Nga Mero Baze
Për të shkuar tek e vërteta e krizës, duhen çmontuar gënjeshtrat që ngritën mitin e krizës artificiale.
Gënjeshtra e parë është që opozita nuk hyn në zgjedhje, pasi ka frikë se nuk do jenë të lira e të ndershme, nëse nuk ka qeveri teknike. E vërteta që besohet është se opozita, po i përdor zgjedhjet si mekanizëm për të bllokuar sistemin kushtetues në vend, me qëllim që të dështojë vetting-u dhe të qetësojë Sali Berishën.
Për të shkuar tek kjo e vërtetë është e thjeshtë. Opozita të shkojë të votojë Komisionet e vetting-ut, për të cilat ka konsesues ndërkombëtar dhe pastaj të merremi me krizën e frikës nga zgjedhjet. Nëse nuk e bën këtë, nuk ka hall zgjedhjet, por vetting-un.
Gënjeshtra e dytë është që LSI është pjesë e qeverisë. Me aktin e fundit të LSI, e cila “ofron” postet e saj për opozitën, me qëllim që të quhet kontributore në zgjidhjen e krizës, kemi një poshtërim të qeverisë nga LSI. Poshtërimi vjen pikësëpari nga koncepti që ato mandatet janë kapital i LSI, me të cilat mund të bëjë “clering”, për hir të demokracisë. Por, mbi të gjitha poshtërimi vjen nga gënjeshtra që është montuar se PD ka nevojë të jetë në qeveri që t’i ikë frika nga zgjedhjet.
Për ta çmontuar këtë gënjeshtër, LSI duhet të dalë nga qeveria dhe ta rrëzojë Edi Ramën. Kështu ajo i krijon besim real opozitës se do të kemi një qeveri të re dhe rregulla të reja loje. Nëse nuk e bën LSI, këtë duhet ta bëjë Edi Rama. Gënjeshtra që LSI po ndihmon në zgjidhjen e krizës, duke ofruar për demokracinë “kullotat” e Terit, “shafranin” e Panaritit, e të tjera, është vulgarizim i politikës dhe konceptimi i saj, si pazar i gjësë së gjallë. Politika ka akte nuk ka trakte. Dhe akti i vetëm që e çmonton këtë gënjeshtër, është largimi i LSI-së nga qeveria si një akt politik për të zgjidhur krizën. Pas kësaj hapen shance për rregulla të reja loje.
Gënjeshtra e tretë është aleanca LSI-PS, për zgjedhje dhe aleanca LSI-PD për qeveri teknike. Dhe kjo gënjeshtër duhet çmontuar. Aleanca LSI-PS është e panevojshme, e padobishme dhe pakuptueshme, nëse kushtëzohet nga oferta e PD-së. Kjo është një gënjeshtër që e kthen LSI në seksere të krizës politike. PS duhet të zgjedhë të ketë ose aleate LSI-në, ose partnere në bisedime PD-në. Nëse LSI do të qëndrojë me PS duhet të qëndrojë me PS dhe opsionet e saj për krizën. Në të kundërt, PS mund të ulet të bisedojë me PD për krizën dhe s’ka nevojë të llogarisë se çdo bëhet me LSI për koaliconin e zgjedhjeve.
Gënjeshtra e katërt është shpikja e një faktori kallp ndërkombëtar që lidhet me konspiracionin e Sorosit dhe administratën e re të Presidentit Trump. Kjo është e gjitha një shpikje shqiptare vulgare. SHBA ka problem ndikimin rus përmes ndikimit në administratën e Trumpit dhe po e lufton atë me sukses duke i bërë vetting rekrutimeve të reja në administratë. SHBA dhe BE në Shqipëri janë në anën e qeverisë, reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve më 18 Qershor. “Faktori Perëndimor” i shpikur me pagesa lobistësh është i bezdisëshëm dhe për vetë perëndimorët dhe duhet t’ua kursejmë talljen dhe lekët e harxhuara shqiptarëve, me sajesa të tilla.
Gënjeshtra e fundit por dhe më e rëndësishme, është që nëse bëhet “qeveri teknike”, nëse shtyhet zgjedhja për Presidentin, nëse shtyhen zgjedhjet parlamentare, e kështu me radhë, pra nëse shkelim me këmbë Kushtetutën dhe çdo rregull loje, duke zbatuar pazarin e planifikuar të krizës mes PD dhe LSI, atëhere kthehet besimi në zgjedhje. Zgjedhjet në Shqipëri PD nuk i fiton dot. Zgjedhjet i fiton PS dhe e majta në përgjithësi. Shanci i vetëm i PD është të marrë LSI-në në koalicion dhe disa parti të tjera dhe të bëjnë një koalicion të madh kundër PS. Ashtu mund t’ia arrijnë të bëjnë diçka së paku për të bërë Ilir Metën kandidat për kryeministër të tyre. Më shumë nuk ia dalin dot. Dhe pasi të bjerë dhe kjo gënjeshtër, të paktën të jemi të qetë, ta përjetojmë hapur luftën Rama-Meta në vend të luftës me maska Rama-Basha.
/gazetatema.net/