Kriza e emigrantëve po dominon ditën e fundit të samitit mes liderëve të G7-s. Në bisedimet e zhvilluara marrin pjesë edhe udhëheqësit e Tunizisë, Kenias, Etiopisë, Nigerit e Nigerisë.
Italia zgjodhi të organizojë samitin në qytetin bregdetar për të kthyer vëmendjen nga Afrika dhe rreziqet për emigrantët që kalojnë Mesdheun drejt Europës.
Një diplomat tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se propozime të tjera italiane, që synojnë të theksojnë përfitimet nga emigracioni e promovimin e iniciativave të mëdha për sigurinë në ushqim, u rrëzuan përpara samitit pas kundërshtive të presidentit Donald Trump.
Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se është veçanërisht kundër një deklarate që thekson përfitimet e emigracionit. Tregtia është një tjetër pikë, e cila ka nxjerrë në pah përçarjet. G7-ta ka qenë promovues i flaktë i tregtisë së lirë dhe vitin e kaluar u vu theksi tek shmangia e proteksionizmit. Por kjo ishte para zgjedhjes së Donald Trump-it president dhe fushatës së tij me sloganin “Amerika e para”.
Ai është shpehur kundër gjuhës së përdorur në samit për tregtinë e lirë në favor të një axhende proteksioniste. Trump është gjithashtu kundër marrëveshjes klimatike të Parisit dhe ka kërcënuar të tërhiqet prej saj. Ai nuk e ka sqaruar ende pozicionin e tij përfundimtar për liderët e G7-s e megjithatë Sekretari i Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres tha se pavarësisht vendimit të SHBA, ujdia e Parisit për reduktimin e gazrave serre do të mbijetojë.
Lufta kundër terrorizmit duket të jetë e vetmja çështje e rëndësishme për të cilën liderët e G7-ës janë dakordësuar për një deklaratë të përbashkët.
/tch/