Nga Raimonda Shundi
Ka lindur më vitin 1965 në qytezën e Niche linos (Torino). Ishte fare i vogël teksa për jetoi se si nisi shpërngulja masive e Italisë së Jugut në qytezën e tij të lindjes, pasi aty u ngritën fabrikat e para të “Fiatit”. Kërkesat për punëtorë sa vinte dhe rritej duke shpërthyer paralelisht edhe problematikat që lindnin nga ky zbarkim, megjithëse ishin brenda për brenda Italisë. Davide shihte se si “mandarini, terroni-t” (kështu quheshin jugorët e ardhur) përbuzeshin, përjashtoheshin apo keq- gjykoheshin nga e përditshmja Torinese duke bërë që në mendjen dhe projektet e Demichelisit të krijoheshin pakënaqësitë dhe pikëpyetjet, të cilën do ta shihnim të reflektuara në punët që do e prisnin në të ardhmen.
Në Shqipëri e kemi ndjekur falë reportazhit “Rrënjët” (prodhim i Rai3 në bashkëpunim me fondet e Ministrisë së Jashtme nëpërmjet fondeve të Komunitetit Europian “FAMI”) , reportazh ku trajtohen problematikat, kulturat, konfliktet apo bashkëjetesa e emigranteve që dominojnë në Itali. Një ndër shtetet dominuese është edhe Shqipëria. Protagonistët e reportazhit janë persona të cilët kanë vite që jetojnë në Itali dhe për rreth 50 minuta ata munden të sjellin në ekran rrënjët e tyre. Pjesa me e madhe e reportazhit për Shqipërinë (por edhe në vendet e tjera) zhvillohet pikërisht në vendin e origjinës dhe falë kësaj ftese, mund të shfaqet natyrshëm Shqipëria e disa viteve, së bashku me ndryshimet, konfliktet dhe kulturën tonë.
Demichelis është shoqëruar në disa qytete ku protagonistja (Alushi) e ka këshilluar (nisur nga historia personale) për të objektivizuar ditarin e saj, ku ai më surprizuesi ishte edhe prekja e problemit çam pas ndërprerjes së xhirimeve si dhe ndalimin e protagonistes nga policia greke. Ky zhvillim i dha një tjetër ritëm realizimit të këtij reportazhi. Davide njohu një Shqipëri, të cilën nuk e kishte menduar, e pikërisht ky reportazh ua mundëson të gjithë teleshikuesve ta prekin… por, jo vetëm ata Italianë.
Si lindi reportazhi “Rrënjët”?
Unë vij nga një qytezë që quhet Nichelino, e cila ndodhet në hyrje të Torinos. Në Torino, në vitet 50-60 ndodhi një emigracion i madh nga Italia e Jugut pasi këtu ishin fabrikat e “Fiat”. Kam lindur ekzaktësisht në ato vite, 1965. Kështu e përjetova fëmijërinë time në masën e emigrantëve që në këtë periudhë ishte ndryshe nga ky që po jetojmë sot, “emigracion i brendshëm”. Por, edhe në këtë periudhë kishte diskriminim ndaj Jugorëve, pra i njëjti mekanizëm, siç është edhe sot me emigrantët e ardhur nga vendet e tjera. Nuk u jepej lehtësisht shtëpi me qira. Veneto në atë kohë nuk ishte një krahinë e pasur siç është tani. Gjyshja ime nga ana e nënës është nga Veneto e ardhur nga Belluno. Venetianët quheshin jugorët e veriut.
Masivitetet e të ardhurve nga jugu patën probleme të mëdha për t’u integruar, gjë që sot ndjehen ende. Integrimi është një proces i gjatë, megjithëse është disi më i zbutur, por edhe sot është ende prezent. Kështu që unë kalova këtë pjesë të fëmijërisë sime( 5, 10, 15 vjet) në mes të këtyre problematikave. Në Nichelino ishin shumë të forta pasi kishte shumë të ardhur. Ndaj, fenomenin e emigrimit e përjetova mbi lëkurën time. Mekanizmat e vështirë të emigracionit janë absolutisht identike, megjithëse sot diferencat janë më evidente, pasi një Afrikan është shumë herë më ndryshe nga një Italian jugor. Teksa realizoj punët e mia, këto copëza jetësore nga fëmijëria më shfaqen kur udhëtojë nëpër botë për realizimin e dokumentarëve apo reportazheve të mi. “Rrënjët” nuk është një reportazh i ri në sensin e idesë apo trajtimit.
