Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka deklaruar ditën e sotme se situata nga Covid-19 në vendin tonë është drejt përmirësimit. Brataj tregoi se ka një rënie të numrit të vizitave, ndërsa u shpreh se jemi në fazën e rënies së infeksionit. Gjithsesi Brataj bëri thirrjes se kujdesi dhe vëmendja ndaj virusit duhet të jetë i njëjtë,
“Ka një rënie të numrit të vizitave. 24 orët e fundit janë 20-25 thirrje. Ka një rënie edhe numri i konsultave mjekësore. Në këtë moment është në rënie për fatin e mirë, por kujdesi duhet të jetë i njëjtë. Siç ishte parashikuar Omicron tregoi se arriti kulmin dhe pastaj filloi rënia. Tani jemi në fazën e rënies, por sidoqoftë është prezent akoma ky infeksion. Ka shumë njerëz që nuk e kanë kaluar, ose nuk janë të mbrojtur nga mosinfektimi. Edhe kjo pandemi bëri rrugën fiziologjike. Omicron po lëshon fushë. Format e rënda janë me mijëra herë më mirë. Në 2022 kemi të shtruar 102 veta, por vitin e kaluar ishin 547 pacientë të shtruar”, u shpreh Brataj.
Ai tha se sëmundja ka një kohëzgjatje shumë të shkurtër tashmë, deri në 5 dit. Brataj tha se pranvera do të jetë e qetë, ndërsa vera pritet të jetë pa probleme.
“Për fatin e mirë sëmundja ka një kohëzgjatje shumë të shkurtër. deri në 5 ditë pothuajse kalon, pra forma të lehta. Edhe me 2-3 ditë forma e lehtë kalon. Në këtë moment edhe kërkuesit shkencorë e dinë që brenda vitit ne do të kalojmë në endemi. Do të kemi një pranverë të qetë dhe një verë shumë të mirë dhe pa probleme”, tha Brataj. Kujtojmë se në 24 orët e fundit janë raportuar 300 raste të reja me covid-19 në vendin tonë.