Dëshmitë e panjohura mbi historinë tragjike: “Ju tregoj persekucionin e grave dhe vajzave martire gjatë regjimit komunist”

0
457

Publikohen disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitore Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi), Terezina Pali, Liza Pali, Adile Boletini, Nasibe Kazazi, Ana Daja, Dila Zef Ndoja, Zyraka Mano, Shanisha Dosti, Zojë Gjeloshi, Drane Stakja, Elena Luli, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Marije Shllaku, Biçe Pistulli, Sadije Kazazi, Gjyzepina Çoba, Marta Doda, Frida Satedini, Vitore Kuka, Gjela Llesh Biba, Bardha Cub Marku, Liza Llesh Mali, Bardha Mark Bushkola, Marije Tuci, Olimbi Baruti, Angje Kovaçi, Bedrije Ashikja, Musine Kokalari, Motër Gjeorgjina, Liljana Radovani, Laura Keqi, Mrike Pepa, Mrike Zadeja, Angjelina Shantoja, Naime Koçi, Sheriar Sefa, Vitore Shllaku, Liza Gjon Voci, Nina Shiroka, Laje Mehmeti (RRema), Feride Beshiri (Quku), Hasije Ulqinaku (Quku), Sofije Kali, Çile Gjush Larja, Nurfezo Koprencka, Sanije Gjylbegu, Emilja Shestani, Marije Bregu, Vida Radovani, Nedrete Pipa, Motrat e Osman Kazazit, Safete Jusif Sokoli, Çiljeta Simoni, Lutfije Buashati, Sadije Bushati, Olga Schëeizer Libohova, Evelina e Ndoc Naraçit, Geraldina Apony-Zogu, Hilda Zyma. Marie Rafael, Zade Muka,Rukije Bushati, Hajrie Vrioni, Emine Gjyrezi, Xhemile Beqir Komi, Hedije Dume Repishti, Syme Muka, Fetije Vuçiterni, Sebije Puka, Marjeta Serreqi, Dhurata Sokoli, Klara Miraka (Merlika), Asije Habili, Sose Nik Sokoli, Liri Cenaj, Rudina Dema, Adelajde Miraka, Drane Jakja, Syriha Hasi, Aishe Gogaj, Luçija Kaçaj, Gjyljana Malaj (Pervizi), Nadide Kasaruho, Nadire Kërçiku (Peshkëpia), Shpresa Ballolli (Merdani), Makbule Frashëri, Mishan Çini, Gjyslyme Dervishi (Leka), Natali Arkandi Rozengolc (Pengili), Vigelmina Vitalij Kovaleshko (Veshi), Rukije Rama, Tefta Tasi, Liri Lubonja, Kozara Kati, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, etj.

Parathënie

Shumë, shumë vite ma parë kisha provue me shkrue ndonji poezi, ashtu, për vete, ashtu siç bajnë zakonisht nxanësit që kanë për zemër letërsinë. Por që të mendoja të delja para lexuesit me një botim ma të gjanë, as që më shkonte ndërmend. Atëherë na mungonte buka e gojës, për të mos thanë, edhe ajri …! Libra? Jooo!!! Ama isha aq e vëmendshme, që në shpirtin tem të rregjistroja gjithshka që ndigjoja, e sidomos ato që i pashë me sytë e mij.

Shumë, shumë vite ma vonë, që do të thotë sot, m’u dha kjo mundësi. Ajo që unë përmblodha në këtë vëllim të vogël, asht vetëm një pikë ujë në detin e thellë të dhimbjes…! Mbas Luftës, familja eme, e dëbueme nga Tirana, jetoi në Kavajë. Aty mbarova shkollën e atëhershme 7-vjeçare. Sadoqë ma vonë u largova prej andej, nuk m’u shlyen nga kujtesa mësuesit e mij të palodhun Zoi Xoxa, Ali Bonati, Leonardo Milo, Myftar Cara, Sami Kerkini, etj.