Ka shumë emisione me të njëjtën temë në televizionet italiane. Shumë emisione janë bërë me udhëtime në vende të ndryshme, ndoshta edhe të shoqëruar nga një emigrant për të treguar se ku janë rrënjët e tyre. Por askush nuk ka mundur ta kthejë në një format të plotë televiziv, ku janë të përfshirë një cikël serish. Ne nuk bëjmë vetëm një udhëtim episodik, por një mënyrë për të treguar realitetin. Unë mendojë se kjo është një mënyrë për t’i treguar botës në përgjithësi dhe Italisë në veçanti se cilët janë këta persona që po jetojnë me ne. Flasim për jetët e kësaj kategorie, të cilat bëjnë pjesë në këto 5 milionë italianët e rinj. Ne me kamerën tonë i mundësojmë të gjithëve të përditshmen e tyre, pasi ata rrojnë në Italinë tonë me atë çka sjellin nga kulturat e vendeve ku kanë jetuar.
MIKE BONGIORNO, FARI IM
Në Rai3 ideja u pëlqye direkt, por u deshën shumë vite pritje për ta filluar. E kam nisur si ide në vitin 2003 dhe munda ta realizoj vetëm në 2011, pra plote 8 vjet pritje e këmbëngulje deri në realizim. Ndërkohë unë isha i angazhuar me emisione të tjera. Kam gjithmonë një “far ndriçues”, ai është Mike Bongiorno. Mike pati një program të suksesshëm, (i cili është rikthyer në Rai3) “Rischiatutto”. Kujtoj që Mike-ut iu desh të realizonte udhëtime të shumta në Romë për të bindur drejtuesit e asaj periudhe që ai emision të kishte mundësi realizmi, ndërkohë që Mike ishte nga drejtuesit mjaft të njohur të Rai. Pra, nisja e “Rrënjëve” nuk ishte aspak e lehtë, por jam i kënaqur që ky emision ende vazhdon të bëhet.
Kemi mundur të gjejmë edhe financues për ta çuar përpara duke u financuar nga fondet e Komunitetit Europian, të cilat kalojnë nëpërmjet Ministrisë së Jashtme. Ndaj falë atyre ky reportazh shkoi përpara. Tema e emigracionit ka qenë dhe do të jetë prezente sa ka jetë. Prej shumë kohësh flitet për këto tema, sidomos kur afrohen zgjedhjet, por e lemë mënjane këtë argument pasi na largon nga objektivi. Këto vitet e fundit emigracioni është bërë shumë i rëndësishëm dhe preferenca e politikanëve për të përthithur vota janë gjithkund. Ndaj për këtë arsye ne gazetarë duhet të bëjmë shumë kujdes në mediat që përfaqësojmë.
“Rrënjët” nga kjo pikëpamje, këtë ka objektivin e saj. Nuk duhet ta trajtojmë emigracionin vetëm si “rast urgjent”, natyrisht ka edhe të tilla, kjo që po ndodh në Mesdhe është urgjencë, ajo që ndodhi në Shqipëri në 92-shin ishte urgjencë. Por emigracioni nuk është vetëm kjo. Mbi të gjitha, emigrimi është normaliteti ynë, janë personat, të cilët ikin për të jetuar në një shtet tjetër ndoshta për kuriozitet, shkollim, përditshmëri, ndryshim, pra, ka shumë motive që dikush do të jetojë në një vend tjetër dhe jo vetëm për urgjenca njerëzore.
Si funksionon mekanizmi i seleksionimit të materialit për serinë e radhës?
Ne kemi disa kritere në punën tonë, të cilat janë të rëndësishme. Kërkojmë mbi të gjitha komunitetin më prezent në Itali. Tashmë themi se kemi paraqitur një pjesë të mirë të tyre. Shqipërinë, Marokun, Ukrainën, Kinën, Filipinet, Perunë. Deri tani kemi realizuar 21 seri, duke sjellë 20 vende të ndryshme. Nuk janë shumë, por ne i tregojmë historitë nga shtëpia jonë, Italia. Shqiptarët dhe Rumunët janë më shumë prezent, ndaj më vjen më mbarë të flas për ta, se sa për minorancat si japonezët apo austriakët.
