Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi u vlerësua nga shteti italian me “Urdhrin e Yllit të Italisë”, i cili iu dorëzua nëpërmjet ambasadorit të Italisë në Tiranë, Alberto Kutilo.
“Nuk është trajneri ai që bën golat, por De Biazi arriti para nesh, para politikës, që të çojë Shqipërinë në Paris në Europianin e futbollit, ku Shqipëria dha një demonstrim fantastik të aftësive të saj jo vetëm në futboll. Do të mjaftonte ky i fundit për të justifikuar çmimin mëse të merituar”, tha ambasadori italian.
De Biazi në fjalën falenderuese për këtë vlerësim: “Jam i lumtur dhe i emocionuar sepse titulli kavalier nuk është i lehtë të mbahet, aq më tepër që jep përshtypjen e një të moshuari. Por, jam krenar, pasi përfaqëson një urë mes dy kombeve, që, sipas meje, janë pranë. Kemi në mes një det që na ndan, por një det që kalohet lehtësisht, kemi mentalitete që ngjasojnë dhe uroj që raportet të jenë gjithmonë bashkëpunues”.