“Unë kam 1 Atdhe dhe ky nuk është slogan, është vendi, ku kam vendosur të rris fëmijët e mij e të kthehesha pas vitesh të tëra studimi jashtë.”
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka prezantuar ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kandidatët për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ligjvënësia e PDIU, Mesila Doda ka deklaruar se “në ditën që hyra në këtë portë thashë Atdheu dhe vetëm Atdheu, është kauza që na bashkon gjithë shqiptarët që e duan këtë vend bashkë, në paqe e të zhvilluar.”
Fjala e plotë
I nderuar zoti kryetar i PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Të nderuar deputetë, zonja dhe zotërinj
Pas aktivitetesh të gjata e të ngjeshura që kemi patur gjatë këtyre ditëve gjeta një hapësirë kohe të qëmtoja mendimet e mia… atë se çfarë do të thoshte për mua ky kandidim dhe mesazhin që sot do doja të jepja para jush. Kjo nuk është hera e parë që unë kandidoj dhe kujtoj si sot emocionet, ëndërrat e pritshmëritë që kisha, kur nisa këtë rrugë. Tash politika është bërë profesioni im, por në një rrëfenjë personale para jush mund t’ju deklaroj që politika është më shumë se profesion për mua, është pasion dhe një prej gjërave që unë i dua fort. Në këtë vend dikush merret me politikë për pasuri, dikush për famë, dikush për kuriozitet… unë e kam dashur politikën edhe para se të hyja në parlament, e kam dashur qysh në moshë fare të re, edhe pse nuk di dhe as dua ta përdor as për para, as për famë e as për karierë. Gjithë vitet e mia në politikë dëshmojnë se nuk e kam përdorur, qoftë edhe një çast të vetëm, nuk kam shpërdoruar asnjë moment vullnetin a pozitën e një ligjvënësi, dhe kjo, sepse besoj se politika nuk është përralla e gjysmagjelit, por leva e Arkimendit, është fuqia e vërtetë që mund ta ndryshojë këtë vend, që po lodhet e po i lodh të rinjtë e të rejat, burrat e gratë, të dënuar në një tranzicion pa afat, të dënuar të jenë pa shpresë.
Siç thashë pas kaq shumë kohësh bashkëjetese me këtë profesion më lejohet t’ju drejtohem me një fjalë aspak të zakonshme në këto raste ceremoniale.
Janë dy njerëz që do i drejtohem në këtë fjalë të sotme. E nisa këtë fjalë drejtuar kryetarit të PDIU-së, zotit Idrizi, ndaj po vazhdoj të ndajë me të një pjesë të saj.
Udhëtimi ynë në politikë nis në një ditë të përbashkët 8 dhjetor 1990 dhe qysh atëherë kemi parë ditë të mira e të këqija, kemi parë dallgë, stuhi e furtunë, kemi bërë rrugëtime të kithëta e paralele, deri ditën kur më shumë se dy vite më parë kalova zyrtarisht pragun e një partie dhe hapa portën e një shtëpie… Është shtëpia e të gjithë shqiptarëve që nuk ndahen nga politika, të bindur që ndasitë e zemëratat i kanë mbjellur të mëdhenjtë për të marrë e mbajtur pushtet e për t’i lënë gjithë jetën armiq, por që gjejnë zemrën, arsyen e qënies së tyre në një Atdhe të vetëm. Ditën që hyra në këtë portë thashë: Atdheu dhe vetëm Atdheu është kauza që na bashkon gjithë shqiptarët që e duan këtë vend bashkë, në paqe e të zhvilluar. Sot, pas kaq kohësh rrugëtim të përbashkët mund ta them me një fjali: Nuk jam zhgënjyer asnjë ditë të vetme në këtë udhëtim, në këtë maratonë të përbashkët, megjithëse vrapimin e kemi veç në mes…, po kurrë nuk kemi ndaluar.
Përgjatë kësaj kohe pamë Çështjen Çame të artikulohej nga komisioneri Hahn, e çuam në Unionin ndërparlamentar në Gjenevë, për Çamërinë u fol në Bruksel në Parlamentin Europian, sot e vetmja forcë politike që i shpëton nga vullneti i manipulimit shtetit grek është kjo forcë, PDIU-ja, ndaj falë Zotit që egziston, sepse nëse nuk do ishte, do na duhej ta krijonim 10, 100, 1000 herë…, sepse është forca e vetme që i jep shtyllën e vet kurrizore politikës shqiptare që të mbajë kokën drejt para fqinjit.
