Paraditen e kësaj të marte, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar sërish të jepet pretenca ndaj Emiliano Shullazit. Seanca u zhvillua nën masa të larta sigurie.
Të pranishëm te Krimet e Rënda ishin edhe 4 prokurorët që do të jepnin pretencën, të kryesuar nga kryetarja e Krimeve të Rënda Donika Prela, e më tej prokurorët Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gentian Osmani.
Përplasja në Prokurori nisi pas një shortimi të kundërshtuar nga 10 prokurorë, të cilët kërkuan bazën ligjore së cilës i referohej kreu i akuzës. Menjëherë pas kësaj, Arta Marku ndëshkoi bojkotuesit duke nisur procedimin disiplinor për ta, ndërsa urdhëroi që 3 prej tyre të transferohen në rrethe.