 

 

Sot, si grue, kujtoj në mënyrë të veçantë mësuesen që na mësoi baletin, Vasilika Rrumbullaku. Ata qenë edukatorë, që ja lehtësuan shumë punën prindve të mij, që, ndonëse merreshin shumë me ne, kishin edhe shumë telashe të tjera për të kapërcye. Se çfarë përjetova në atë qytet, kalimthi, se asht e pamundun të jepet e plotë, e kam përshkrue në shkrimin për gjyshen teme (nga nana), Zade Mukën. Kavaja në atë kohë nuk kishte shkollë të mesme. Për të marrë të drejtë studimi, as që bahej fjalë; qaja e vetëm qaja.

Lotët e mij bashkoheshin me ato të syve të bukur të të ndjerit babës tem, pa le të nanës teme të shumëvuejtun, që s’kishin mundësi tjetër, veçse të më merrnin me të mirë. Nga kjo situatë më nxori gjyshja eme e mrekullueshme, gjyshja ma e mirë e botës, po të më lejohej ta thoja, Zade Muka. Ajo jetonte në Shkodër, ku pak kohë më parë, tue qenë në maturë, kishte vdekë motra eme, Sabaheti (Donika). Si të thuesh, zuna vendin e saj. Shtëpinë e njihja shumë mirë. Buzë oxhakut të saj fillova “të sistemoj” ato grimca jete që sot më detyruen të shkruej. Shtëpia me numër 64 (sot 133), ndodhej në një rrugë karakteristike: në anët e saj rreshtoheshin.

Shtëpitë dykatëshe, ku mbas dyerve të mëdha prej druni të binin në sy dritaret e vulosuna nga lule prej hekuri, mbas të cilave zbardhonin perdet prej dantelle të punueme ngeshëm me grep prej vajzave të shtëpisë.

Aty, në oborr, ishte pusi, lulet e shumta (Zot, sa lule) shumëngjyrëshe e muret rrethues të ngarkueme bollshëm me lule vile aromë plot. Pa le dhomat me ato tavanet e daltueme mjeshtërisht. Një parajsë e vërtetë. Kjo rrugë ku unë kalova rininë e parë quhej” Teuta” (sot “Lidhja e Prizrenit” ), qe veshë me të zeza. Diçka për të kisha mësue, që në verën e vitit 1946, kur unë, me motrën time ma të vogël Dhurata, kaluem pushimet e verës. S’do ta harroj një natë të asaj vere. Me motrën kishim ra me fjetë. Nga dhoma tjetër pamë të na afrohen dy “hije”, të veshuna si gra. U afruen lehtë-lehtë, na puthën në ballë dhe po lehtë-lehtë u larguen.

Motra eme, e zhdërvjellët siç ishte, gjithë gaz u tha: “Jo, jo, ti je Daja Sheuqeti; nuk je nana daje, të kena njoftë, të kena njoftë. Dhe me të vërtetë, të ndjerët Sheuqet Muka, nip i shtëpisë dhe Sali Vuçiterni, dhander aty, qenë strehue në shtëpinë tonë, se kërkoheshin. Malli për fëmijët e tyne i kishte marrë aq shumë, saqë ishin veshë si gra (me degermi në krye). Në këtë shtëpi mësova se çfarë kishte ngja në atë rrugë mbas vitit 1944, d.m.th. kontrollet e njëmbasnjëshme, arrestimet, torturat, gjyqet, pushkatimet, burgosjet, e, në vazhdim, për ata që mbetën jashtë hekurave: internimet, konfiskimet e gjithëfarëlloj vuejtjesh fizike e sidomos shpirtnore.

