Dosja e zyrtarëve të Bashkisë Ersekë shkon në Gjykatën e Lartë, ja çfarë pritet të vendos

0
75

Dosja e hetimore ku akuzohen për abuzime zyrtarët e lartë në bashkinë e Ersekës, i ka kaluar për interpretim Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit do të vendosë nëse do jetë SPAK apo prokuroria e Korçës, që do ndjekë rastin. Në material Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lirjan Hyseni, kryetari i Bashkisë Ersekë, Erion Isai dhe punonjës të tjerë, janë regjistruar teksa bisedonin për shitjen e lëndëve drusore, punësimet në administratën shtetërore, ndërtimet pa leje dhe procesin e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Por në të hidhet dritë dhe për skemën e rimbursimit të fermerëve në bashkinë e Ersekës, ku sërish më aktivi edhe në këta rast është kryekëshilltari Lirjan Hyseni.

Në dosjen hetimore thuhet se ai përmes djalit të tij që punon në një televizion Kombëtar në Tiranë, zotëron një subjekt tregtar për grumbullim të bimëve medicinale. Në të ka disa puntorë, të cilët i pajis me karta fermeri me qëllim për të përfituar nga skema e rimbursimit në bujqësi. Biseda e përgjuar është zhvilluar në datën 14 Tetor 2021, ku Lirjani telefonohet nga Gjergji. Q, i cili ndër të tjera e pyet nëse kishte folur për fermerët, me qëllim t’ja jepte për të firmosur. Dhe Lirjani nga ana tjetër i thotë se do i firmoste vetë ai dhe se do i niste prapë disa karta fermeri, të A. L dhe A. H, të dy punonjës të biznesit të Lirjan Hysenit. Në total, do i dërgonte 10 karta fermeri, ku mes tyre ishte dhe vetë i përgjuari si dhe bashkëshortja e tij e cila punon pranë Drejtorisë Rajonale Bujqësore Korçë. Ndërkohë gjatë bisedës, Gjergji i shpjegon faktin se lista do niset në Tiranë, se janë shumë lekë dhe bëhet fjalë për 5 apo 6 persona.

Prokuroria thotë se ky bashkëbisedim në këtë moment është bërë i paqartë, por dyshohet se përmes kartave të fermerit të personave të ndryshëm, kryetari i këshillit bashkiak në Ersekë, Lirjan Hyseni dhe Gjergji Q., përfitojnë subvencione bujqësore. Ky episod por edhe raste të tjera të dyshuara për abuzim me detyrën nga zyrtarët e bashkisë Ersekë, ende vijon të jetë në hetim nga prokuroria. Ndërsa  pritet që Gjykata e Lartë, të vendosi nëse kjo çështje do hetohet nga SPAK apo nga prokuroria e Korçës.