Nga Skënder Minxhozi
Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka pranuar në një intervistë për Zërin e Amerikës, se ambasada amerikane në Tiranë ka pasur dyshime rreth rikthimit në atdhe të prokurorit të Durrësit, pjesë e delegacionit të Kryeprokurorit në SHBA. Një pohim i tillë ka qenë praktikisht i imponuar nga lajmet që kanë filtruar në mediat qëndrore, rreth vendimit të ambasadës për të mos pajisur me vizë amerikane zotin Agron Gjana.
Ky precedent i habitshëm dhe krejt jonormal përmban disa elemente, të cilat duhen analizuar me kujdes. Së pari, si është e mundur që kreu i një organi akuze, pra i një institucioni që parimisht duhet të jetë i mirëinformuar për gjithçka dhe për gjithkënd, të përfshijë në delegacionin e tij një prokuror, i cili rrezikon të kthehet në një refugjat, duke ikur nga delegacioni zyrtar?! Pse duhet që këtë gjë ta bëjë ambasada e një vendi të huaj, e të mos e dijë instutucioni që i jep pagën prokurorit?
Së dyti, mbetet e paqartë arsyeja e ikjes së tentuar të prokurorit Gjana në SHBA. Natyrisht që jemi në një vend të lirë, por kur një zyrtar i sistemit të drejtësisë bëhet pjesë e një paneli zyrtar, vlen të bëhen publike arsyet e një gjesti të tillë, i cili potencialisht do të bënte zhurmë në media dhe do ta dëmtonte jo pak imazhin publik të prokurorit të përgjithshëm.
Së treti, prokurori Llalla e përqëndroi qëllimisht fokusin e vëmendjes publike, në intervistën e tij, tek rasti i prokurorit Gjana, pa u ndalur tek fakti se njoftimet nga ambasada amerikane në Tiranë kishin “shigjetuar” edhe atë vetë, duke u shprehur se nuk kishte pasur takime me autoritetet amerikane të fushës së hetimit. Kur në media u bënë publike burimet diplomatike të ambasadës së SHBA në Tiranë, pakkush u mor me faktin se një prokuror i Durrësit nuk kishte marrë vizën amerikane. Ato mesazhe u lexuan si një qëndrim i fortë kritik ndaj zotit Llalla.
Është e pazakontë që një delegacion rutinë e një institucioni shtetëror të marrë këtë dozë vëmendjeje dhe kritikash nga vendi pritës, siç ndodhi me udhëtimin e zotit Llalla në SHBA. Përtej vizës së munguar të një prokurori të Durrësit, duket se ka diçka që nuk shkon në marrëdhëniet mes amerikanëve dhe kryeprokurorit. Dhe ky s’mund të jetë kurrsesi një lajm i mirë.
/javanews.al/