U njoha kështu (si mbas planimetrisë së rrugës, djathtas e majtas) me tragjeditë e familjes së Sadije Kazazit, Filat Kazazit, Ismete Kazazit, Fahrije Kazazit, Adile Kazazit, Budije e Vehbije Bushatit, Hatixhe Pipës, Fatime Vrionit, Hava Bacit, Zade Mukës (gjyshes), Rukije Bushatit, Hajrie Vrionit, Emine Gjyrezit, Xhemile Komit, Syme Mukës, Fetije Vuçiternit, Marjeta Serreqit etj., të cilat unë i njoha personalisht dhe që, në shumicën e rasteve, vetëm se përvijohen në këtë botim. Ishin zonja të vërteta, që nevoja i bani të kthehen në zot shtëpie.

Ishin, pra, nana, që iu pushkatuen burrat apo djemtë, shpesh pa dijtë se ku e kanë vorrin; ishin gra e vajza, që kishin vue kryet në rrezik për t’u shpëtue jetën burrave, vllazënve, kushrinjve e miqve të shtëpisë, tue i fshehë; ishin gra e vajza që kaluen pragun e shtëpisë për t’u internue, prej nga u kthyen edhe të denatyrueme; ishin gra e vajza, që me një barrë halle në shpinë, rrugëtuen nëpër Shqipni drejt burgjeve e kampeve të shfarosjes për t’u ardhë në ndihmë njerëzve të tyne. Ishin, pra, këto gra e vajza, që vuejtjen e mbajtën për vehte, që njohën vetëm punën e randë, edhe për burrat, e që arritën të mbijetojnë. Ishin këto gra që rritën dhe edukuen fëmijë shembullorë e që nuk “harruen” të marrin në mbrojtje nipat e mbesat e tyne të pambrojtun.

Ata ishin gjithçka…!

Kjo ishte vetë një rrugë e vogël. Mijëra të tjera ishin kudo. Statistikat,sado të thata e të ftohta, prapëseprapë diçka tregojnë. Në një vështrim

janë edhe të egra; gati 10% e të ekzekutuemve në Shqipni nga diktatura komuniste ishin gra (457). Përveç rastit të Marije Dedës nga qyteti i Shkodrës, që u vra me armë në dorë në përpjekje me forcat e Sigurimit,vetëm në Malësinë e Madhe u pushkatuen Katrina Nikë Bibaj, Lulë Mirash Prelë Dodaj, Mare Ali Bacaj, Mri Dedë Preka, si dhe Dila Bika e Vase Tomë Lleshi në Lezhë dhe File Mimani e Hamide Vukaj në Pukë.

Gjithnjë në atë plan, nga 308 raste gjithsej, një pjesë ishin gra e vajza që humbën ekuilibrin mendor. U dënuan politikisht 7367 dhe u internuen 10792 gra e vajza. A asht e nevojshme ma? Besoj se jo. Ata që i provuen, mund të mbeten “të pakënaqun” nga unë. E unë u jap të drejtë. Ata që nuk i dinë, nëse nuk i besojnë, le të pyesin… Ishte kjo një përpjekje e parë për të pasqyrue një të vërtetë të idhtë e të pamohueshme.

Libri i dytë do të plotësojë çka i mungon.

E ndjej për detyrë të falenderoj të gjitha familjet, jeta e të cilave

përshkruhet këtu, për ndihmën e duhun.

Gjithashtu falenderoj z.z. Vehbi Hoti, Simon Pepa e Nexhmi Bushati,

të cilët hartuen disa prej shkrimeve të botueme këtu.

autorja

Marije Deda “Martir i demokracisë” (1916 – 1946)

Së bashku në luftë ata ranë; Me pushkë drejtue barbarit.

“Ma e ambël asht vdekja, thanë, se gjallë dorëzue tradhtarit.”

Janë vargjet popullore, që u krijuen mbas 6 dhjetorit 1946, kushtue çiftit Pjetër e Marije Deda, të ramë në luftë me forcat e Sigurimit të Shtetit në pyllin “Hija e madhe” të fshatit Meshkallë.