Kjo nuk do të thotë se janë të përjashtuar, por i përkasin serive të ardhme. Një nga arsyet e kërkesave të këtij komuniteti është punësimi, ndaj ne fillimisht qëndrojmë pikërisht këtu. Një kusht tjetër për të qenë pjesë e emisionit tim është edhe ai i familjaritetit me kamerën. Personazhi ynë duhet të dijë të flasë para kamerës, duhet të ketë edhe një familje ku ne të shkojmë për të parë, sepse familja është elementi i parë i emisionit tim. Duhet të jenë të disponueshëm për të udhëtuar me ne pasi ky element mund të jetë pak bezdisës e i vështirë për orët e gjata që bëjmë. Ne ecim 7-8 ditë në qytet duke xhiruar, 7-9 ditë për të transmetuar për rreth një orë emision. Kjo të bën të rendësh. Të flasësh mirë gjuhën është një element tjetër. Natyrisht jo në kuptimin që duhet të bëjmë lojëra gramatike, por në kuptimin që duhet të jenë të aftë të kuptohen drejtpërsëdrejti nga ekrani ynë.
Sa vende keni vizituar?
Kemi vizituar për “Rrënjët” 20 shtete dhe janë realizuar 21 seri. Për një rast të veçantë një shtet si Senegali e kemi bërë dy herë. Patëm dy protagonist të ndryshëm, kështu që dolën dy Senegal. Komuniteti senegalez është më prezenti në Itali. Seria e parë me reportazhin “Rrënjë” ka qenë Bolivia. Xhiruam në dhjetor të 2010. Ndërsa Senegali është xhiruar në 2011 për t’iu rikthyer në vitin 2013 me një personazh të ri. Ne nuk rrëfejmë për vendet, por për njerëzit, ndaj i jemi rikthyer personazheve, të cilët na kanë lënë mbresa. Realizojë dokumentarë prej 25 vjetësh dhe kam përplasur kokën shumë herë kundër indiferencës për të respektuar vendet me probleme, por, për fat të keq, gjithkush sheh vetëm punët e veta. Nuk humbasin kohën të shohin se çfarë ndodh në Nepal ose Venezuelë. Maksimumi Shtetet e Bashkuara merren paksa, të paktën bëjnë diçka. Ndërsa pjesa me e madhe, asgjë. Sa keq!
A ka një shtet, fshat, krahinë ku ju do të donit të riktheheshit?
Po, do të doja të kthehesha tek të gjitha pa përjashtim. Nuk kam një vend të veçantë, i cili më ka goditur më ndryshe. Nuk mundem të them se “dua të rikthehem këtu, e jo në një ven tjetër”. Me ka befasuar Kina, por jam i mrekulluar nga Afrika. Kemi xhiruar Senegalin, Etiopinë, Algjerinë, Tunizinë, Marokun kemi xhiruar në 4 shtete të Amerikës Latine, por edhe në Europë kam zbuluar gjëra, të cilat nuk i dija. Flas për Ukrainën, Bosnjën, Çamërinë. Nuk mundem dot të them se “ky vend më ka goditur më shumë se ky tjetri” . Tek të gjitha reportazhet ka diçka që më ka goditur pa përjashtim.
Ka ndodhur diçka interesante, e cila nuk është transmetuar për shumë arsye gjatë reportazhit?
Po, ka ndodhur dhe kjo që në serinë e parë, atë të Bolivisë. Ndodhi diçka, e cila e vuri në vështirësi protagonisten. Probleme, të cilat kanë lidhje me kontrastet kulturore. Ajo ishte boliviane që jeton në Bergamo, e natyrisht vitet e kanë italianizuar duke bërë që traditat e atjeshme te sfumohen, por situata e krijuar mund të kishte prishur ekuilibrat e saj. Gjatë xhirimeve ndodhi ajo që çdo gazetar do ta kishte dëshirë ta transmetonte, por ne duhet të vendosim edhe limite në zanatin tonë, sidomos kur ke një program si “Rrënjët” ku mikpritja, hapja e derës është shtylla qendrore dhe nuk mund të shfaqësh momentet private të protagonistes, pasi ata të kanë besuar.
