Pasi FBI-ja e thirri ish-Sekretaren e Shtetit, Hillari Clinton, lidhur me çështjen e shumëpërfolur të “e-mail”-eve të klasifikuara dhe përdorimit të serverit privat gjatë kohës që ishte në detyrë, Donald Trump e akuzoi demokraten për fshehtësi e sjellje jo të ligjshme.
James Comey, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit deklaroi një ditë më parë se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale ndaj Clintonit. Hetuesit, – sqaroi ai, – kanë lexuar të 30 mijë “e-mail”-et që ish-kryediplomatja i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014, vetëm 110 prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara.
Comey e pranoi se është e mundur që persona me synime armiqësore të mund të kishin pasur qasje në llogarinë e saj personale të “e-mail”-it, por nuk u gjetën prova se Clinton të ketë fshirë qëllimisht “e-mail”-et e saj.
Qëndrimi i tij, për Trumpin ishte në fakt shfajësim i ish-Sekretares së Shtetit dhe zhveshje nga përgjegjësitë.
“Ata pretendojnë se ajo thjesht ka qenë shumë e pakujdesshme, por unë sinqerisht do të thoja se është treguar fare e paaftë. Njerëz, ajo ka për të qenë një presidente shumë e keqe”- u shpreh Trump.
Për Trumpin, vendimi i FBI-së për të mos rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj Hillary Clintonit është prova më e qartë deri më tani se, sistemi në vend është tërësisht i manipuluar. Përdorimi i serverit privat në kohën kur ishte Sekretare Shteti e vuri të gjithë Amerikën në rrezik, – tha Trump. – Të gjithë e dinin që ishte fajtore, por në fund asgjë nuk ndodh.