Familjes Zojzi, nga rridhte Marija, komunizmi i kishte pushkatue shtatë vetë dhe katër të tjerë i kishte kalbë burgjeve. Asaj domosdo që do t’i shtohej urrejtja kundër regjimit të sapovendosun. Ajo qe e martueme me Pjetër Shan Dedën, trimnitë e të parëve të të cilit qenë këndue nga Fishta i madh në “Lahutën” e tij. Pjetri qe antifashist e antikomunist i vendosun. I kërkuem nga Gestapoja, ai qe ilegalizue në fshatin Sheldi… Mirëpo, mbas Luftës: “Kush kje atdhetar/u cilësue si reaksionar ”. Prandaj, mbasi provoi hilet e pushtetarëve të rinj edhe për një muej, torturat e hetuesisë së tyne, ri-ilegalizohet prapë, kësaj radhe me gruen e vet, prap në fshatin Sheldi.

Ishte gushti i vitit 1946. Mbas një mueji do të shpërthente Lëvizja e armatosun antikomuniste e Postribës. Pjetri, si një nga organizatorët e saj, mobilizoi popullin e zonës së Gurit të Zi. Meqë kjo lëvizje dështoi, burrë e grue gjetën strehë, tashma, në vendin e quejtun “Hija e Madhe” në Meshkallë. Për tre muej me radhë në lagështi e në të ftoftë, të ndjekun kahdo prej Sigurimit, u mbështetën nga fshatarët trima të asaj zone.

Erdhi një ditë e ftoftë dhjetori e atij viti që të zbulohen. Pylli rrethohet. Lëshohet thirrja për t’u dorëzue. Ishte ora katër e mëngjesit. Terr. Ndriçonte paksa drita e hanës. Mbasi zgjoi burrin, tue dijtë mirëfilli se rrethuesit e donin të gjallë, sikurse edhe vërtetohet nga fjalët e shoqnuesit të tyne, Marija, me një trimni e kurajë të pashembullt, përgjigjet: “Nuk kemi dalë këtu për t’u dorëzue” dhe me revole qëllon e para. E aty, në luftë të pabarabartë (“flakëryen grykët si gojë ferrit! në këtë natë mbulue prej territ”) mbetet e shoshueme nga plumbat e komunistëve. (“Deri n’dekë burrit i ndej pranë/ flakë prej flakë i qëndroi bajlozit/ kjo Marija e Shtjefën Zojzit”). Burri i plagoset randë e mandej vdes, për të mos ju dijtë vorri, kurse kufoma e kësaj martireje 30 vjeçare nuk u lejue që të varrosej në varrezën e fshatit. Shtëpia e saj e përjetshme u ba pylli, që e struku përsëri.

Ishta festa e Shën Kollit…

Në Shkodër, lajmi u muer vesht nga Radio Shkodra. Lajmi i zi tronditi këdo që njihte këtë çift. I tronditi, por edhe i mobilizoi… Një grue që luftonte me armë në dorë e vritej, nuk ishte gja e vogël. Ishte shembull. Shembull për të qëndrue.

Nanëshkreta në atë moment të papërfytyruem, gjeti forcë me u thanë katër fëmijve të saj: “Mos qani, Marijen e ka thirrë Shën Kolli në bahçen e vet.” Tamam si në epopetë e maleve tona. Vorri i Marijes, i braktisun prej komunistëve, por shumë i afërt për fshatarët hallemëdhej, u hijeshue nga një rrasë shtufi, ku një bari skaliti fjalët:

“VDIQ BESNIKE MARIJE SHTJEFËN ZOJZI”

Nuk ishte shënim i zakonshëm. Ishte thirrje për kujtesë: “Një gjysëm shekulli gati shkoi/ por at vorr kush s’e harroi / kush kalonte aty pari / vuni lule e degë lari”…

Hamide Kazazi (Shuti) (1879- 1955)

Kur flitet për Kazazët e Shkodrës, mendja të shkon menjëherë, në fillim tek Hamza, ai udhëheqësi i shquem popullor i qëndresës antiosmane të shekullit të kaluem. Mandej shkallë-shkallë zbret tek të tjerët, edhe ata atdhetarë si paraardhësi i tyne famëmadh. Ndër ta edhe Muharremi, babë i pesë djemve, nacionalistë të shquem, njeni ma i vendosun se tjetri, veprimtaria e dobishme e të cilëve, u këput nga epoka e egër anti atdhetare e komunizmit shqiptar.

