“Duhej të dukej si grabitje”, Nuredin Dumani rrëfen vrasjen e Fatmira Dedajt

0
71

Rrëfimi i Nuredin Dumanit dhe i Henrik Hoxhës ka shkuar në ngjarje të rënda që kanë nisur rreth 15 vite më parë.

Viktima e parë që ata kanë nxjerrë në dëshminë e tyre është Elvis Dedaj, nga Kavaja, i ekzekutuar pasditen e 5 qershorit të vitit 2012. Atentati iu bë në vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës dhe mbi të u lëshuan një mori plumbash.

Ngjarja mbeti e pazbardhur deri sa rrëfyen Dumani dhe Hoxha duke bërë përgjegjës për atë krim të rëndë shokun e tij të ngushtë.

Por ajo që ka tronditur së tepërmi policinë dhe prokurorinë është vrasja mizore që iu bë nënës së Elvisit, Fatmirës, një vit më pas: Festimi (Bëhet fjalë për Festim Qolin) më tha se mu ka qepur keq ajo Fatmira, nëna e Elvisit dhe se i duhej një person për ta hequr qafe se po shkon çdo ditë në prokurori. Unë fola me Talo Çelën dhe ia afrova si mundësi pasi Festimi më tha se hidhet 40 mijë euro për vrasjen e saj. Talo e pranoi ofertën. I kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedës.

E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën, i cili kishte një makinë “Suzuki” ose “Toyota” me portobagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte ku shkoi.

Talo donte ta bënim tek varrezat pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Mbasi folëm me Festimin ai më tha që të bëhej tek garazhi, pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje, pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj.

Për çdo lëvizje që bënte Fatmira unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin të cilin e informoja për çdo lëvizje, por jo për planin.

Petriti merret me biznes. Ka pas ndërtuar pallate, me sa di ka dhe 2/3 peshkarexhe për peshkim. Mesa di ka dhe një piceri Erdogan ngjitur me ish-Apolloninë që u shemb pas tërmetit.

Petriti është diku sot te 50-55 vjeç, është 1.80 m i gjatë, i shëndoshë mban mjekër gjithmonë. Është i martuar po s’ka fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën te garazhi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit.

Mua më ka thënë që ishte në Itali, por mesa mora vesh më vonë nga biseda më të se kishte qenë në Greqi…. Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që para se të kryhej vrasja duhet të ishte jashtë shteti.

Kjo me qëllim që Policia mos të kishte dyshime tek ai. Unë e lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Unë e di që iku për në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di unë iku jashtë.

Na dha 2 telefona “nokia” të vjetër Petriti vëllai i Festimit. Një për mua një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Agroni di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç. Aktualisht, nuk e di se ku punon Agroni.

Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën… Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi, u nisa mbas saj me makinë tek garazhi, hymë njëkohësisht te garazhi.

Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha te parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte.

Talo kishte dhe armën me vete po s’e përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eliminuar. Ajo ishte e shtirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushte dhe shqelma ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot…/Panorama