktorëve që shkaktojnë sëmundjen, ekzamimimin, shancet për kurim. Ai u shpjegoi grave dhe vajzave në aktivitetin sensibilizues të LDGSH “E Duam veten, e duam jetën” se vetëdiagnostifikimi është një nga mënyrat për të zbuluar sëmundjen dhe për të shpëtuar jetën. Mjeku Henrik Zoto dha këshilla të vlefshme për çdo grua për rrugën që duhet ndjekur që nga vetëdiagnostikimi, ekzaminimi, konsultimi dhe kurimi i sëmundjes së kancerit të gjirit.
Në aktivitetin sensibilizues të Lidhjes Demokratike të Grave të Shqipërisë Onelda Zefi, ish punonjëse sociale pranë shërbimit onkologjik në QSUT, ndau me gratë eksperiencat e saj dhe ndihmën në aspektin psikosocial që u nevojitej atyre, në mënyrë që të përballonin sa më mirë betejën me sëmundjen. Pjesë e aktivitetit për ndërgjegjesimin e grave dhe vajzave ishte edhe pedagogia e arteve, Taulanda Jupi, e cila interpretoi me një nivel të lartë artistik dhe emocional një monodramë, frymëzuar nga rastet e grave të prekura me kancer gjiri.
Aktivitete të ngjashme sensibilizuese, LDGSH ka planifikuar të organizojë edhe në degë të tjera të Tiranës dhe disa qytete të tjera të vendit.