Është tjetër gjë kur ti hyn në një shtëpi, ku i ftuari është një personazh publik, pasi ai e ka marrë parasysh kur të ka ftuar. Por, kur ti hyn në shtëpinë e personazhit tënd dhe je në privatësinë e tij, duhet t’ia respektosh këtë privatësi. Ky emision nuk funksionon, nëse personazhi yt nuk të hap derën e privatësisë. Unë si gazetar dua të tregoj gjithçka mbi protagonistin tim, por, nëse ai nuk pranon, aty tërhiqem. Ky për mua është princip i rëndësishëm. Unë besoj në gazetarinë për principe të privatësisë. Ne nuk jemi një grup pune anonim. Ne jemi pjesë e tyre (familjarëve), sepse jemi të shoqëruar nga persona që bëjnë pjesë dhe vijnë nga ajo derë që ne po hyjmë. Pikërisht për këtë fakt që ky person na i hapi dyert është e drejtë që t’i respektojmë limitet që vijnë nga vetë ata. Malia është një mikesha ime gazetare në Kinë, e natyrisht që problem i Tibet-it është një nga më delikatët për këtë vend. Por si mundem unë të vendos në shpatullat e Malias këtë problem delikat pasi ajo ka familje dhe natyrisht që shkarkimi do jetë mbi ta.
Kështu materiali që realizova në Kinë anashkaloi çështjen më nevralgjike, për ta spostuar vetëm të problemi i censurës. Vitin që shkoi doja të bëja Iranin. Irani është një vend interesant. Më pas zbuluam se atje ka shumë limite për të xhiruar, atëherë mendova se cili Iranian mund të më rrëfejë të vërtetën pa i krijuar probleme atij dhe familjes së protagonistit?! Kështu që nuk e bëmë. Eritrea është një vend tjetër që nuk kemi mundur ta kryejmë për të njëjtën arsye. E bëra gjithë këtë rrëfim për të thënë se ne gazetarët duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vendosim limite. Fakti që dikush na i hap dyert, të imponon një përgjegjësi shumë herë më të madhe.
Ju ka ndodhur që të ndryshoni jetën e dikujt (personazhit tuaj) pas publikimit të reportazhit “Radici”?
Po, mendoj se po. E them këtë, sepse shumë nga protagonistët e emisionit pasi kemi realizuar udhëtimin e kuptojnë edhe vetë rëndësinë e rrënjëve të tyre. E shohin vendin e tyre me një sy tjetër. Emigrantët, kur kthehen në vendin e tyre, nëse do ta shohim me vëmendje, nuk kthehen vetëm në vendin e tyre, por për familjet. Megjithëse ata shkojnë shpesh atje, ata shkojnë për të njëjtët njerëz: gjyshen, gjyshin, vëllain, hallën, tezen, mamanë. E ja, kështu muaji i pushimit përfundon. Ata të parët nuk e shohin vendin e tyre, ata të parët nuk shëtisin për të kuptuar e perceptuar qytetin e tyre, kështu që shumë prej tyre janë vërtet të ndryshuar pas këtij reportazhi. E njëjta gjë ndodh me ne në shkollë. E kuptojmë se çfarë kemi studiuar vetëm pas provimeve. Fillimisht jemi konfuzë, më pas kuptojmë se çfarë studiuam realisht. Muhamed është personazhi, të cilin e pata protagonist kur realizova Marok-un. Gjatë rrugës për në shtëpinë e tij, më bëri përshtypje gjelbërimi dhe e pyeta “nuk e prisja që të kishte kaq shumë gjelbërim këtu, Muhamed”.
Ai më sheh dhe thotë, “as mua”. Unë i kthehem, por “Muhamed, unë mund ta them se kam ardhur vetëm dy herë në Marok, ndërsa ti ke lindur këtu”. Ai më përgjigjet: “Po, është e vërtetë, por unë nuk kam ardhur kurrë deri këtu”. Dhe të mendosh që ishte fare afër shtëpisë së tij, në më pak se një orë.” Kur unë vij këtu, nuk vij të shëtis me makinë për të parë qytetin”. Muhamed ka jetuar në Marok deri sa ishte 20 vjeç dhe natyrisht që kur kthehet, vjen për të takuar familjarët e tij, njësoj si unë. Kur unë së bashku me prindërit e gruas sime shkuam në Puglia, patëm një axhendë si të presidentit të republikës. Për drekë duhet të shkojmë te tezja, më pas, sapo të përfundojë dreka, në orën 17:00, duhet të vrapojmë te gjyshja. Pasi të mbarojmë së ngrëni rreth orës 23:00, duhet të shkojmë për të fjetur, sepse të nesërmen në orën 10:00 duhet të shkojmë për të takuar kushërirën, më pas xhaxhain tjetër… e kështu…Kur Muhamed më tha se, kur unë kthehem në vendin tim, nuk është se shkoj për të bërë xhiro në Marok”.. thashë “wow… caspita, ka të drejtë, sepse edhe unë bëj të njëjtën gjë”. Pra, mekanizmat humanë janë ekzaktësisht të njëjtë. Me një axhendë plot, ashtu sikurse e kanë edhe krushqit e mi, kur shkojnë në vendlindje.
