Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni De Biasi, është shprehur se nuk e sheh problemin tek aftësitë teknike të lojtarëve, por tek ato njerëzore.
I ftuar në “La Domenica Sportiva”, De Biasi u ka bërë thirrje që skuadrat të bazojnë zgjedhjet e tyre te cilësia njerëzore dhe jo detyrimisht vetëm te cilësia teknike.
Në lidhje me situatën në klubin e Interit, De Biasi tha:
“Pas periudhës së tre titujve të Jose Mourinho, Interi nuk kishte ndonjë paraqitje kushedi se çfarë. Çdo trajner që ka ardhur në klub nuk ka patur ndonjë ndikim të madh.
Problemi nuk është në aspektin teknik, por të bashkosh lojtarë nga vende të ndryshme dhe t’i bësh të përjetojnë frymën e skuadrës është tjetër gjë, ndaj duhet rikrijuar grupi.
Para se të blejnë lojtarët sipas nivelit teknik, duhet blerë njeriu. Nëse ke njerëz në skuadër siguron rezultate edhe nëse nuk ke kampionë.”
Kujtojmë që trajneri i Kombëtares në periudhën e tij si futbollist ka qenë pjesë e zikaltërve.