Ishte nana e tyne, Hamidja, që në popull njihej me emrin Shuti, që së bashku me qumështin u injektoi atdhedashuninë azganëve të vet. Ashtu siç kishte shkrue poeti i madh Ndre Mjeda: “Nji nanë tjetër – thoshe – ke, bir, n’ket dhe, nana e jote â Shqyptaria.” Kjo edhe ishte tema e preferueme e bisedimeve të gjata në shtëpinë e tyne, në Parrucë, kur kishte mysafirë. E të tillë kishte gjithmonë; dera rrinte e hapun, vazhdimisht, ditë-natë… e Shuti do t’i nderonte të gjithë njëlloj, të pasunin, si fukaranë, si qytetarin, ashtu edhe malësorin a katundarin. “Hajde, bujrum” – ishte refreni i përditshëm i atij konaku. Bukë, krypë, zemër. Do të kujtonte ma vonë ajo: “Sa herë që nuk kishim miq në shtëpi, burrit i prishej qejfi.”

Erdhi 1944-a.

Për Shkodrën, për mbarë Shqipninë, filloi kalvari komunist. “Në emën të popullit” jepeshin dënime drakoniane. “Në emën të popullit” u ba refreni i sallave ku zhvilloheshin gjyqet kundër të gjithë atyne që kishin luftue për një Shqipni etnike. Firmosnin këto vendime analfabetë, që ia kishin shitë interesat e kombit të huejit shumëshekullor. Për plakën 65 vjeçare nis rruga e mundimeve: pushkatohet nga regjimi i sapovendosun djali i madh, Haliti. Pas dy muejsh, dy të tjerët, Jupi e Seiti, për të mos ra të gjallë në duart e komunistëve, vrasin veten. Pa dashtë mendja, të fluturon tek Oso Kuka. Tri vdekje për tre muej. Tri loçka zemre. S ‘mbaron me kaq. Djemtë e mbetun (Zeneli e Hamiti) dënohen me afate të gjata burgimi. Të mos llogarisim torturat. Pushkatohet edhe i vëllai i saj, Rifati, pse i kishte strehue të birin. Prapë, pa llogaritë burgosjet që vazhduen në rrethin e saj a të burrit.

Bollëkut i zuni vendin skamja, buzëqeshjes – lotët, mysafirëve – policia, lumturisë – kobi. Shuhej familja, shuhej edhe ajo. Kush mund të thotë se ç’provoi kjo e shkretë? Çfarë ndjeu? Si i përballoi provat e pamëshirshme të jetës? E pra, në vetminë e saj të gjatë, vetëm se duroi. I përballoi të gjitha peripecitë, pa u ankue, si duruen dhjetra, qindra, mijëra nana e motra në të gjithë vendin. E mbajti të mbyllun dhimbjen stërmadhe për veten e vet. Frika kishte zanë vend në shpirtnat e njerëzve. Për gjithshka frikë. Frikë për të ndihmue edhe një rrezikzezë si ajo. E ajo i kuptonte shumë mirë ata dhe, për të mos i damtue, u shmangej. Si të donte të ndiqte shembullin e djemve të saj, që kishin vra veten, për të mos pësue gja të tjerët që u kishin dhanë strehë. A ka në historinë e popujve shembuj të tillë? Ka. Por janë të rrallë.

Ma e pakta vuejtje qe sëmundja e randë, që e mbërtheu kur i kaloi të 70-tat. U gjetën njerëz të mirë, njerëz me kurajë, me zemër të madhe, që e strehuen, e ushqyen, e mjekuen. Me aq sa kishin mundësi. Derisa vdiq me zemër të bame copë.

Ishte viti 1955…/Memorie.al