Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke zhvilluar sot në Bruksel takimin zyrtar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç nën praninë e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ndonëse takimi Vuçiç-Kurti është një nga më të rëndësishmit që po zhvillohet midis dy liderëve, personat që menaxhojnë faqen zyrtare të BE-së në internet duket se nuk i kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë, pasi e cilësuan Kurtin si lider të partisë opozitare në Kosovë.
Në njoftimin e zyrtar në faqen e BE-së për takimin e dy liderëve, Albin Kurti është cilësuar si lider i opozitës kosovare dhe jo si kryeministër i vendit.
“Takimi i dialogut Prishtinë-Beograd. Takim dy palësh me Albin Kurtin liderin e opozitës kosovare”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të BE-së.
Por me sa duket menaxhuesit e faqes e kanë kuptuar gabimin dhe e kanë ndryshuar menjëherë njoftimin me një të përditësuar, ku shkruajnë se “është duke u zhvilluar takimi Beograd-Prishtinë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar sot në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.