Bashkë kemi ndarë iniciativa të forta e të vështira ligjore, pranuam e votuam pa frikë e pa drojë reformën në drejtësi, por nuk pranuam t’i vëmë ferrin familjes tradicionale e t’i hapnim rrugën martesave të së njëjtës gjini, një truk i lobingjeve e shoqërive të fshehta okulte që kërkonin bashkë me drejtësinë të bënin katrahurë edhe ngrehinën tonë sociale. Bashkë paraqitëm ligjin për hapjen e dosjeve, amendamentet për mospraninë e spiunëve të Sigurimit në trupën e profesionistëve të vetting-ut, bashkë paraqitëm ligjin për heqjen e dekoratave xhelatëve të së kaluarës, një iniciativë ligjore që të majtë e të djathtë nxituan ta varrosnin… ne do e risjellim prapë e prapë…, sepse jemi të bindur që nuk ka kriminelë të mirë e të këqinj. Krimi i djeshëm është njësoj i dhunshëm e i frikshëm si krimi i sotëm, ndaj ne kemi dhe duhet të kemi veç një standard mospranimi me të.
Siç shihet në veç pak nga ato dhjetra iniciativa që kemi marrë përditë, duket sikur kanë qenë vite e vite histori politike… Në të vërtetë janë shumë më pak, por janë javë, muaj e vite mbushur me dëshirë e pasion për të ndryshuar një realitet të lindur e të rritur keq, ndaj e vetmja fjalë që sot mund të them është faleminderit për këtë rrugë të jashtëzakonshme politike që kemi bërë së bashku, ju falenderoj për mbështetjen pa kushte e modelin ndryshe që afruam në një skenë, ku politika është bërë fushëbeteja e turpshme e të fortëve që pushtetin e marrin dhe e mbajnë me dhunë e trafiqe, arrogancë e bllokim, ku politika është bërë pengmarrësja e popullit të vet.
Tash në fund dy fjalë për një mik të ri e të vjetër. Të ri për shumë prej jush…, por mua me të më bashkon një rrugë e hershme. Është fjala për zotin Fatos Hoxha, koleg i imi i dikurshëm në grupin parlamentar demokrat. Fatos, e njoh dyshimin dhe pikëpyetjet që shoqërojnë një vendim të tillë, por di se sot nuk mund të flitet më për zgjedhje personale, por për detyrim për të përfaqësuar ata qindra mijëra të djathtë që rrezikojnë të mos kenë asnjë përfaqësim në Kuvend. Në një absurditet sot vetëpërjashtohen nga procesi i zgjedhjeve dhe për pasojë nga e drejta për të zgjedhur qindra mijëra qytetarë të këtij vendi. I drejtohem me dorë në zemër gjithë atyre që kanë besuar tek e djathta. Nuk kam dashur kurrë të lëndoj e as të dëmtoj asnjë forcë politike e aq më pak PD-në, partinë që e krijuam se bashku studentë e pedagogë në dhjetor ‘90. Por, sot kemi detyrimin të pëfaqësojmë gjithë ata njerëz, të cilët ende kanë dëshirë të shohin një të djathtë moderne, të fuqishme, ideologjike e risi për të gjithë në parlament. Për të gjithë ju që votën e keni ende të shenjtë e nuk ja bëni dhuratë sherrit a pasionit të liderit, unë sot ju kërkoj përunjësisht mbështetjen dhe ju detyrohem përkushtimin. Nuk premtoj dot si ndonjë forcë tjetër që do ketë punë e para për të tërë, por di që do jem zëri juaj i gjithsecilit prej jush në një shkretëtirë politikë që po zgjerohet e po na kall të gjithëve. Çdo i djathtë që dëshiron një zë të ngjashëm në parlament e ftoj të na votojë, e ftoj të na mbështesë dhe do shohë se çfarë do të thotë njerëz të vërtetë dhe e djathtë moderne, forcë kryesore në parlament.
Unë kam 1 Atdhe!
Dhe ky nuk është sllogan, është vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi e të kthehesha pas vitesh të tëra studimi jashtë. Këtë copë Atdhe që më ka ngelur, unë nuk ja fal e as ja bëj dhuratë kujt, ndaj i ftoj të gjithë ata që nuk kanë Atdhe tjetër të bashkojmë zemrat e të sjellim ndryshimin. Ndryshimi nuk vjen nga rruga, por nga forca e zemrës së atyre që duan një realitet tjetër. Ndryshimi nuk vjen nga arroganca, por nga bindja se tjetri është qënie njësoj si ti e që ja vlen ta duash e ta respektosh si veten. Këta jemi ne dhe themi pa frikë të vërtetën. Vetëm ai që thotë të vërtetën thërret të jashtëzakonshmit rreth një qëllimi, mashtruesit ulen “gju më gju me popullin”…
Zoti, Atdheu, Familja…kush i don, i kërkon, e i ka të parat në jetën e tij, e thërrasim të bëhet pjesë e jona, pjesë e zemrës që ka, Veç 1 Atdhe, veç 1 Zot, Veç 1 Familje!