Keni pasur kritika për reportazhin tuaj?
Duhet të pranoj se prisja më shumë. Ka pasur disa kritika, por shumë të buta. Kryesisht për faktin se pse nuk merrem me Italinë, ndërkohë që flas për vende të huaja. Por edhe këto janë mesazhe të nisura në faqen time të facebook-ut, duke qenë faqe publike, ku gjithkush mund të komentojë, te materialet që unë publikoj, por realisht janë fare të pakta, ndoshta 3 ose 4 të tilla, nuk jam shumë i sigurt. Natyrisht kuptoj fare mirë që është shumë më e lehtë të mbërrijnë komplimentet se sa kritikat. Unë i pari, nëse shoh diçka që nuk më pëlqen, ndërkohë që e ka bërë një miku im, ndoshta nuk do t’i them gjë. Ndërsa, nëse shoh një produkt të bukur, është më e lehtë për t’ia thënë. Kështu që e di mirë se me parë të mbërrijnë komplimentet se sa kritikat. Fatmirësisht kam pasur shumë vlerësime. Gjëja më e bukur është që këtë vit kemi realizuar 15 prezantime në shkollat publike Italiane ku i kemi njohur nxënësit me protagonistin e serisë ditore. Vitin që shkojë e kemi prekur paksa, ndërsa për këtë vit ishim më të organizuar. Në prezantimin e serisë nuk ishte vetëm videoja që iu transmetua të rinjve, por edhe protagonisti i serisë që, kur të ndizet drita, ata gjenden përballë protagonistit dhe kështu munden të bëjnë drejtpërsëdrejti pyetjet, duke e prekur me dorën e tyre historinë e paraqitur.
Ministria Kumbaro u befasua me pyetjen time
Kur kemi bërë serinë e Shqipërisë në një shkollë në Parma, patëm prezantime me dy grupe të rinjsh dhe duhet të them se ishte shumë interesante. Me ka mbetur në mëndje një koment, i cili tha “nuk e mendoja se Shqipëria ishte kështu”. Më kujtohet që, kur bëra udhëtimin në Shqipëri, kemi intervistuar edhe ministren e Kulturës znj. Mirela Kumbaro. Pas bisedimesh të zakonshme me të (ajo e fliste shumë mirë italishten), i bëra një pyetje, më shumë një batutë (kam përshtypjen se këtë nuk e kam futur në material) në lidhje me largimit e shqiptarëve me anijet. Ajo, u pozicionua dhe më kthehet “po ju në Itali akoma mendoni se shqiptarët janë ende të lidhur me episodin e 20 viteve më parë?” Unë iu përgjigja: “Për fat të keq po, dhe mendoj se e dini edhe ju”. Pra, nga njëra anë ministria e Kulturës, e cila çuditet për këtë fakt dhe nga ana tjetër, ai djaloshi i shkollës së Parmës që më tha ekzaktësisht “unë mendoja se Shqipëria ishte shumë më ndryshe nga kjo që po shoh”. Pra, zbulova se ky djalosh kishte atë ide që ministria e vendit tuaj akoma çuditet se ekziston ende, por fatkeqësisht ekziston.
Di që flisni 3 gjuhë të huaja. Ka një fjalë të cilën e memorizoni të parën?
Flas Anglisht, Frëngjisht dhe Itaniol. Spanjishten, për fat të keq, nuk e kam studiuar kurrë. Fjala e parë që mësoj është “faleminderit” sepse gjykoj që është një fjalë e rëndësishme.
Si falënderohet në shqip, ju kujtohet apo është harruar?
