Nga Mentor Kikia
Një i njohur, në një agjenci ku paguhen drita, gjoba… më njoftoi se kisha një gjobë 12.000 lekë të reja nga policia rrugore. U interesova dhe më thanë se ishte gjoba që kisha marrë tek “Qofte Tymi”, Rruga e Kavajës, në 3 Qershor.
“Po e mbaj mend -, i thashë personit që po më sqaronte.
Ishte mëngjes, trafik, bori… dhe gjëja e fundit që çova ndërmend ishte të vija rripin e sigurimit. Polici më ndaloi, e më tha:
– Rripin se kë vënë.
– E drejtë “shef”, por ja trafik, s’ka rrezik. Ndjesë…
– Ka rrezik s’ka rrezik, rregullorja është rregullore! Duhet të paraqitesh në komisariat. Në televizor kërkoni zbatimin e ligjit ju, këtu se zbatoni.
– Ke të drejtë “shef”…
E kisha harruar edhe shefin, edhe gjobën, edhe rripin, derisa më erdhi mandata sot, 120 mijë lekë, kur i themi ne me të vjetrat. Kishte brenda edhe një kamatë vonesë, pasi vendimi i komisionit ishte marrë në 3 korrik dhe unë paguaja kamatë për këtë 1 muajshin, kur gjoba nuk ishte vendosur ende.
– Por ka edhe një arsye tjetër -, më tha personi që më sqaroi. Eshtë vepër e përsëritur, dhe kur përsëritet vepra, rritet gjoba.
– Ke tejkaluar shpejtësinë në 2016.
– Po e mbaj mend, në Vlorë – Fier. Në njërën anë të urës ishte shpejtësia 80 në anën tjetër 40. Tek tabela me 40 rrinte natë e ditë një patrullë policie që plotësonte numrin e gjobave që kishte caktuar shefi.
– Ke edhe një rrip tjetër në 2018.
– S’e mbaj mend, por derisa e thotë shteti, e kam.
E mbylla. Askujt si pëlqen kur e gjobisin, por rregullat janë rregulla. Falenderova personin që më sqaroi dhe iu ktheva punës.
Por, duke shfletuar mediat, hasa në një shkrim: “Dritan Dajti drejt lirimit”.
What the fuck?! -, kur thonë anglezët
Gjykata e Elbasanit kishte bërë, së fundmi, bashkimin e dy dënimeve. Njëri 23 vjet për dy vrasje, tjetri 25 për 4 vjase, në një dënim të përbashkët 25 vjet. Pra, 23 + 25 = 25. Meqë ¾ e dënimit i ka kryer, mund të kërkojë lirim para kohe për sjellje të mirë. Ca nene të Kodit Penal janë të pabazuara në shkencën e matematikës dhe gjykatësit këtu kanë marrë të gjithë notën 10.
Por, logjika është kjo. Sa më shumë vrasje të bësh, aq më pak dënohesh. Dënimi është si puna e çmimit të mallit me shumicë, e keni parasysh. Me shumicë bie.
– Hë-, thashë tërë nervra, po mua pse ma shtuan gjobën për dy rripa?
“Ndaj, dua të jem edhe unë si Dritan Dajti apo Emiliano Shullazi, qoftë dhe një ditë” -, mendova. T’i jap makinës pa rrip, pa frena, pa drita. T’u bie e t’i bëj përshesh kush të më dalë përpara. Dhe kur të vijnë ata të Rrugores, të më thonë: “Hë “shefo”, u vrare? (“Shefoja” jam unë tani, jo polici). Ata e kanë fajin, ata të dolën përpara ti s’kishe faj”.
Të shtyp ca njerëz, apo edhe t’i vras po nuk m’u bindën, të vijnë ata të kriminales, e të thonë: “Shefo” nuk është faji jot, ata të dolën para makinës dhe të provokuan”.
Ehhhh shteti. Ka dy lloje qelbësirash që punojnë në këtë shtetin tonë.
Njëri lloj janë ata që atyre të fortëve dhe të pasurve u lëpijnë duart e çdo gjë tjetër, duke shkelur ligjin, rregullat, urdhërat, e çdo gjë tjetër. Pa pyetur, pa patur as frikë, as cipë e as sedër.
Ndërsa lloji tjetër janë ata, që atyre të drejtëve, urtëve dhe të varfërve, u vënë shkelmin në fyt, si atij të “ziut” Flyod, duke i tundur para syve ligjet, kodet, rregulloret, urdhërat, madje edhe ato që s’janë miratuar ende, por i ka qeveria në kokë.