Një procedim penal i vitit 2025 dhe 2026 u bashkuan për t’i thelluar hetimet në lidhje me disa pasuri të paluajtshme, ku SPAK po heton për pastrim parash në kuadër të grupit kriminal.
Mësohet se disa persona dhe objekte janë kontrolluar, ndërsa janë sekuestruar telefona, laptopë si dhe dokumente të cilët do të këqyren.
Në lidhje me këto pasuri ka konflikte të hershme dhe të vazhdueshme në kohë, thotë SPAK, ndërmjet disa personave, banorë të zonës, të cilët pretendojnë përfitimin e këtyre sipërfaqeve me anë AMTP-ve, ndërkohë që sipërfaqet e tokës rezultojnë të regjistruara në Agjencinë e Kadastrës, në emër fillimisht të trashëgimtarëve të shtetasit Artur Shehu dhe më pas në emër të këtij të fundit (i cili rezulton ndër të tjerë t’i ketë blerë ato nga trashëgimtarët) dhe në emër të shtetasit Ferdinant Sulaj, trashëgimtar i shtetasit Seit Shehu.
Një pjesë e këtyre pronave janë tjetërsuar tek shtetasi Pullumb Petritaj, i cili rezulton të ketë qenë përfaqësues i shtetasit Seit Shehu në proceset gjyqësore dhe administrative për regjistrimin e pasurive, thotë SPAK. Nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore rezulton se konfliktet janë akoma në procese gjyqësore, duke mos pasur vendimmarrje të formës së prerë, ku edhe për pasurinë me nr. 262, zona kadastrale 1007, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pasurive, është prishur nga Gjykata e Lartë.
Nga përmbajtja e këtyre vendimeve gjyqësore citohen edhe dokumente të përdorura përgjatë proceseve, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara. Gjithashtu, në krijimin e dyshimeve në lidhje me mënyrën e marrjes së këtyre pronave, mbahen parasysh edhe dosje gjyqësore dhe çështje të tjera, ku Pullumb Petritaj është dënuar dhe ka pasur procese të shumta gjyqësore në lidhje me falsifikim të dokumenteve për prona që lidhen me Artur Shehu, me të njëjtën mënyrë të vepruari.
gijotina.com/