Faleminderit! (qesh) Gjuha që më ka mbetur në mëndje dhe të cilën e kam mësuar gjatë udhëtimit është Spanjishtja. Por e përsëris se nuk e flas mirë. Mendoj se gjuha është shprehje e kulturës. Kur të pëlqen dhe apasionohesh pas saj, ti e mëson shpejt. Frëngjishten e studiova në shkollë dhe nuk fiksova asgjë. Më pas, shkova në Francë dhe papritur shpërthen frëngjishtja që flinte. Më pëlqen kultura franceze dhe sipas meje është gjuha më e bukur në botë. Cili flet gjuhë të tjera thotë se italishtja është akoma edhe më bukur për muzikalitetin e saj. Unë këtë nuk mund ta dëgjoj, sepse jam italisht-folës dhe e kam gjuhën e nënës. Gjuha ime më ka shërbyer si bazë për të mësuar dy gjuhët e tjera. E kundërta ndodh me kinezishten, e cila më ka krijuar shumë probleme, pikërisht falë moskuptimit apo reagimeve inekzistete të kinezefolësve. Nga kinezishtja nuk kuptoj asgjë. Është banale ta them, por kur shkoj atje dhe e eksperimentoj, kuptoj se sa e padepërtueshme është kjo gjuhë. Nëse shkon në një vend tjetër, Gjermani, për shembull, një fjalë e kap. Pastaj, nëse nuk kap dot asnjë fjalë si në Rusi, të paktën kupton diçka nga ekspresioni i fytyrës. Kinezët flasin një gjuhë të pakuptueshme, bashkangjitur edhe me faktin që nuk shfaqin asnjë emocion në portret që e bën edhe më të komplikuar të kuptuarin apo bisedën në rastet kur komunikon. Ti mund të flasësh për një orë me një person dhe nuk e ke idenë nëse ky kinez është i lumtur, i zemëruar apo neutral.
Gjatë reportazhit që zhvilluat për Shqipërinë, a ka ndonjë skenë të pa publikuar dhe, a ju befasoi reagimi i ushtarëve Grekë?
Sonila ka qenë edhe më parë në atë vend, kështu që ishte e informuar për rrezikun e ndalimit nga policia vendase. Ne shkuam të dielën në mëngjes, pasi mua më pëlqen të punoj mëngjesin e parë dhe pasdite vonë. Ishim në shesh-xhirimi rreth orës 08:00 dhe nuk pamë askënd, duke bërë që të xhironim të qetë. Mendova se ndoshta Sonila e kishte vetëm frikë. Por, më vonë e kuptuam se ishte fakti i orarit që nuk kishte askënd për të njoftuar policinë. Pasi mbaruam planet që donim të xhironim, shkuam për të bërë intervistat dhe planet në zonën e qytetit, jashtë atij të banuar, sepse sot zona e Margellicit (qyteti ku ishte edhe familja e protagonistes)është e spostuar krahasuar me vendin ku ndodheshin shtëpitë dikur. Pra, në atë orë të mëngjesit ajo zonë ishte e pabanuar dhe përdorej për të mbajtur ose bagëtinë, ose për ata që punojnë tokën pasi është zonë bujqësore. Më pas unë dola të merrja plane nga deti dhe u ktheva rreth orës 14:00- 15:00 (pasi duhej të nxitonim se do ktheheshim të flinim në Shqipëri). Më kishin mbetur për të bërë disa plane në qytet ku duhej të kishte lëvizje banorësh. Kur jemi kthyer pasdite, sapo hapëm telekamerat, dikush na pa, lajmëroi policinë dhe policia na ndaloi. Mbërriti një polic, i cili na shoqëroi në komisariat. Por nuk na kërkoi asgjë. Na pa dokumentet dhe piketoi Sonilën. E mori Sonilën duke e shoqëruar në dhomën që pyeteshin të ndaluarit. Unë doja të shkoja me të, por Sonila më qetësoi se e zgjidhte vetë. Duke mos dashur të komplikoja situatën, nuk insistova. Ata i bënë pyetjet që i interesonin për rreth 1, 2 orë dhe më pas e lanë të lirë. Sonila i tha se ne jemi këtu për të marrë plane të përgjithshme dhe jo për Margellicin në veçanti, me sa mbaj mënd. Në polici nuk lejoheshin xhirimet, ndaj as që bëhej fjalë për të hapur kamerat. Me problemin çam si dhe polemikën greko-shqiptare nuk jam futur me detaje. Nuk do të doja të qëndroja gjatë, pasi gjykoj se do më dilte nga shinat e reportazhit tim “Rrënjët”. U munduam të rrëfejmë diçka pasi shkuam te gjyshja e protagonistes, e cila u arratis nga ajo krahinë me batanije në shpatulla hipur në karrocë, për t’u spostuar në Tiranë. Më interesonte kjo e dhënë pasi ishte brenda trajtimit të idesë se si prindërit ashtu edhe fëmijët janë emigrantë.
E prisnit këtë reagim të policisë greke, megjithëse ishit i informuar paraprakisht?
Jo, pasi nuk isha shumë i qartë se deri ku ishin këto konflikte. Por, këtë reagim nuk e prisja, megjithëse Sonila më kishte folur për problemin çam. Më ka shokuar dalja në dritë e konfliktit midis dy vendeve tuaja. Nuk mendova se 70 vjet pas përfundimit të luftës botërore ka ende konflikte dhe praktika të hapura të këtij formati. Janë dy vende Europiane, ndaj më duket absurde. Atje zbulova se plagët qenkëshin ende të hapura.
Mund të pasurohesh me profesionin tonë?
Nëse dikush nuk do të pasurohej nga një profesion si i yni, (i cili të bën të shohësh nga të tjerët, të dëgjosh, lexosh, informohesh si dhe të përpiqesh të kuptosh realitete të ndryshme) atëherë do të thoshte që nuk do të kishte praktikuar gazetarinë e vërtetë. Rasti im është edhe më i veçantë nisur nga këndvështrimi “kush udhëton jeton dy herë”, sepse të njohësh njerëz, vende dhe kultura të ndryshme është maksimumi i dijes dhe pasurisë. Unë jam i bindur se çdo gazetar është i pasur me profesioni e tij.
Po financiarisht a jeni i pasur, nisur nga profesionalizmi, vitet, apo media e rëndësishme ku ju punoni?
Ne kemi gazetarë që i super paguajmë. Ah, jooo. Në Itali është e kundërta. Gjithmonë flas për kategorinë dominuese të gazetarëve sot. Sidomos për ata që praktikojnë gazetarinë e lirë, siç jam edhe unë. Është një nga zanatet më pak të paguara. Redaksitë e mediave të mëdha paguajnë 20,30 euro për një artikull të publikuar, i cili kërkon punë duke u mbyllur me orë dhe ditë të tëra. Si mund të bëhesh i pasur me profesionin tonë?! Është e vërtetë që ka edhe drejtues emisionesh të suksesshëm, të cilët janë të pasur, por unë i referohem kategorisë së gazetarëve në përgjithësi.
Vini në Shqipëri, këtu paguhesh mirë nëse..?
Erdhaaaaaaaaaa!!
Ndjeheni më mirë i intervistuar apo intervistues?
Ndjehem më mirë kur pyes vetë. Është më e thjeshtë të japësh përgjigje. Por dua të precizoj se për reportazhin “Rrënjët” e kam më të lehtë të flas pa fund, madje të kaloj edhe sensin e masës, pasi këtë emision e kam në kokë dhe në të gjithë qenien time, jua thash që e kam përjetuar që fëmijë. Nëse kam diçka të thjeshtë ku ndjehem i qetë 100% të përgjigjem, është pikërisht ky emision.
Ku janë rrënjët e Davides?
Janë Nicheline-zë dhe 100% italian. Unë i kuptova rrënjët e mia italiane, duke udhëtuar. Kam pasur fatin të udhëtoj dhe aty e kuptova se si jam. Krahasuar me atë si janë të tjerët, kupton diferencat dhe kështu, kuptoj se si jam edhe vetë.
Nëse unë do ju ftoja të bëni atë çka ju realizoni me personazhet e tu, a do pranonit të ishit protagonisti im?
Pse jo. Do ta bëja me kënaqësi!
Do ta bësh vërtet?!
Problemi është se unë nuk di shqip, di vetëm faleminderit.
Kur përfundon “Radici”?
Për fat fondet që na jepen janë edhe për dy vite. Ministrja e Jashtme në bashkëpunim me fondet e Komunitetit Europian “FAMI” e mundësoi edhe për dy vjet të tjera, përfshirë këtu edhe aktivitetet e shkollave apo me komunitetin që përfaqëson reportazhi.
A jeni dakord me shprehjen se sa më shumë rri me njerëzit, aq më fort i dua kafshët?
Unë ndjehem qen. Jam i afeksionuar me qenin dhe është kafsha ime e preferuar. Kam pasur fatin të realizoj 70,80 dokumentarë, në rreth 50 shtete të ndryshme për të rrëfyer se si njerëzit jetojnë në harmoni me kafshët, nisur nga kultura dhe rajone e ndryshme që i përkasin. Kam xhiruar dhe miqësuar me shumë specie të ndryshme si tigri, gatopardi, gorilla, por unë vazhdoj të kem qenin kafshën time të preferuar. Ndoshta ngaqë është më afër njeriut. Me tigrin nuk është e thjeshtë bashkëjetesa megjithëse kam xhiruar se si murgjit jetonin në paqe me të. Tigri është një kafshë e lidhur me njeriu dhe shumë besnike, lozonjare. Unë përgjithësisht kam probleme me kujtesën, sidomos për fëmijërinë (ndërkohë që njerëzit ato mbajnë mend, unë asgjë). Por ajo që më ka mbetur e pa fshirë në memorie për pjesën e fëmijërisë time si gjëja më e çmuar, është pikërisht momenti kur munda të kem për pak kohë një qen. Isha rreth moshës 5-vjeçare dhe prindërit pas insistimit tim u dorëzuan dhe vendosën të më sillnin qenin që ëndërroja prej kohësh. Por patëm problem me komshinjtë, kështu që duhet ta çonin sërish aty ku e morëm. Unë nuk e harroj dot trishtimin tim dhe i kujtoj shumë mirë lotët e mi për dy ditë për qenin që nuk munda ta mbaja. Pas largimit nga ajo shtëpi unë gjithmonë kam mbajtur qen dhe jam rritur me ta. Unë ndjehem shumë qen hahaha.
Historia e Dabit, si ajo e një filmi
Në vitin 2002 isha në Kinë për të realizuar reportazhin “Planeti i mrekullive” ku do fokusoheshim në lidhje me traditën e konsumimit për ngrënie të mishit të qenit. Vajta në markatën e shitjes së qenve dhe vendosa të marr të paktën njërin prej tyre. Nisi si një iniciativë që ky qen i shpëtuar do t’i jepte fytyrë reportazhit tonë. Për këtë ramë dakord me redaksinë e RAI-t që qenin, të cilin do e merrnim, mund ta çonim në një nga pensionet për qen dhe pas transmetimit të materialit, do t’i jepej të parit teleshikues që do e kërkonte për adoptim. Gjatë kthimit, thashë: “Jo, këtë qen unë nuk e lë më”. Telefonoj time shoqe dhe i them se do mbanin një qen, por vetëm për disa ditë, deri sa t’i lirohej vendi, pasi pensionet ishin plot (unë në shtëpi nuk kisha mbajtur kurrë qen që pas fëmijërisë). Në kohën që realizoja emisionin për kafshët shtëpiake, mësova një truk për t’i adoptuar kafshët nga ata që kujdeseshin në pension. Kur vendet ishin plot, punonjësit i kërkonin ndihmë miqve apo të njohurve për të mbajtur vetëm disa ditë qenin ose macen dhe sapo të lirohej vendi, ata do ia merrnin serish. Në të shumtën e rasteve, asnjëri nuk e kthente më, pasi miqësohej dhe lidhej më kafshën e ftuar. Kështu që edhe unë përdora të njëjtën teknikë me gruan time. E bukura ishte se kur ime shoqe e pa qenin te po luante në barin e aeroportit, edhe asaj sikur nuk ia kishte qejfi ta linte më. Kështu që e mbajtëm për 12 vjet, aq sa ai mundi të jetojë. Me Dabin ishte një histori zemre. Kur merr një qen nga vendi ku ishte i destinuar të vdiste, ai e ndjen rrezikun nga shumë detaje, nga era që lëshohet apo shumë sjellje tipike. Dabi e kuptoi se unë e shpëtova nga një situatë e shëmtuar dhe për këtë arsye ishte shumë i lidhur me mua, sikurse edhe unë isha i lidhur me të. Dabi më mungon çmendurisht.
Nuk munde të marrësh një tjetër?
Jo, sepse jam gjithë kohën në udhëtim. Fakti që kam realizuar shumë emisione për qentë dhe macet ka bërë që gjithmonë të më ofrojnë të mbaj qen të tjerë, por i kam refuzuar pikërisht për këtë shkak. Kur Dabi ngordhi, më kishin mbetur disa kuti nga ushqimi i tij. Disa ia dhashë babait dhe një e ruajta për t’ia dhënë të parit qen që do të hynte. Por, kanë kaluar 2 vjet dhe akoma nuk kam marr një tjetër. Nëse do e ndjekësh me kujdes reportazhin “Rrënjët” dhe do jesh i vëmendshëm, diku- diku …. do të dalë një qen ose mace.